Kurum, bomba me kurdisje në Elbasan

ELBASAN- Kompania më e madhe e hekurit në Turqi, ‘Kurum Demir’ është kthyer sot në një burim rreziku jo vetëm për punonjësit dhe fikësit e zjarrit, por edhe për të gjithë qytetarët në Elbasan. Një shpërthim i ndodhur nga një bombul gazi ka ndezur një zjarr që vazhdon prej më shumë se 10 orësh, duke lëshuar shtëllunga tymi në qytet. Vetë drejtuesi teknik i sigurisë së fabrikës 'Kurum', Mërkur Çipi ka pranuar se tymi që del nga zjarri është i dëmshëm për të gjiithë qytetarët, por në asnjë moment nuk mori asnjë përgjegjësi. Por edhe pse zjarri ra sot, alarmi është dhënë shumë kohë më parë.
Më 26 Tetor 2021 u zbulua se kompania turke, në burimin kryesor ka fshehur procedurat e falimentimit duke u përfshirë në një skandal financiar për tjetërsimin e aseteve në mënyrë që t’i shpëtonin sekuestrimit në vendin amë. Bazuar në një artikull të “Pamfletit” shkruhet se për llogari të mashtrimit të kompanisë mëmë në Turqi, ‘Kurum’ në Shqipëri ka hartuar bilance të rreme në 5 banka të nivelit të dytë në vendin tonë, duke u marrë 210 milionë euro kredi. Lëvizja u mësua nga mediat turke, madje ‘SABAH’ bëri dhe një investigim lidhur me kreditë e marra, por jo vetëm që askush nuk u vu në lëvizje, madje ‘Kurum’ vazhdoi me mbledhjen e metaleve dhe prodhimin e hekurit në vendin tonë.
Ndërkohë që në Turqi ka nisur një proces masiv penal ndaj drejtuesve të Kurum, të cilët akuzohen për pastrim parash, mashtrim me pasoja të rënda etj. Të gjithë janë kallëzuar nga 14 banka turke, ndërkohë që në Shqipëri askush nuk “lëviz gishtin” që prej vitit 2013.
Po si u bë Kurum në Shqipëri pjesë e mashtrimit të madh në Turqi?
Kompania mëmë “Kurum” ia faturonte një pjesë të humbjeve të saj, filialit në Shqipëri “Kurum International SHA”, për të mashtruar bankat atje, ndërkohë që u merrte pa problem kreditë. Kompania aplikoi tek autoritetet e taksave dhe tatimeve për të shtyrë falimentin, ndërsa shiti pronat e saj tek kompanitë e tjera të hapura nën emrin e të afërmve të Hasmet Bedii Kurum, pronarit të kompanisë. I gjithë qëllimi ishte që kur kompania të “falimentonte”, pronat të ruheshin dhe bankat të mos kishin se çfarë të sekuestronin. Në Shqipëri, kjo kompania ka marrë jo pak por 210 milionë euro borxh në banka, të cilat tani s’kanë ç’të sekuestrojnë. Dega në Shqipëri ka si administratorë Erdal Demir dhe Lindita Kikino, ndërkohë që pronarë tashmë rezultojnë shtetaset truke Melis dhe Selin Kurum, të dyja me 50 % të aksioneve, por që në të vërtetë pas tyre qëndron Hasmet Bedii Kurum.
Përveç përfitimit nga bankat, në Shqipëri kompania është akuzuar edhe për ndotje të mjedisit me pasoja të rënda, shitje të skrapit në mënyrë të paligjshme, afera korruptive etj. Madje, kompania i kërkon shtetit shqiptar 100 milionë euro për çështjen koncesionit të terminalit të kontenierëve në Portin e Durrësit.
Çështja kundër Shqipërisë është regjistrua në 23 shtator në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjes së Investimeve, ICSID, në Uashington. Megjithatë "flamujtë e kuq" janë ngritur edhe më tej. Më 18 mars të vitit 2022, "Reporter.al" investigoi sigurinë në punë pikërisht në këtë kompani. Sipas të dhënave të Inspektoriatit të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, nga viti 2015 deri në korrik të vitit 2021, në Elbasan janë regjistruar 19 aksidentë në punë në sektorin e industrisë së rëndë. Pavarësisht se u sanksionuan me gjobë, sërish duket se asgjë nuk ndryshoi. Edhe sot, kur në kantierin e punës shpërtheu bombula e gazit, dikush ose disa punëtorë mund të ishin lënduar. Kush do të kishte mbajtur përgjegjësi për ta? Anashkalimin e masave të sigurisë në punë, tani do të duhet që ta vuajnë mijëra qytetarë të Elbasanit që edhe njëherë duhet të rrëmojnë nga sirtarët e tyre maskat, kësaj herë për t'u mbrojtur nga armiku i dukshëm. Mbi kokat e tyre, që djeg e djeg çdo ditë.../Zëri.ai
VIDEO/ 11 orë në luftë me flakët! Kurum-i ende digjet!

