LIVE UPDATES

ZGJEDHJET- Trump nuk betohet dot deri më 20 janar, Biden i drejtohet popullit amerikan: Do të respektoj Kushtetutën!

➤ Donald Trump po përgatitet të zgjedhë ekipin e tij për të bërë rikthimin në Shtëpinë e Bardhë. ➤ Mbrëmë, kundërshtarja e tij demokrate, Kamala Harris u zotua për një "transferim paqësor të pushtetit". ➤Në një fitore vendimtare, Trump mori pesë nga shtatë shtetet e fushëbetejës – dhe është përpara në dy të fundit ku ende nuk janë mbyllur numërimet, Nevada dhe Arizona. ➤ Po ashtu, republikanët kanë rimarrë kontrollin e Senatit të SHBA-së; ata gjithashtu udhëheqin garën për të kontrolluar Dhomën e Përfaqësuesve, por mund të duhen ditë për një rezultat përfundimtar. ➤Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden mbajti fjalim e parë pas fitores së republikanit Donald Trump. Biden tha se ai uroi Trump për fitoren e tij dhe se e lajmëroi që stafi i tij do të bashkëpunojë me ekipinj republikan në mënyrë që të jetë një periudhë tranzicioni e qetë.

10 artikuj për këtë temë.
7 MUAJ ME PARE

Zelensky bisedon me Trump pas fitores së zgjedhjeve: Uroj që Amerika të bëhet më e fortë

ZGJEDHJET- Trump nuk betohet dot deri më 20 janar, Biden i drejtohet
Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump

KIEV- Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se pati një bisedë “produktive” me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump. Ai tha se ende nuk e di se cilat janë planet e tij, por uroi që Amerika të bëhet më e fortë.

“Ende nuk mund të dimë se cilat do të jenë veprimet e tij specifike. Por, shpresojmë që Amerika të bëhet më e fortë. Kjo është lloji i Amerikës që i duhet Evropës. Dhe një Evropë e fortë është ajo që i duhet Amerikës”, tha Zelensky.

Lideri ukrainas përsëriti mesazhin se Kievi do të ndjekë politikën e “paqes përmes forcës,” në vend të lëshimeve të territorit apo neutralitetit.

“Është në dorë të Ukrainës të vendosë se çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të jetë në rendin e ditës për t’i dhënë fund kësaj lufte. Çdo vend, çdo lider që respekton ligjin ndërkombëtar dhe ulet në këtë tryezë duhet të kuptojë se grabitqarët gjithmonë kërkojnë më shumë”, përfundoi ai.

Trump është zgjedhur president, por ai do të marrë detyrën vetëm në një ceremoni që do të mbahet para Shtëpisë së Bardhë në Uashington në janar. Pra Donald Trump ka siguruar rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk është ende zyrtarisht president - dhe do të duhen më shumë se dy muaj para se të kthehet në Zyrën Ovale.

Trump pritet që të betohet si president pas datës 20 janar dhe Joe Biden do të qëndrojë në pushtet deri atëherë - megjithëse ai do të jetë shumë i kufizuar politikisht.

Në këto zgjedhje Trump ka marrë gjithsej më shumë vota se Kamala në nivel të gjithë Amerikës dhe e ka kaluar atë edhe për nga numri i votave kyçe elektorale, që ka mbledhur deri më tani, 295 kundrejt 226 të saj. Ai fitoi pesë nga shtatë shtetet që ishin vendimtare në këto zgjedhje dhe kryeson në Nevada dhe Arizona, dy shtetet e vetme që nuk kanë shpallur ende fitues. Përveç fitores së Trump, republikanët rifituan edhe kontrollin e Senatit, dhe po kryesojnë në garën për Dhomën e Përfaqësuesve. /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Kina dhe Rusia sytë nga Trump: Do të presim!

ZGJEDHJET- Trump nuk betohet dot deri më 20 janar, Biden i drejtohet
Vladimir Putin, Donald Trump dhe Xi Jinping

PEKIN- MOSKË- Krisjet politike mes Kinës dhe SHBA-ve arritën kulmin gjatë mandatit të parë të Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë. Por, pavarësisht problemeve, presidenti i Kinës, Xi Jinping i uroi fitorem republikanit dhe madje e telefonoi personalisht për t`i uruar fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit.

“Kina dhe SHBA do të përfitonin nga bashkëpunimi mes tyre, dhe të dyja palët do të humbisnin nga konfrontimi. Të dyja vendet duhet të menaxhojnë siç duhet dallimet e tyre dhe të gjejnë një mënyrë për t’u bashkuar në një epokë të re. Një marrëdhënie e qëndrueshme dhe e shëndetshme Kinë-SHBA është në interesin e përbashkët të të dy vendeve dhe pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar. Shpresoj që të dyja palët të mbështesin parimet e respektit reciprok, të bashkëjetesës paqësore dhe të bashkëpunimit të favorshëm, e të forcojnë dialogun dhe komunikimin, teksa menaxhojnë siç duhet dallimet mes tyre”, mësohet të ketë thënë Jinping.

