LIVE UPDATES

Nisja e vitit të ri shkollor/ Ulje e frikshme e numrit të nxënësve, Tirana në kaos nga trafiku, Rama: Rikthejmë mësuesit pensionistë

➤Ka nisur sot viti i ri shkollor në të gjithë vendin, ndërsa në Tiranë kjo e hënë ka sjellë trafik të rënduar në rrugë, për shkak të fluksit të lëvizjes. ➤Në ditën e parë të këtij viti shkollor, kryeministri Rama ishte i pranishëm në qytetin e Beratit, ku inaguroi gjimnazin e ri “Babë Dudë Karbunara”, i cili u ndërtua vitin e fundit. ➤Rama tha se në planet e qeverisë për Shqipërinë e vitit 2030, është dhe ajo për rikthimin e mësuesve pensionistë në shkolla, të cilët mund të punojnë me orar të reduktuar. ➤Nga ana tjetër nisja e vitit të ri shkollor, ka refelektuar shqetësimin e ngritur prej disa kohësh, për uljen e ndjeshme të numrit të nxënësve, si pasojë e uljes së lindshmërisë, por edhe largimeve masive nga vendi.

5 artikuj për këtë temë.
9 MUAJ ME PARE

“Shqipëria 2030”, Rama: Mësuesit në pension të angazhohen sërish në shkolla, me orar të reduktuar

Nisja e vitit të ri shkollor/ Ulje e frikshme e numrit të
Kryeministri Edi Rama

BERAT- Sot në ditën e parë të shkollës, kryeministri Edi Rama uroi nxënësit për fillimin e vitit të ri shkollor nga Berati në shkollën e rikonstruktuar “Babë Dudë Karburanara”. Ai e zgjodhi pikërisht këtë shkollë për të mbajtur fjalimin e tij, pasi është një shkollë simbolike për qytetin e Beratit, e ndërtuar rreth 60 vite më parë. Gjatë fjalimit të tij, Rama foli edhe për mësuesit e pensionuar, ku shtoi se ata mund të punojnë me kohë të pjesshme. Ai tha se punësimi i pjesshëm i mësuesve të dalë në pension është pjesë e planit Shqipëria 2030.

“Kemi shumë mësues në pension që mund t’i ftojmë të angazhohen me orare të reduktuara në përkujdesje të veçantë që ka të bëjë me mbikëqyrjen e lehtësinë që mund të ketë procesi i punës me nxënësit profesionalë në ndërmarrje si pjesë e sistemit dual që ne po thellojmë dhe që është një domosdoshmëri për t’i dhënë më shpejt krahë pune tregut. Domosdoshmëria për të bërë të mundur që sot në kushtet kur ekonomia po fiton kapacitete gjithëpërfshirës dhe rritja nuk lexohet mes shifrave, por nuk ndjehet drejtpërdrejt në buxhetet familjare, që të përfshijë edhe pensionstë. Për këtë arsye jemi duke punuar intensivisht mbi të dhënat kuptimplota që të mundësojnë të fillojmë integrimin e pensionistëve në hapësirën e kësaj rritjeje në mënyrë që edhe pensionistë të ndjejnë drejt Shqipërisë 2030, atë që është plotësisht e ndjeshme në xhepin e mësuesve që sot e kanë pagën mesatare 950 euro. Në pagë në nivele të përparuara dhe krijon premisa për të kërkuar më shumë. Bindja ime është se ne e kemi energjinë, kemi kurajën, kemi eksperiencën, por mbi të gjitha kemi edhe dëshirën e jashtëzakonshme që duke i bërë gjërat më mirë, ta çojmë në një nivel tjetër jo vetëm arsimin, por Shqipërinë e cila në 2030-ën duhet të vendosë flamurin kuq e zi të Skënderbeut, Ismail Qemalit dhe flamurin për të cilin luftoi edhe Babë Dudë Karbunara dhe të gjithë patriotët e tjerë, aty në oborrin e familjes europiane, në të njëjtën radhë, në të njëjtën gjatësi shtize dhe me të njëjtat të drejta me flamujt e tjerë të shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Dhe natyrisht, për të bërë këtë, na duhet që të kemi një Shqipëri ku funksionon ligji edhe drejtësia, ku ekonomia është gjithëpërfshirëse dhe ku të gjithë kanë pjesën e tyre në rritjen ekonomike, jo thjesht si kontribut, por edhe si përfitim, dhe ku arsimi, shëndetësia, shkenca janë të atilla në nivel ku nuk i ndan më një hendek aq i thellë dhe aq i errët sa ai që i ndante kur ne morëm këtë detyrë”, tha Rama. /ZËRI

