60' me socialistët/ Rama ndan punët. Spiropali në Kamëz, Vorë, Rrogozhinë dhe Kavajë. Balla do 'asistohet' nga Kuko dhe Hasani

TIRANË- 1 orë ka mjaftuar që kryeministri Edi Rama të ndante porositë për Kryesinë e re të Partisë Socialiste, e cila u zgjodh nga Asambleja Kombëtare e PS-së. Në fjalën e tij, Rama ka kërkuar punë, disiplinë dhe seriozitet në përmbushjen e objektivave që kryesocialisti vendosi të dielën për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në vitin që vjen.
Po ashtu, Rama ka lënë edhe porositë se si do të ndahet puna mes tre drejtuesve politikë të Tiranës, kryebashkiakut të kryeqytetit Erion Veliajt, Elisa Spiropalit dhe Ogerta Manastirliut. Puna mes tyre do të ndahet në këtë mënyrë: Manastirliu do të merret me organizimin në strukturën e partisë në Bashkinë Tiranë; Spiropali do të merret me strukturat në Kamëz, Vorë, Rrogozhinë dhe Kavajë. Ndërsa Veliaj do të jetë drejtues dhe përgjegjës për të gjithë qarkun.
Në ndihmë të Taulant Ballës, që do të jetë drejtues politik për diasporën, do të jetë edhe Romina Kuko. kjo e fundit bashkë me kryediplomatin Igli Hasanin do të organizojë punën dhe takimet me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit. Pas përfundimit të mbledhjes, ndryshe nga sa ndodh zakonisht, kreu i qeverisë nuk mbajti asnjë fjalë për mediat./ZËRI
"PS 2030'/ Rama vendos objektivat: Dua 1 milionë votues

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, teksa ka prezantuar platformën ‘Deputeti që Duam’ ka vendosur edhe objektivat e tij. Në fjalën e tij nga selia e Partisë Socialiste, Rama tha se tashmë me përfshirjen e votës së diasporës, kërkon që deri në 2023, PS të ketë 1 milionë zgjedhës aktivë. Ndër të tjera, kreu i socialistëve tha se Partisë Socialiste i duhet një energji edhe më e madhe.
"Sot ne nuk matemi ku ishim, matemi ku duam të jemi në 2030. Ndaj na duhet një energji ende më e madhe, një PS që të jetë pasqyra ambicieje jo thjeshtë të vetvetes por të shoqërisë për Shqipërinë. Ne duhet një parti që të jetë një parti pasqyrë e të gjithë forcave të progresit në vend, të mishëruara në fytyrën, mendjen dhe shpitin e të gjithë atyre që janë pjesë e këtyre forcave. Forcave të sipërmarrjes, universitare, të forcave të punës në fshat, të cilat në një pjesë të konsiderueshme janë forca mbështetëse të PS. Zgjedhësit tanë janë mbi 700 mijë, ambicia jonë është që në të synojmë që PS 2030 të jetë partia e 1 milion shqiptarëve aktivë. Jemi gati tu presim krah hapur dhe t’ju ofrojmë drejt destinacionit që mendoni për vetën tuaj. Besoj që në fund të këtij procesi mund të kemi qindra aplikantë. Numri i deputetëve të skuadrës së PS është shumë më i vogël se ky numër. Beteja e pranverës së ardhshme dhe përpjeka për tu ngritur drejt majës së 2030, ka nevojë për më shumë njerëz se grupi parlamentar,"-tha Rama.
Po ashtu, shtroi edhe arsyet se përse qytetarët duhet t'i bashkohen politikës.
"Nuk mjafton të thuash që të gjithë janë njësoj që të shpëtosh nga politika. Politika do apo nuk do ti merret me ty. Prandaj sa më shumë duar të afta dhe të pastra të marrin në dorë vendimmarrjen aq më gjëra të mira mund të bëjë politika. Duke ikur, duke i kthyer kurrizin, duke i qëndruar larg nuk i shpëton. Duke iu afruar dhe duke i qëndruar afër, padiskutim që sjell ndryshimin për të mirën e të gjithëve. Sot jemi në pikën kur alternativa e qeverisjes së PS, apo alternativat ushqehen nga urrejtja ndaj nesh, nga mllefi, apo nga të dyja këto bashkë,"-shtoi kryesocialisti./ZËRI
'Deputeti që duam'/ Rama bëhet nostaligjik: PS e 2013 i ndërtoi 'muskujt' në opozitë