Nga ana tjetër, Rusia ka thënë se duhet të jetë vetë SHBA që t’i kontaktojë ata. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha se ata nuk kanë iluzione për presidentin e ardhshëm, por do të presin nëse do të kenë propozime nga ta.

“Ne do të presim e të shohim nëse do të ketë ndonjë propozim nga administrate Trump. Por e përsëris edhe një herë, nuk ishim ne që i prishëm marrëdhëniet me SHBA-në, kështu që nuk na takon ne që të sugjerojmë rinxitjen e tyre", tha Lavrov.

Përpara votimeve, zyrtarë rusë përfshirë presidentin Vladimir Putin, këmbëngulnin se nuk ka rëndësi për Moskën se kush i fiton zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara. /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

VOA: Transferimi i pushtetit; çfarë pritet të ndodhë?

ZGJEDHJET- Trump nuk betohet dot deri më 20 janar, Biden i drejtohet
Donald Trump dhe Joe Biden

SHBA- Donald Trump e kaloi ditën e tij të parë si president i zgjedhur, duke marrë telefonata urimi nga kundërshtarja e tij që humbi zgjedhjet, Kamala Harris, udhëheqës botërorë dhe Presidenti Joe Biden. Tashmë ai ka nisur procesin për formimin e administratës së tij.

Që pas fjalimit drejtuar mbështetësve të tij në Florida gjatë orëve të para të mëngjesit të së mërkurës zoti Trump po mban një profil të ulët, duke qëndruar larg syrit të publikut. Nënpresidentja Kamala Harris i telefonoi zotit Trump duke pranuar humbjen dhe uruar atë. Po kështu zoti Biden e ftoi zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë për një takim në Zyrën Ovale për t'u përgatitur për tranzicionin.

“Presidenti Trump mezi pret takimin që do të mbahet së shpejti, dhe e vlerëson shumë telefonatën”, tha drejtori i komunikimit i fushatës Trump, Steven Cheung.

Më vonë të mërkurën shefi i kabinetit të zotit Biden i kërkoi ekipit të zotit Trump të nënshkruante marrëveshjet federale të nevojshme për të filluar një process të rregullt të tranzicionit presidencial, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Një burim në dijeni të çështjes lidhur me fushatën e zotit Trump tha se bisedimet mbi tranzicionit e pushtetit që do të ndodhë më 20 janar të vitit 2025, nuk kanë nisur ende seriozisht.

Ndërkohë presidenti i zgjedhur Trump ishte i zënë me biseda telefonike me udhëheqës vendas e ndërkombëtarë, donatorë si dhe mbështetës të rëndësishëm të tij.

Diskutimet mbi tranzicionin priten të bëhen me intensive më vonë gjatë javës, pasi vëmendja të kthehet tek përzgjedhja e anëtarëve të një komiteti inaugurues dhe një ekipi zyrtar të tranzicionit.

Jeff Zients, shefi i kabinetit të zotit Biden, kontaktoi me bashkëkryetarët e ekipit të tranzicionit të zotit Trump, Howard Lutnick dhe Linda McMahon, për të theksuar rëndësinë që luajnë marrëveshjet e nënshkruara me Shtëpinë e Bardhë dhe Administratën e Shërbimeve të Përgjithshme (një agjenci e pavarur që menaxhon dhe mbështet funksionimin bazë të agjencive federale), në fillim të një tranzicioni presidencial.

Vonesat pengojnë qeverinë federale që të nisë punën me trajtimin e çështjeve që lidhen me çertifikatat e sigurisë për të emëruarit e mundshëm në poste që lidhen me sigurisë kombëtare të administratës Trump, gjë që mund të kufizojë numrin e personelit të tij, që mund të ketë qasje tek informacionet e ndjeshme deri në ditën e inaugurimit.

Kjo do të nënkuptonte gjithashtu se ata nuk mund të kenë ende qasje tek objektet, dokumentet dhe personeli federal për t'u përgatitur për marrjen e detyrës. Nënshkrimi i marrëveshjeve parashikohet nga ai që njihet si Akti i Tranzicionit Presidencial. Në to parashikohet që ekipi i presidentit të zgjedhur të pajtohet me një plan etik, si dhe të kufizojë e të bëjë publike donacionet private.

Lutnick dhe McMahon lëshuan një deklaratë të mërkurën vonë në mbrëmje ku thuhej se Trump do të zgjedhë personelin për administratën e tij në "ditët dhe javët në vijim", por nuk e trajtuan çështjen e marrëveshjeve me administratën Biden.

"Ndërsa ai (Donald Trump) zgjedh njerëzit më të mirë për t'iu bashkuar ekipit të tij dhe politikat më të mira për të zbatuar, ekipi i tij i tranzicionit do të sigurojë zbatimin e agjendës së arsyeshme të Presidentit Trump, duke filluar nga dita e parë", thanë ata.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se zoti Biden kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e zgjedhur, ku i kishte shprehur atij angazhimin për të siguruar një tranzicion të qetë, ndërsa theksonte rëndësinë e përpjekjeve që duhen bërë për të bashkuar vendin. Biden zhvilloi gjithashtu një bisedë me zonjës Harris ku e përshendeti lidhur me fushatën që zhvilloi.