9 MUAJ ME PARE

Tirana e BLLOKUAR nga trafiku, të gjitha rrugët kalohen me vështirësi, qytetarët prej orësh në makina

Nisja e vitit të ri shkollor/ Ulje e frikshme e numrit të
TRAFIKU NE TIRANE

TIRANË- Nisja e vitit të ri shkollor, ka rikthyer një prej problemeve më shqetësuese në Tirane, atë të trafikut. Në të katër anët e kryeqytetit, ka këtë të hënë ka radhë të gjata makinash, ndërkohë që shumë prej qytetarëve denoncojnë se nuk kanë mundur që të arrijnë dot në kohë në vendet e punës, apo në shkolla.

Rruget e bllokuara

Nisja e vitit të ri shkollor/ Ulje e frikshme e numrit tëNisja e vitit të ri shkollor/ Ulje e frikshme e numrit të

Edhe pse në të gjitha kryqëzimet, sheh punonjës të policisë rrugore, ata e kanë të pamundur që të bëjnë diçka për menaxhimin e trafikut. Siç shihet dhe nga pamjet live të trafikut në Tiranë, shumica e rrugëve janë të bllokuara, ndërsa edhe unaza e madhe që zakonisht nuk ka një fluks lëvizjesh, këtë të hënë duket e pamundur që të aksesohet.


Edhe pse u tha se ishin marrë të gjitha masat që nisja e shkollës të bëhej sa më normalisht, duket se e sotmja është dita e parë e një maratone të gjatë të përballjes me trafikun. Si pjesë e masave që u prezantuan nga Policia Rrugore dhe Bashkia e Tiranës, ishte dhe ndalimi i qarkullimit për mjetet e mallrave që furnizojnë bizneset në kryeqytet, por një masë e tillë duket të jetë e pamjaftueshme./ZËRI 

9 MUAJ ME PARE

Alarm për arsimin, po ikin familjet me fëmijë të vegjël

Nisja e vitit të ri shkollor/ Ulje e frikshme e numrit të
ARSIMI NE SHQIPERI

TIRANË- Numri i fëmijëve në shkolla do të reduktohet me shpejtësi sipas të dhënave të zbuluara në censin e vitit 2023. Përveç rënies së lindjeve, numri i fëmijëve në parashkollor po pakësohet ndjeshëm nga fenomeni i emigracionit me familje.

Sipas të dhënave nga cens 2023, numri i fëmijëve në moshën 6 vjeç ishte 24,812. Duke marrë në konsideratë numrin e fëmijëve të lindur në vitin 2017 që janë 6-vjeçarët e vitit 2023, shihet se ka një tkurrje të ndjeshme.

Numri i fëmijëve që lindën në vitin 2017 ishte rreth 31 mijë, por fëmijët që i korrespondonin këtij viti ishin vetëm 24,812 kur u zhvillua censi.

Sipas të dhënave nga cens, këtë vit hyjnë në klasën e parë jo më shumë se 24 mijë fëmijë në të gjithë vendin. Gjithsej fëmijët e grupmoshës 0-6 vjeç janë 160,719 sipas cens 2023, nga më shumë se 260 mijë që ishin në vitin 2011.

