Arrestimi i Berishës, Gjokutaj kërkon sërish përjashtimin e gjyqtares

TIRANË- Avokati mbrojtës i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, ka folur pas seancës së sotme në Gjykatën e Posaçme, ku u shty sërish vendimi për masën e sigurisë ndaj liderit historik të demokratëve. Gjokutaj u shpreh gjatë fjalës së tij, se Berisha nuk mund të trajtohet njësoj si trafikantët e zakonshëm, ndërsa kërkesa e tyre për një seancë me praninë e mediave u rrëzua.
Avokatët e Berishës kanë kërkuar për herë të dytë përjashtimin e gjyqtares Gjoka, me pretendimin se ajo ka rrëzuar kërkesat e tyre gjatë ditës së sotme.
“Gjykata nuk e pranoi kërkesën duke thënë se hetimi është sekret. Faktet e kësaj dosjeje kanë dalë në media dhe është shuar kurioziteti për këto. Kërkuam që çështja të shkojë në GJK pasi kjo e fundit e ka lënë të pagjykuar në themel. Në mungesë të gjykimit kushtetues ne kërkuam të shkojë në GJK. Pa mbaruar mirë ne vinte vendimi i gjykatës me autorizimin e Ramës dhe mazhorancës.
Parashtrimi jonë qe shumë i gjatë. Për gjithë këto shkelje dhe rrëzim kërkesash ne kërkuam për së dyti përjashtimin e gjyqtares pasi ajo relatoi se kërkesa jonë për përjashtimin e gjyqtares për shkak të shkarkimit nga Berisha, ky vendim është rrëzuar. Gjykata e shtyu nesër në orën 3 për shpallje, pasi e di që edhe kjo kërkesë e përjashtimit do të rrëzohet.
Të gjitha kërkesat tona janë rrëzuar. Ligji thotë se kur ngrihet kërkesa për përjashtim gjykata nuk mund të marrë apo japë vendim. Shqyrtohet kërkesa njëherë pastaj jepen vendimet. Këto janë të sigurta që do të rrëzohen. Argumentet ne i kemi parashtruar te gjykata.
E drejta e fjalës në cilësinë e liderit të opozitës, gjykata duhet të vlerësojë gjithë rrethanat, edhe personin me të cilin ka të bëjë. Nëse gjykata do veprojë me Berishën si me trafikantët, po bën një gabim të rëndë. Kjo gjykatë sot ishte e barabartë me gjykatat partizane”, u shpreh ai.
/ZËRI
Arrestimi i Berishës, GJKKO nuk merr as sot vendim

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka shtyrë për nesër në orën 15:00, dhënien e vendimit për masën e sigurisë në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha. Burime bëjnë me dije për Zërin se seanca do të mbahet nesër në orën 15:00 ku pritet të jepet edhe vendimi final.
Gjatë seancës së sotme u rrëzuan dy kërkesa të avokatëve të Berishës, e para për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka dhe e dyta për praninë e mediave në sallë.
SPAK ka kërkuar masën e sigurisë arrest shtëpie nën mbikëqyrje policore për Sali Berishën.
Kërkesa për ashpërsimin e masës së sigurisë ndaj Berishës erdhi pasi ky i fundit kundërshtoi si antikushtetuese masat e mëparshme të detyrimit për paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë shtetit, duke mos i zbatuar ato. Kodi i Procedurës Penale parashikon zëvendësimin e masës në raste të tilla.
Berisha ka mohuar akuzat për korrupsion dhe ka deklaruar në vazhdimësi se procesi kundër tij është porositur nga kundërshtari politik, kryeministri Edi Rama.
Në 21 tetor të këtij viti, SPAK arrestoi Jamarbër Malltezin, dhëndër i ish-kryeministrit Sali Berisha, si person i dyshuar se ka përfituar miliona euro në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë, në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha./ZËRI
SPAK kërkon arrestimin, GJKKO rrëzon Berishën për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e Sali Berishës për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me pretendimin se ka konflikt interesi pasi e ka shkarkuar vite më parë nga detyra.
“Personi nën hetim Sali Berisha nëpërmjet mbrojtësve të tij ka paraqitur kërkesën për përjashtimin e trupit gjykues që shqyrton kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me objekt: zëvendësimin e masës së sigurimit. Kjo kërkesë iu kalua për shqyrtim gjyqtarit të gatshëm, i cili në përfundim të gjykimit vendosi rrëzimin e kërkesës”,-thuhet në vendim.
Ndërkohë sot zhvillohet seanca për shqyrtimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” me mbikëqyrje Policore, të kërkuar nga SPAK, për ish-kryeministrin Sali Berisha./ZËRI
A jetoni me babanë tuaj? Shkëlzen Berisha: Do bëj çmos për ta takuar