Trump dhe Harris zhvilluan një bisedë telefonike ku presidenti i zgjedhur "i njohu asaj forcën, profesionalizmin dhe këmbënguljen gjatë gjithë fushatës, dhe të dy udhëheqësit ranë dakord mbi rëndësinë e bashkimit të vendit", bëri të ditur zëdhënësi i zotit Trump, Steven Cheung./VOA

7 MUAJ ME PARE

Biden i drejtohet popullit amerikan: Do të respektoj Kushtetutën, më 20 janar do të transferoj pushtetin

ZGJEDHJET- Trump nuk betohet dot deri më 20 janar, Biden i drejtohet
Joe Biden

UASHINGTON- Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden mbajti fjalim e parë pas fitores së republikanit Donald Trump. Biden tha se ai uroi Trump për fitoren e tij dhe se e lajmëroi që stafi i tij do të bashkëpunojë me ekipin republikan në mënyrë që të jetë një periudhë tranzicioni e qetë. Biden tha se ai do të respektojë Kushtetutën dhe se me 20 janar do të transferojë pushtetin. Më tej, presidenti demokrat tha se ata humbën një betejë por do të rimëkëmben sërish. 

"Dje fola me presidentin e zgjedhur Trump për ta uruar për fitoren e tij dhe e sigurova se po e drejtoj të gjithë administratën time që të punojë me ekipin e tij për të siguruar një tranzicion paqësor dhe të rregullt. Kjo është ajo që meriton populli amerikan.

Pavarësisht se për kë keni votuar, e rëndësishme është ta shohim njëri-tjetrin jo si kundërshtarë, por si amerikanë. Ulini gjakrat. Shpresoj gjithashtu që të mund t'i japim fund pyetjes për integritetin e sistemit zgjedhor amerikan. Është e ndershme, është e drejtë dhe transparente dhe mund t'i besohet, fitohet ose humbet. Unë gjithashtu shpresoj se ne mund të rivendosim respektin për të gjithë punonjësit tanë të zgjedhjeve që rrezikuan. Në fillim, ne duhet t'i falënderojmë ata. Për krijimin vendeve të votimit, numërimin e votave, mbrojtjen e vetë integritetit të zgjedhjeve. Shumë prej tyre janë vullnetarë që e bëjnë këtë thjesht nga dashuria për vendin e tyre. Dhe, siç bënë ata, siç bënë detyrën e tyre si qytetarë, unë do të bëj detyrën time si president. Unë do ta përmbush betimin tim dhe do të respektoj kushtetutën. Më 20 janar, ne do të kemi një transferim paqësor të pushtetit këtu në Amerikë. 

Ne po lejmë pas ekonominë më të fortë në botë. Së bashku ne ndryshuam Amerikën. Tani kemi 75 ditë kohë para se të përfundojë mandati ynë. Të gjithë ne rrëzohemi, por të heqim dorë është e pafalshme. Ne humbëm një betejë. Amerika gjithmonë di të ngrihet. Kjo është historia e Amerikës. Ne do të jemi mirë, duhet të jemi të fortë dhe të angazhohemi. Jam shumë krenarë për ju, me të vërtetë. Zoti ju bekoftë! Zoti e bekoftë Amerikën!,"- tha Biden.

Trump është zgjedhur president, por ai do të marrë detyrën vetëm në një ceremoni që do të mbahet para Shtëpisë së Bardhë në Uashington në janar. Pra Donald Trump ka siguruar rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk është ende zyrtarisht president - dhe do të duhen më shumë se dy muaj para se të kthehet në Zyrën Ovale.

Trump pritet që të betohet si president pas datës 20 janar dhe Joe Biden do të qëndrojë në pushtet deri atëherë - megjithëse ai do të jetë shumë i kufizuar politikisht. Në këto zgjedhje Trump ka marrë gjithsej më shumë vota se Kamala në nivel të gjithë Amerikës dhe e ka kaluar atë edhe për nga numri i votave kyçe elektorale, që ka mbledhur deri më tani, 295 kundrejt 226 të saj. Ai fitoi pesë nga shtatë shtetet që ishin vendimtare në këto zgjedhje dhe kryeson në Nevada dhe Arizona, dy shtetet e vetme që nuk kanë shpallur ende fitues. Përveç fitores së Trump, republikanët rifituan edhe kontrollin e Senatit, dhe po kryesojnë në garën për Dhomën e Përfaqësuesve. /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Kush është Usha Vance? “Zonja e Dytë” e SHBA-ve, prindërit erdhën nga India, jetoi “ëndrrën amerikane”

ZGJEDHJET- Trump nuk betohet dot deri më 20 janar, Biden i drejtohet
Usha Vance

UASHINGTON- Fitorja e historike e republikanit Donald Trump, vendosi në qendër të vëmendjes njerëzit më pranë tij, madje dhe ata që gjithmonë e kanë urryer vëmendjen. Dhe një prej këtyre njerëzve është “Zonja e Dytë” e SHBA-ve, Usha Vance. Vetëm 38 vjeçe, por ajo ka një reputacion si një nga avokatet më të mira në SHBA.