ELBASAN- Zjarri në pikë e grumbullimit të skrapit në Elbasan vijon të jetë aktive, pas 11 orësh. Siç shihet në pamjet e siguruara nga Zëri.ai, zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Një shtëllungë e zezë tymi, ka pushtuar zonën, duke shkaktuar ndotje.
Zjarri ka nisur paraditen e sotme rreth orës 11:00. Policia, zjarrfikësja dhe punëtorët e kompanisë “Kurum” po punojnë për zhvendosjen e mbetjeve dhe izolimin e flakëve. Grupi hetimor vijon të punojë për të dokumentuar ligjërisht shkakun e zjarrit. Në njoftimin zyrtar policia raportoi se flakët kanë nisur nga një shkëndijë, kjo e krijuar nga fërkimi i mbetjeve metalike tek depozitimi, para se metalet të hyjnë në furrën e hekurit. Ndërkohë drejtori i fabrikës, deklaroi se flakët nisën nga shpërthimi i një baterie. Hetimet ende vazhdojnë./Zëri.ai
Siguria 0! Drejtuesi i 'Kurum', Mërkur Çipi: Shpërtheu një bateri, tymi i dëmshëm

ELBASAN- Drejtuesi teknik i sigurisë së fabrikës 'Kurum', Mërkur Çipi ka pranuar se tymi që del nga zjarri është i dëmshëm. Në një intervistë për mediat që ndodhen në Elbasan, Çipi tha se zjarri ka nisur nga një shkëndijë që nisur nga një bateri. Sipas tij, ngjarja aksidentale është një fatkeqësi, duke theksuar gjithashtu se tymi që çlirohet padyshim është i dëmshëm për shëndetin e qytetarëve të Elbasanit.
“Kjo ngjarje ka ndodhur aksidentalisht nga një bateri që është ndodhur në thellësi të grumbullit të skrapit. Nga shkëndija që ka marrë atje, në orën 10:25 ka dhënë një shkëndijë tymi në lartësinë e skrapit. Unë mendoj se kjo ngjarje aksidentale është një fatkeqësi për 'Kurumin” dhe të gjithë ne. Momentalisht po digjen materiale plastike, të cilat ndodhen brenda skrapit. Tymi që çlirohet padyshim është i dëmshëm për shëndetin, por nuk është bërë qëllimisht. Është hera e parë që ndodh një ngjarje e tillë. 95% e flakëve në zonë u vu nën kontroll, por nga një shpërthim i një bombule gazi ndodhi një shpërthim që shkaktoi flakë në një tjetër zonë të skarapit,"-tha Çipi.
Flakët kanë më shumë se 8 orë që janë aktivizuar, por ende nuk janë vendosur nën kontroll. Nëse për zjarrfikësen, shkaku i zjarrit është ende herët që të zbulohet, Policia e Elbasanit ka vepruar ndryshe. Sipas tyre, flakët kanë nisur nga një shkëndijë, kjo e krijuar nga fërkimi i mbetjeve metalike tek depozitimi, para se metalet të hyjnë në furrën e hekurit. Por hetimet ende vazhdojnë./Zëri.ai
VIDEO- Zjarri në Metalurgjik, shtëngulla tymi mbulojnë qytetin