TIRANË- Kryesocialisti Edi Rama ka mbajtur një fjalë të shkurtër në prezantimin e 4 aplikantëve të parë që kanë aplikuar në platformën "Deputeti që Duam". Në fjalën e tij, Rama u kërkoi aplikantëve që të japin më të mirën e tyre, duke u dhënë edhe shembuj të të shkuarës. Më gjatë është ndalur tek ekipi i vitit 2013, me të cilën Partia Socialiste erdhi në pushtet. Ndër të tjera Rama tha se përmes kësaj platforme do të evidentohen shumëkandidatura që mund t’i përzgjedhin në listën për deputetë. Ndërsa të tjerët do të duhet që të vazhdojnë të punojnë edhe më shumë për të përmbushur ambicjen e tyre.
"Politika është si jeta, jeta është e njëjta me ndryshime realtive. Të gjitha vlejnë dhe ndikojnë. Rrjeti i lidhjeve dhe njohjeve të jetë edhe më i madh që të çojnë ujë në mullirin e PS. Kur erdha në krye të PS ne nisëm një proces në një kohë tjetër dhe në kushte të tjera, në atë kohë nuk kishte rrjete sociale. Faktikisht e filluam një ndryshim të gjeneratës që zinte vendin kryesor në PS. Faktikisht PS, e cila fitoi zgjedhjet e 2013 ishte një parti që vinte me fuqinë e atij ndryshimi. Ajo gjeneratë për të gjithë këto vite ka qenë dominante në PS. Natyrisht që PS e 2013 kishte shumë të rinj dhe të reja që patën edhe fatin për ata që kanë ambicje dhe realisht e kanë thirrjen e brendshme të politikës që t'i krijonin muskujt e tyre në opozitë. Për PS e 2030, sfida është që ndryshimi i gjeneratës të bëhet ndërkohë që ne jemi në qeverisje. Partia që fitoi zgjedhjet e para dhe që fiton prej atëherë është një parti që ka bërë shumë për këtë vend përmes fuqisë në qeverisje, përmes fuqisë që i është dhënë nga njerëzit edhe në nivelin vendor. Besoj që nga fundi i këtij procesi që të kemi qindra aplikantë. do të vazhdojmë të jemi një skuadër shumë të çmuar. Kështu që jo të gjithë do të jenë kandidatë për deputetë. Por sot ne kemi disa që janë në vijën e parë dhe të dytë në terren. Bora vjen nga ajo praktikë është ministre edhe pse nuk u bë deputete se nuk i mori votat. Besjan Ajazi por po ashtu. Janë raste të ndryshme por duhet që të dinë që kjo nuk është një rrugë e shkurtër. Kjo është një rrugë që u jep të gjithëve mundësinë që të kuptojnë më shumë nga Partia Socialiste. Kjo është histori e njohur edhe për shumë ata që ju shihni në nivele të larta. Elisa Spiropali nuk ka qenë deputete që herën e parë. Por ambicja bën të veten. E fundit është që t'i japim politikës mundësinë që të bjerë në sa më shumë duar të mira,"-tha Rama ndër të tjera në fjalën e tij./ZËRI
Rama nuk humb kohë/ Nis mbledhja me Kryesinë e PS-së, prezantohen "aspirantët" për deputetë

DURRËS- Një ditë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku u zgjodhën organet më të larta të partisë si dhe drejtuesit politik të qarqeve, kryeministri Edi Rama ka thirrur sot mbledhjen e Kryesisë së PS-së. Mbledhja sapo ka nisur me platformën “Deputeti që duam” që u prezantua për herë të parë në vitin 2021, do të përdoret edhe në këto zgjedhje për disa nga kandidatët për deputetë.
Kjo platformë e re do të ketë fokusin tek 4 kategori: diasporën, rininë, gratë dhe profesionistët.
MBLEDHJA LIVE:
Po ashtu, sot, pjesë e Kryesisë, duke iu referuar statutit të PS-së janë dhe drejtuesit politik të qarqeve, si dhe sekretarët ekzekutivë. Në këtë mënyrë, Kryesia e PS-së përbëhet nga rreth 30 persona, që mbajnë funksione të ndryshme në këtë forcë politike.
Anëtarët e Kryesisë që u zgjodhën me votë
Gra- Albana Koçiu, Anila Denaj, Etilda Gjonaj, Klodiana Spahiu, Lindita Nikolla
Burra- Arben Pëllumbi, Erion Braçe, Eduard Shalsi, Igli Hasani dhe Toni Gogu
Sekretarët e PS-së, që janë njëherësh dhe anëtarë të Kryesisë
Sekretar i Përgjithshëm- Blendi Klosi
Sekretar për Organizimin dhe Zgjedhjet- Damian Gjiknuri
Sekretar për Diasporën- Zerina Bruçi
Sekretare për Programin- Milva Ekonomi
Sekretar për Rininë- Roi Bashaj
Sekretare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare- Romina Kuko
Sekretare e Gruas- Evis Kushi
Drejtuesit politik të qarqeve
Tiranë- Elisa Spiropali, Erion Veliaj dhe Ogerta Manastirliu
Durrës- Emirjana Sako
Shkodër- Benet Beci
Lezhë- Ulsi Manja
Kukës- Pandeli Majko
Elbasan- Arbjan Mazniku
Fier- Belinda Balluku
Korçë- Niko Peleshi
Gjirokastër- Mirela Kumbaro
Berat- Ervin Demo
Vlorë- Bledi Çuçi
Dibër- Blendi Gonxhe
Diaspora- Taulant Balla
Të zgjedhurit e asamblesë si prurje të reja në kryesi janë Albana Koçiu, Eduart Shalsi, Igli Hasani, Toni Gogu. Politikani që mori më shumë vota nga Asambleja, 295, ishte senatori socialist Erion Brace pasuar nga Arben Pëllumbi me 1 votë më pak.
Të propozuarit e Ramës për në kryesi Klotilda Bushka, Delina Ibrahimi, Pirro Vengu dhe Vangjel Tavo nuk morën votat e mjaftueshme të asamblesë. Ndërkohë nga kryesia e shkuar Edi Rama preferoi të mos rikandidojë Ditmir Bushatin, Armando Subashin, Olta Xhackën, Blerina Gjylametin, Mimi Kodhelin, dhe Ilir Beqajn që ndodhet pas hekurave. /ZËRI