Ajo dhe Zonja e Parë, Melania Trump kanë të përbashkëta dhe pse janë shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Të dyja ato vijnë nga një familje emigrantësh, të cilët shkuan në Amerikë për të ndjekur “Ëndrrën Amerikane”. Usha është vajza e dy emigrantëve indianë të cilët dhe ata po ashtu si prindërit e Melania Trump shkuan në Amerikë, në mënyrë legale. Një fakt ky që duhet theksuar, duke ditur retorikën që presidenti i ardhshëm Donald Trump ka ndaj emigrantëve.

ZGJEDHJET- Trump nuk betohet dot deri më 20 janar, Biden i drejtohet
Donal, Melania Trump, JD dhe Usha Vance

Usha u takua me James David Vance në Universitetin Yale dhe ata u martuan në vitin 2014 dhe kanë tre fëmijë së bashku.

“Usha padyshim që më sjell me këmbë në tokë, dhe nëse sillem pak kokëfortë, nëse ndihem shumë krenare për veten, thjesht duhet të kujtoj se ajo është shumë më e talentuar se unë”, tha gjatë një interviste JD Vance në 2020.

Usha padyshim vjen nga një familje e njohur si në Indi po ashtu dhe në Amerikë. Babai i saj është një pedagog në Universitetin e San Diegos, ku mëson inxhienerinë mekanike, ndërsa nëna e saj është kërkuese në Universitetin e Kalifornisë ku dhe mëson biologjinë molekulare. Ndryshe nga prindërit e saj, Usha studioi Filozofi në Yale. Familja e saj vjen nga komuniteti brahmin dhe origjinën e ka nga Andhra Pradesh në Indi. Ndërsa stërhalla e saj është zysha më e vjetër në botë që ende jep mësim në Indi në moshën 96-vjeçare. Madje në vendin e saj të origjinës, shumë indianë kryen rituale fetare që Republikanët të fitojnë, pas Usha është përfaqësuesja e tyre.

Ajo çfarë i tërhoqi vëmendjen të gjithëve është se po ashtu si bashkëshorti i saj, Usha kritikonte Donald Trump dhe ishte një votuese e Partisë Demokratike. Epo… duket se gjërat tashmë kanë ndryshuar se si ajo dhe bashkëshorti i saj janë njerëzit më të afërt me Donald Trump dhe dy nga personat që ai ka më shumë besim. Madje, Donald Trump, gjatë fjalimit të tij pas fitores, foli me fjalë të ëmbla dhe vlerësoi shumë Usha Vance, duke e quajtur atë një grua të ëmbël, vizionare dhe një person shumë të rëndësishëm për Shtëpinë e Bardhë.

Pavarësisht arritjeve të saj, nuk kanë munguar as komentet raciste për origjinën dhe fenë e Usha Vance nga personalitete të ekstremit të djathtë apo përdorues të tjerë në mediat sociale. Por tashmë, këto komente nuk kanë rëndësi sepse Usha është “Zonja e Dytë” e Shtëpisë së Bardhë dhe disa përdorues të mediave sociale shkojnë deri aty sa thojnë se ajo ka aftësinë për të bindur burrin e saj të ndryshojë disa ligje për të drejtat e grave, siç është edhe aborti. /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

WSJ zbulon planet e Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

ZGJEDHJET- Trump nuk betohet dot deri më 20 janar, Biden i drejtohet
Foto ilustruese

UASHINGTON- Premtimi i Donald Trump për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë tani e vendos atë në një pozicion të vështirë. Gjatë gjithë fushatës së tij për Shtëpinë e Bardhë, Trump kundërshtoi mënyrën e trajtimit të Ukrainës nga presidenti Joe Biden, duke paralajmëruar se sjellja e tij po afronte Luftën e Tretë Botërore. Në fjalimet e tij, Trump ka thënë se mund ta zgjedhë konfliktin shumë shpejt, duke i sjellë të dyja palët në tryezën e bisedimeve, por mënyrën nuk e ka treguar.

“Nuk mund t'jua jap ato plane sepse nëse ju jap ato plane, nuk do të jem në gjendje t'i përdor ato,”- tha ai gjatë fushatës.

Në fakt, Trump nuk ka miratuar një plan specifik paqeje, thanë aleatët, duke përfshirë mënyrën se si ai do të bindte presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy që të uleshin në të njëjtën tryezë për të negociuar. Ndërsa këshilltarët kanë ofruar ide, vetëm presidenti i zgjedhur, në konsultim me ndihmësit kryesorë, do të vendosë se si të trajtojë diplomacinë.

“Kushdo – pavarësisht se sa i vjetër në rrethin e Trump-it – që pretendon se ka një pamje të ndryshme ose një dritare më të detajuar në planet e tij për Ukrainën, thjesht nuk e di se për çfarë po flet ose nuk e kupton,"- tha një ish ndihmës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Trump.