ELBASAN- Zjarri i rënë në pikën e grumbullimit të skrapit në fabrikën e Kurumit në Elbasan vijon prej orës 11:00. Në pamjet e siguruara nga Zëri.ai, pak para se të binte errësira shtëngullat e tymit duken prej zonave të banuara. Siç shihet edhe në pamjet e mëposhtme tymi është përhapur në gjithë qytetin e Elbasanit duke krijuar ndotje alarmante.
Policia, zjarrfikësja dhe punëtorët e kompanisë “Kurum” po punojnë për zhvendosjen e mbetjeve dhe izolimin e flakëve. Grupi hetimor vijon të punojë për të dokumentuar ligjërisht shkakun e zjarrit. Sipas drejtuesve të fabrikës Kurum, ka një sasi të konsiderueshme të vajit të makinave dhe si pasojë është e vështirë vendosja në kontroll e flakëve./Zëri.ai
VIDEO- Elbasani 'kuq' nga zjarri tek Metalurgjiku

ELBASAN- Zëri.ai ka siguruar pamje nga zjarri që ka nisur prej më shumë se 8 orësh në fabrikën e Kurumit, ish-Metalurgjiku i Elbasanit.
Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga "Zëri.ai", e gjithë zona ka marrë ngjyrë të kuqe prej flakëve që vazhdojnë ende me intensitet maksimal, ndërkohë që shtëllungat e tymit kanë pushtuar të gjithë qytetin. Nga terreni duken pamjet e zjarrfikësve që prej orësh tashëm punojnë për shuarjen e flakëve, por ende nuk ia kanë dalë.
Drejtuesi i Shërbimit Zjarrfikës në Elbasan, Emirjon Sota në një prononcim për "Zëri.ai" ka dhënë detaje lidhur me situatën e zjarrit në fabrikën "Kurum", duke shtuar se po punojnë me të gjithë forcat e Zjarrfikëses së Elbasanit, por edhe të qyteteve të tjera që kanë shkuar në ndihmë, për të fikur zjarrin. Megjithatë theksoi se flakët janë ende intensive.
Kurum International është kompani Turke e vendosur në Shqipëri dhe është e specializuar në prodhimin e hekur-çeliqeve. Kompania me bazë në Turqi aktualisht vepron në ambientet e privatizuara të Uzinave të Prodhimit të Hekur-Çeliqeve në Elbasan që prej vitit 2009./Zëri.ai
Zjarri tek Metalurgjiku, drejtuesi i zjarrfikësve për "Zëri.ai": Flakët ende intensive, frikë nga pajisjet