TIRANË- Shkëlzen Berisha ka folur sot me gazetarët, në lidhje me masën e sigurisë arrest shtëpie që SPAK ka kërkuar për babanë e tij. Berisha u pyet se si do e takojë ish-kryeministrin në rast se pranohet kërkesa e SPAK, që atij t'i ndalohen takimet me personat që nuk jetojnë me të. Shkëlzen Berisha tha se do të bëjë çdo përpjekje për të takuar babanë e tij, me të cilin tha se komunikon, por nuk e dikton në vendimmarrjen e tij politike.
SPAK ka kërkuar që zoti Berisha të mos takohet me askënd tjetër përveç atyre që jetojnë me të në banesë. A do takoni babain tuaj?
Berisha: Ky është një vendim grotesk, më jepni një vend jo në Europë, porn ë botë, që lideri i opozitës mbahet në arrest, pa akuzë. Donald Trump ka 34 akuza dhe vijon i lirë, qëllimi politik është jashtëzakonisht u qartë. Zonjë ju e dini më mirë se sa unë, që ka ardhur sa herë që është kërkuar në prokurori, më vjen keq se sdua të bëj unë mbrojtjen e tij. Qartazi masa ka qenë në shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Më thoni një emër deputeti që i është hequr imuniteti pa prova shoqëruese. Tani unë do bëj çdolloj përpjekje që të takoj babain tim.
A e keni këshilluar babanë tuaj?
Berisha: Unë flas me babanë tim, por vendimet politike janë të tijat. Babai im nuk i është shmangur gjykatës.
/ZËRI
Sali Berisha, "Gërdeci" dhe ‘vula e PD’-së/ 3 ‘patatet e nxehta’ që ka në dorë sot drejtësia

TIRANË- Këtë të mërkurë sistemi i drejtësisë pritet që të përballet me tre çështje të nxehta, në disa shkallë të tij, që lidhen ngushtësisht me politikën.
Ish-kryeministri Sali Berisha dhe djali i tij Shkëlzen Berisha do të paraqiten të dy përpara gjyqtares së posaçme Irena Gjoka ditën e sotme. Në orën 09:00 do të zhvillohet seanca gjyqësore për dosjen Gërdeci, për të cilën është marrë i pandehur ish-ministri Fatmir Mediu.
Për këtë gjë, do të dëshmojë djali i kryedemokratit, i cili pritet të japë llogari për faksin me mbishkrimin “për Shkëlzenin”. Në seancën e javës së kaluar, Shkëlzen Berisha nuk u paraqit, me pretendimin se SPAK nuk i kishte gjetur adresën për ta njoftuar zyrtarisht.
Dy orë më vonë nga seanca për Gërdecin, në 11:00 do të jetë seanca ku do të caktohet masa e sigurisë për kryedemokratin Berisha. SPAK ka kërkuar ‘arrest shtëpie’ për ish-kryeministrin, nën mbikëqyrje policore. Paralelisht me seancën ku do të njihet me masën ndaj tij, Berisha ka thirrur një protest përpara Gjykatës së Lartë, e cila do të shprehet se kush ka të drejtë ligjërisht për të drejtuar Partinë Demokratike.
Vetë Berisha pritet të qëndrojë në krye të kësaj proteste, ndërkohë që në seancën në GJKKO do të përfaqësohet nga avokatët e tij Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi.
Avokatët e tij kanë kërkuar në seancën e djeshme përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, me pretendimin se kjo e fundit është shkarkuar nga Berisha në kohën kur ai drejtonte KED, në vitin 1996. Megjithë pretendimet e Berishës, vetë gjyqtarja nuk ka dhënë dorëheqjen nga çështja, ndërsa sot pritet që të ketë dhe një vendimmarrje mbi kërkesën e SPAK. Gjokutaj tha dje se kjo që po i bëher Berishës është një hakmarrje e pastër, që synon izolimin e tij politik. /ZËRI