Ashtu si në mandatin e parë të Trump, fraksione të ndryshme janë vendosur të konkurrojnë për të ndikuar në politikën e jashtme të republikanëve. Aleatët me mendje më tradicionale si Mike Pompeo, ish-sekretari i shtetit tani në garë për të udhëhequr Pentagonin, ka të ngjarë të shtyjnë për një zgjidhje që nuk duket se do t'i japë një fitore të madhe Moskës. Këshilltarë të tjerë, veçanërisht Richard Grenell, një kandidat kryesor për të udhëhequr Departamentin e Shtetit ose për të shërbyer si këshilltar për sigurinë kombëtare, mund t'i japin përparësi dëshirës së Trump për t'i dhënë fund luftës sa më shpejt të jetë e mundur, edhe nëse kjo do të thotë të detyrojë Kievin në lëshime të rëndësishme.

Një ide e propozuar brenda zyrës së tranzicionit të Trump, e detajuar nga tre persona të afërt me presidentin e zgjedhur dhe e pa raportuar më parë, do të përfshinte premtimin e Kievit për të mos anëtarësuar në NATO për të paktën 20 vjet. Në këmbim, SHBA do të vazhdonte të pomponte Ukrainën plot me armë për të penguar një sulm të ardhshëm rus. Sipas këtij plani, vija e luftës do të mbyllej dhe të dyja palët do të pajtoheshin për një zonë të çmilitarizuar prej 800 miljesh. Kush do ta kontrollonte atë territor mbetet e paqartë, por një këshilltar tha se forcat paqeruajtëse nuk do të përfshijnë trupa amerikane dhe as nuk do të vijnë nga një organ ndërkombëtar të financuar nga SHBA, si Kombet e Bashkuara.

"Ne mund të bëjmë stërvitje dhe mbështetje të tjera, por tyta e armës do të jetë evropiane. Ne nuk po dërgojmë burra dhe gra amerikane për të ruajtur paqen në Ukrainë. Dhe ne nuk paguajmë për të. Do lëmë polakët, gjermanët, britanikët dhe francezët ta bëjnë këtë,"- tha një anëtar i ekipit të Trump.

Ky propozim në disa aspekte i bën jehonë komenteve të bëra nga zëvendëspresidenti i sapozgjedhur JD Vance gjatë një interviste në shtator, kur ai sugjeroi se një marrëveshje përfundimtare midis Ukrainës dhe Rusisë mund të përfshinte një zonë të çmilitarizuar "të fortifikuar në mënyrë që rusët të mos pushtojnë më".

Trump ka thënë se mbijetesa e Ukrainës është e rëndësishme për SHBA-në, por e ka kritikuar vazhdimisht Zelenskyy-n, duke e quajtur atë "biznesmenin më të madh". Megjithatë, Zelenskyy përgëzoi presidentin e zgjedhur për fitoren e tij./ZËRI

Marrë nga Wall Street Journal

7 MUAJ ME PARE

Pedagogu amerikan: Kurti në vështirësi nëse Grenell merr ndonjë post të lartë në administratën Trump

ZGJEDHJET- Trump nuk betohet dot deri më 20 janar, Biden i drejtohet
Edward P. Joseph

PRISHTINË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbase do të kishte dashur ta ndryshonte qasjen e tij nën administratën e presidentit Joe Biden, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë Edward P. Joseph, pedagog në Universitetin John Hopkins në SHBA, pas fitores së Donald Trump në zgjedhjet e mbajtura në SHBA më 5 nëntor. Joseph shtoi se do Kurti do të përballet me zgjidhje të vështira, veçanërisht nëse Richard Grenell, i cili ka qenë shumë kritik ndaj Kurtit, emërohet sekretar i Shtetit, apo në ndonjë pozitë tjetër të lartë në politikën e jashtme.

“Në Serbi po e festojnë fitoren e Trumpit. Richard Grenell, të cilin Trumpi e përmendi në një tubim rishtazi, ka mundësi ta mbajë një pozitë të lartë, madje edhe pozitën e sekretarit të Shtetit. Grenelli për kohë të gjatë ka pasur mospajtime me Albin Kurtin, dhe ka vazhduar me kritika edhe këtë vit”, tha Joseph.

Në vitin 2020, Kurti e kishte akuzuar Richard Grenellin, i cili gjatë administratës Trump ishte përfaqësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi ishte “drejtpërdrejt i përfshirë” në rrëzimin e qeverisë së tij më pak se dy muaj pasi mori detyrën si kryeministër. Në atë kohë, Grenell kishte thënë se Kurti ishte antiamerikan dhe se ai ka qenë kundër politikave amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët amerikanë: Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump.

“Kryeministri Kurti do të presë zgjedhjet [në Kosovë] – dhe pastaj do t’i duhet të vendosë nëse do të vazhdojë me njëanshmëri dhe shpërfillje ndaj Shteteve të Bashkuara. Ai mbase mund të kishte dëshiruar ta ndryshonte kursin nën administratën Biden. Qëndrimi më i mirë i Kurtit është ai për të cilin unë kam bërë thirrje gjithmonë: je kryeministër i të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe tregoju serbëve se Prishtina i mbron interesat e tyre më shumë se Beogradi,”- theksoi ai.