ELBASAN- Drejtuesi i Shërbimit Zjarrfikës në Elbasan, Emirjon Sota në një prononcim për "Zëri.ai" ka dhënë detaje lidhur me situatën e zjarrit në fabrikën "Kurum". Ndërkohë që zjarri ende vazhdon prej më shumë se 8 orësh, Sota tha se aktualisht në fabrikë po punojnë 8 mjete zjarrfikëse me 25 efektivë, e po ashtu edhe 2 autobote. Ndihmë u ka ardhur nga Cërriku, Belshi, Tirana dhe Fieri. Sipas drejtuesit të shërbimit zjarrfikës, nuk përjashtohet mundësia që nga zjarri të ketë shpërthime, pasi tek metalet që futen për t'u shkrirë janë edhe pajisje që janë shitur për "skrap". Për të, pajisjet janë më të rrëzikshmet, megjithatë sqaroi se deri më tani nuk ka ndodhur asnjë shpërthim që mund të rrezikojë jetën e tij dhe të kolegëve që po punojnë bashkë me të.
"Aktualisht në vendin e ngjarjes janë 8 mjete, 2 autobote dhe 25 efektivë. Kemi ndihmë nga Cërriku, Belshi, Tirana dhe Fieri. Po punojmë për minimizimin e flakëve, por rreth e rrotull nuk ka banesa. Situata vazhdon që të jetë me intensitet të lartë. Besoj që në vazhdim flakët do të shuhen, po punojmë. është një zjarr i një lloji të veçantë nga vetë lënda që po digjet. Janë mbetjet e metaleve. Deri më tani nuk ka pasur shpërthime dhe as lëndime. Por nuk përjashtohet mundësia, pasi në brendi të metale ka edhe materiale, mund të ketë pajisje jashtë funksionit. Zjarri është në brendësi të grumbullit të mbetjeve, ndërkohë që jemi ende duke punuar aktualisht për shuarjen e flakëve. Sa i përket shkakut të zjarrit, është ende herët për të folur,"-tha Sota për "Zëri.ai".
Flakët kanë më shumë se 8 orë që janë aktivizuar, por ende nuk janë vendosur nën kontroll. Nëse për zjarrfikësen, shkaku i zjarrit është ende herët që të zbulohet, Policia e Elbasanit ka vepruar ndryshe. Sipas tyre, flakët kanë nisur nga një shkëndijë, kjo e krijuar nga fërkimi i mbetjeve metalike tek depozitimi, para se metalet të hyjnë në furrën e hekurit. Por hetimet ende vazhdojnë./Zëri.ai
Tjetër shpërthim në Elbasan

ELBASAN- Vetëm dy orë nga shpërthimi i parë një tjetër shpërthim ka ndodhur në pikën e grumbullimit të skrapit në Elbasan. Si pasojë e shpërthimeve mund të rrezikohen zjarrfikësit dhe punonjësit e tjerë të firmës të cilët janë duke punuar për hapjen e mbetjeve.
Situata si duket është jashtë kontrollit, pasi nga një vatër e vogël zjarri po vijon të përhapet. Mësohet se në vendngjarje kanë mbërritur zjarrëfikese nga i gjithë qarku i Elbasanit. Gjithashtu raportohet se ngjitur me vendgrumbullimin e skrapit ndodhet fabrika e çelikut, duke rritur rrezikun për më shumë dëme.
Ndërkohë policia me një njoftim zyrtar në lidhje me zjarrin raportoi se në zonë po bëhet e mundur zhvendosja e mbetjeve, për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe të tymit.
Shpërthim në Metalurgjikun e Elbasanit, Policia: U shkaktua nga një shkëndijë

ELBASAN- Një shpërthim i fortë ka tronditur Elbasanin këtë paradite. Zëri.ai mëson se shpërthimi ka nisur në zonën e Metalurgjikut. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha dhe në vendin e ngjarjes kanë mbërritur disa auto-ambulanca. Policia e Elbasanit ka dhënë informacion zyrtar në lidhje me zjarrin që përfshiu paraditen e së hënës, një vend grumbullimi të skrapit në ish zonën e Metalurgjikut në Elbasan. Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka rënë nga një shkëndijë e krijuar si pasojë e fërkimit të mbetjeve metalike.
Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar dhe policia ka bërë të mundur zhvendosjen e mbetjeve, për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe të tymit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 11:15, dyshohet se nga një shkëndijë e krijuar si pasojë e fërkimit të mbetjeve metalike, ka rënë zjarr në një pikë për grumbullimin e skrapit, në zonën e ish-kombinatit metalurgjik, në Bradashesh. Nuk ka shtetas të dëmtuar nga flakët.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe me punonjësit e kompanisë që ka në pronësi pikën për grumbullimin e skrapit, kanë bërë të mundur zhvendosjen e mbetjeve, për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe të tymit. Ndërkaq, grupi hetimor vijon të punojë për të dokumentuar ligjërisht shkakun e zjarrit.