Duke komentuar kthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, Joseph tha se populli amerikan injoroi gjithçka që dinte për Trumpin.

Kjo është vërtet pika më befasuese. Është aftësia e kaq shumë mbështetësve të Trumpit për të ndarë në kategori të veçanta të kaluarën dhe skandalet e vazhdueshme të tij, si dhe fyerje dhe madje nxitjet e hapura për dhunë. Tre ditë më parë, në një tubim në Pensilvani, ai sugjeroi se nuk do t’i interesonte nëse gazetarët do të qëlloheshin me armë. E tha këtë si një ‘shaka’ — në një vend ku dhuna me armë nuk është aspak shaka. Nuk ka as zemërim dhe as shqetësim për një koment të tillë mes mbështetësve të tij. Dhe ky është vetëm një shembull”, shpjegoi ai.

Ai shton gjithashtu se, përtej kësaj, ekziston edhe e kaluara e tij në politikën e jashtme, “e cila i shpëton çdo lloj kontrolli”.

“Qasja e tmerrshme e Trumpit në negociatat për Kim Jong Un; vendimi i Trumpit për të hequr dorë nga marrëveshja bërthamore me Iranin – një vendim me gjasë vetëm për t’i bërë dëm Obamas – ishte katastrofike. Ishte Trump ai që negocioi me talebanët për të nxituar tërheqjen nga Afganistani, të cilën Biden vetë e zbatoi në mënyrë katastrofike”, tha Joseph.

Ata që votuan për Trump, sipas Joseph, si çështje që i shqetësonte më së shumti ishin ekonomia dhe emigracioni.

“Lidhur me inflacionin, politikat thelbësore të Trumpit për rritjen e tarifave posaçërisht ndaj mallrave kineze, do t’i rrisin çmimet. Kjo është poenta e tarifave: rritja e çmimit të një malli të importuar. Pra, kjo mosvazhdimësi flagrante injorohet”, përfundoi ai./REL

7 MUAJ ME PARE

'Për 24 orë e ndaloj luftën'/ Zelenskyy telefonon Trump, ç'pritet të ndodhë me konfliktin Rusi-Ukrainë

ZGJEDHJET- Trump nuk betohet dot deri më 20 janar, Biden i drejtohet
Donald Trump dhe Volodymir Zelenskyy

SHBA- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy njoftoi se mbrëmë ka pasur një bisedë telefonike me Donald Trump, presidentin e sapozgjedhur të SHBA-ve. Zelenskyy ka njoftuar në rrjetet sociale se ka uruar Trump për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale.

“Pata një bisedë të mrekullueshme me Presidentin Trump dhe e përgëzova për fitoren e tij historike dhe bindëse, një rezultat që u arrit vetëm falë fushatës së tij mbresëlënëse. Ne ramë dakord të mbajmë një dialog të ngushtë dhe të forcojmë bashkëpunimin tonë,”- ka shkruar Zelensky në Telegram. Po ashtu, presidenti i Ukrainës shtoi se udhëheqja e fortë dhe e palëkundur amerikane është e një rëndësie kyçe për botën dhe për një paqe të drejtë.

Kyiv Independent raporton se as Zelensky dhe as Trump nuk dhanë detaje shtesë në lidhje me këtë telefonatë.

Gjatë debateve të kandidatëve për presidentë, Trump tha se do ta kishte ndaluar luftën për 24 orë. 

"Do të ndaloj luftën për 24 orë, jo 24 kur të jem në detyrë, por sapo të zgjidhem. Do i bëj një telefonatë Zelenskyy-t dhe një telefonatë Putinit. E di shumë mirë se çfarë do i them secilit. Kush do fitojë luftën? Kjo nuk ka fare rëndësi. Rëndësi ka që nuk do të ketë më viktima,"-tha Trump gjatë fushatës së tij. 

Po ashtu, Trump e ka kritikuar vazhdimisht presidentin ukrainas gjatë fushatës zgjedhore, duke e quajtur atë një “tregtar shumë të suksesshëm” që vjen në SHBA dhe merr para./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Raportet Trump-Kosovë: Çfarë ishin dhe ç'mund të pritet

ZGJEDHJET- Trump nuk betohet dot deri më 20 janar, Biden i drejtohet
Foto ilustruese

SHBA- Nga marrëveshja ekonomike ndërmjet Kosovës e Serbisë, njohja nga Izraeli, deri te mospajtimet politike dhe akuzat – janë ngjarjet që shënuan raportet e Kosovës me administratën e kaluar amerikane me në krye Donald Trump, 2016-2020. Tani që Trump u zgjodh për mandatin e dytë, njohësit politikë në Kosovë dhe të huaj, kanë qëndrime të ndara për ndikimet që kjo administratë do të ketë mbi Kosovën.

Afrim Hoti, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, është optimist se Trump sjell një “mundësi pozitive për Kosovën dhe rajonin”. Ndërsa për Toby Vogel, nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit në Berlin “as edhe një gjë pozitive” për Ballkanin nuk mund të vijë nga zgjedhja e Trumpit.

Normalizim ekonomik dhe konflikte politike

Gjatë mandatit të parë të Donald Trump si President i SHBA-së (2016-2020), administrata e tij u përqendrua fuqimisht në atë që e quajti “normalizim ekonomik” të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Synimi kryesor, sipas kësaj administrate, ishte që bashkëpunimi ekonomik t’i vendoste “në plan të parë përfitimet e qytetarëve, duke i ulur tensionet politike në rajon”. I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, luajti një rol kyç në këtë përpjekje, duke theksuar se mungesa e një marrëveshjeje të tillë përbënte një pengesë të madhe për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve dhe për tërheqjen e investimeve të huaja.

Në katër vjetët sa president i SHBA-së ishte Trumpi, në Kosovë u ndërruan tre kryeministra: Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Një moment i rëndësishëm i ndërmjetësimit të administratës Trump, në marrëdhëniet Kosovë- Serbi ndodhi më 4 shtator 2020, kur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, dhe kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, e nënshkruan Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve Ekonomike në Shtëpinë e Bardhë.

Marrëveshja përfshinte projekte konkrete infrastrukturore si autostrada e Paqes Prishtinë-Merdare dhe një linjë hekurudhore në të njëjtën rrugë, për të lehtësuar lëvizjen dhe tregtinë mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithëse projekti i autostradës vazhdoi në të dy anët, ai mbetet ende i papërfunduar tërësisht.

Një element tjetër kyç ishte studimi i fizibilitetit për liqenin e Ujmanit, i cili shtrihet në kufirin Kosovë-Serbi. SHBA-ja e përfundoi këtë studim në qershor të vitit 2021 dhe propozoi një model të përbashkët menaxhimi. Grenell, madje, sugjeroi që liqeni të riemërohej “Liqeni Trump”, një propozim i cili mori mbështetje nga Hoti dhe zyrtarët serbë, edhe pse pati reagime të përziera nga publiku.

Gjithashtu, Grenell ndërmjetësoi një marrëveshje në janar të vitit 2020 ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe kompanisë gjermane Lufthansa për të krijuar një linjë ajrore direkte Prishtinë-Beograd. Trump e përshkroi këtë si “një tjetër fitore,” por linja ende nuk është realizuar në praktikë.

Ndërmjetësimi i Trumpit i solli Kosovës edhe njohjen nga shteti i Izraelit. Ndryshe nga kjo periudhë, marrëdhëniet e administratës Trump dhe në veçanti të Grenellit me Albin Kurtin ishin të tensionuara. Kurti, kur mori për herë të parë detyrën në fillim të vitit 2020, përplasej shpesh me Grenellin, i cili e kritikoi publikisht, duke e cilësuar Kurtin si “antiamerikan” dhe duke e akuzuar se i kishte kundërshtuar politikat amerikane të sugjeruara nga ish-presidentët Bill Clinton, Barack Obama dhe Donald Trump.

Tensionet kulmuan në marsin e 2020-tës kur Qeveria e Kurtit u rrëzua nëpërmjet një mocioni mosbesimi, për të cilin Kurti pretendoi se ishte orkestruar me mbështetjen e Grenellit.

Një nga pikat e tensioneve ishte edhe një tarifë doganore prej 100 për qind ndaj mallrave me origjinë nga Serbia e vendosur nga Qeveria Haradinaj më 2018. Sipas Kurtit, Grenell kërkoi heqjen e tarifës pa masa reciproke, gjë që Kurti e kundërshtoi fuqimisht. Kurti gjithashtu akuzoi Grenellin për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në krizën politike në Kosovë, duke thënë se ai kishte propozuar një marrëveshje me Serbinë për këmbim territorial dhe se një marrëveshje e tillë “nuk mund të ishte një marrëveshje paqeje”. Grenell, nga ana e tij, e përshkroi Kurtin si një “problem” dhe vazhdoi të argumentonte se qasja e tij ishte e nevojshme për t’i avancuar interesat amerikane në Ballkan.

Edhe pas përfundimit të mandatit të parë të Trumpit, kritikat e Grenellit ndaj Kurtit nuk kanë reshtur. Në verën e vitit 2023, Grenell komentoi mbi veprimet e Kurtit në veriun e Kosovës, sidomos në komunat me shumicë serbe, duke i cilësuar si veprime që rrezikonin stabilitetin e rajonit. Administrata aktuale e SHBA-së nën udhëheqjen e presidentit Joe Biden, gjithashtu, ka kritikuar disa nga veprimet e njëanshme të Kurtit veçanërisht në veri të vendit, duke i cilësuar si të dëmshme për marrëdhëniet me Uashingtonin.

Në gusht, Grenell kritikoi ashpër Kurtin në rrjetet sociale, duke theksuar se “Kurti është problem”. Pavarësisht kësaj, kryeministri aktual, Albin Kurti e uroi Trumpin për fitoren duke thënë se mezi pret “të punojmë së bashku për përparim dhe paqe“.

Edhe liderë të partive opozitare në Kosovë e kanë uruar Trumpin për fitoren në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Mandati i dytë, “pozitiv ose shumë negativ”

Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, profesori Afrim Hoti nga Universiteti i Prishtinës e konsideron zgjedhjen e Donald Trumpit president të SHBA-së si një zhvillim pozitiv për Kosovën dhe Ballkanin. Hoti beson se administrata e Trumpit mund të sjellë energji të reja në marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën dhe rajonin.

“Unë dua të besoj se kushdo që i udhëheq institucionet e Kosovës duhet të jetë i vetëdijshëm se ka pak rëndësi fakti se kush e udhëheq Shtëpinë e Bardhë. Pra, cila administratë udhëheq SHBA-në, sepse si me njërën, ashtu edhe me tjetrën, institucionet tona kanë pasur raporte të ngushta”.

Hoti, gjithashtu, shton se Kosova duhet të forcojë përpjekjet e lobimit me SHBA-në për të ruajtur këtë marrëdhënie të rëndësishme, pasi sipas tij ky lobim është rritur shumë në Serbi.

"Tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe tashmë serbët janë në ofensivë, ata po lobojnë me të madhe. Përfundimisht, institucionet tona duhet të jenë të vetëdijshëm për këto veprime dhe ta ripozicionojnë vendin karshi SHBA-së", thotë Hoti.

Në anën tjetër, Toby Vogel parashikon se Ballkani nuk do të jetë shumë lart në agjendën e Trumpit, por beson se çfarëdo ndikimi që administrata e tij do të ketë në rajon, “nuk do të jetë pozitiv”. Më konkretisht, ai përmend mundësinë e ringjalljes së skemës së "këmbimit të territoreve," ku Serbia mund të aneksojë veriun e Kosovës dhe që, sipas tij, nuk mund të përfundojë paqësisht.

"Evropianët nuk janë të gatshëm ta kundërshtojnë këtë – në fakt, herën e fundit kur u diskutua seriozisht kjo ide ishte nën iniciativën e shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, dhe më pas u mor nga administrata e Trump", thotë Vogel.

Përveç kësaj, ai paralajmëroi se kryeministri kosovar, Kurti, dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, mund të përpiqen të krijojnë “fakte në terren,” veçanërisht në veri të Kosovës dhe se "Kurti mund të ndihet i detyruar të veprojë para inaugurimit të Trumpit dhe zgjedhjeve në Kosovë në shkurt". Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe ka qenë në vazhdimësi vatër e tensioneve në Kosovë meqë në atë zonë kundërshtohet pavarësia e Kosovës. Një sulm i fundit i armatosur në shtator të vitit 2023, la të vrarë një polic të Kosovës.

Megjithatë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ishte ndër të parët në rajon që ia uroi fitoren Trumpit, dhe rezultatit zgjedhor iu gëzuan edhe qytetarë serbë në veri të Kosovës./REL

7 MUAJ ME PARE

Kujt do i besojë Donald Trump? Presidenti i ri nis nga puna, duhet të zgjedhë ekipin

ZGJEDHJET- Trump nuk betohet dot deri më 20 janar, Biden i drejtohet
Donald Trump

SHBA- Donald Trump u zgjodh presidenti i 47-të i SHBA-së në zgjedhje dhe tani duket se ka nisur menjëherë nga puna. Mediat amerikane raportojnë se Trump ka nisur nga përgatitjet që të zgjedhë njerëzit "kyç" që do ta ndihmojnë  në administratën e ardhshme presidenciale. Kjo pasi edhe presidenti aktual Joe Biden, edhe kundërshtarja e tij, Kamala Harris i premtuan një transferim paqësor të pushtetit. 

Trump është zgjedhur president, por ai do të marrë detyrën vetëm në një ceremoni që do të mbahet para Shtëpisë së Bardhë në Uashington në janar. Pra Donald Trump ka siguruar rikthimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, ai nuk është ende zyrtarisht president - dhe do të duhen më shumë se dy muaj para se të kthehet në Zyrën Ovale.

Trump pritet që të betohet si president pas datës 20 janar dhe Joe Biden do të qëndrojë në pushtet deri atëherë - megjithëse ai do të jetë shumë i kufizuar politikisht.

Në këto zgjedhje Trump ka marrë gjithsej më shumë vota se Kamala në nivel të gjithë Amerikës dhe e ka kaluar atë edhe për nga numri i votave kyçe elektorale, që ka mbledhur deri më tani, 295 kundrejt 226 të saj. Ai fitoi pesë nga shtatë shtetet që ishin vendimtare në këto zgjedhje dhe kryeson në Nevada dhe Arizona, dy shtetet e vetme që nuk kanë shpallur ende fitues.

Përveç fitores së Trump, republikanët rifituan edhe kontrollin e Senatit, dhe po kryesojnë në garën për Dhomën e Përfaqësuesve./ZËRI

Poll

MOS HUMB