Duke krahasuar numrin e foshnjave të lindura nga viti 2017 deri në vitin 2023, dhe atyre që ka gjetur cens, rezulton një numër më i ulët fëmijësh. Diferencat janë deri në 20% që është një tregues i pastër i emigrimit të fëmijëve me familjet.

INSTAT ka raportuar se në vitin 2022 në të gjithë vendin kishin lindur 24,688 foshnja, por nga numërimi i Cens ishin vetëm 21 mijë foshnja të moshës 1 vjeç.

Në dy vitet e fundit ka një zbutje emigrimit si azilkërkues, por ka një fenomen në rritje të punonjësve me kontrata të rregullta pune drejt vendeve të BE sidomos drejt Gjermanisë. Fillimisht si punonjës sezonalë, tani ky kontingjent ka siguruar kontrata dhe po merr edhe familjet e fëmijët.

Gjithashtu të dhënat e Cens 2023 kanë zbuluar se numri individëve +6 vjeç që ndjekin arsimin parauniversitar ishte 317,213 nxënës, teksa në të njëjtin vit shkollor (2023-2024) INSTAT, referuar Ministrisë së Arsimit, raportoi se arsimin parauniversitar +6 vjeç e ndiqnin 349,827 nxënës.

Numri i nxënësve që ndjekin arsimin nga klasa e parë deri në përfundim të shkollës së mesme ishte rreth 27 mijë nxënës më pak ose 9.3% më i ulët se sa shifra zyrtare që është referuar në fillimin e vitit akademik.

Të dhënat e Cens 2023 kanë treguar rënie drastike të numrit të nxënësve në shkolla. P.sh., INSTAT referoi se në vitin akademik 2023-2024 e ndiqnin arsimin 9-vjeçar mbi 258 mijë nxënës, ndërsa sipas Cenc 2023 ky nivel arsimor ndiqej nga rreth 231 mijë nxënës.

Gjithashtu Cens referoi se në momentin kur u krye anketa, vetëm 86 mijë persona ishin duke ndjekur arsimin e mesëm, ndërsa sipas të dhënave zyrtare, në vitin akademik 2023-2024 ishin regjistruar në arsimin e mesëm 91 mijë nxënës, ose rreh 5 mijë më pak se të dhënat zyrtare të regjistrimit./Monitor 

9 MUAJ ME PARE

Nis sot viti shkollor, 28 mijë nxënës ulen për herë të parë në banka, Rama dhe Manastirliu: Kemi shpërndarë librat falas

Nisja e vitit të ri shkollor/ Ulje e frikshme e numrit të
nisja e shkolles

TIRANË- Ka nisur sot në të gjithë vendin viti i ri shkollor, ku rreth 28 mijë nxënës do të ulen për herë të parë në bankët e shkollës. Në total në vendin tonë në sistemin arsimor parauniversitar marrin mësimin rreth 350 mijë nxënës, një numër që është ulur me rreth 100 mijë në 10 vitet e fundit, për shkak të largimeve masive jashtë vendit, por edhe për shkak të uljes së lindshmërisë. Gjatë ditës së sotme, janë marrë masat në terren për të shmangur incidentet, ndërkohë që punonjës të policisë së rendit dhe asaj rrugore janë angazhuar në terren për mbarëvajtjen e ditës së parë të shkollës.

Në një postim në rrjetet sociale, kryeministri i vendit Edi Rama, ka uruar nisjen e vitit të ri shkollor, ndërsa ka vendosur theksin te shpërndarja e librave falas.

“MIRËMËNGJES dhe me urimin për të gjithë nxënësit, veçanërisht për ata të klasave të para që ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës, mësuesit dhe prindërit, për një vit të mbarë shkollor, ju uroj një javë të bukur”, shkruan Rama.

Një urim në këtë ditë të shënuar e pati Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Në veçanti ai uroi nxënësit e klasave të para, të cilët sot ulen për herë të parë në bankat e shkollës.

“Urimet më të mira dhe suksese të gjithë nxënësve e mësuesve që nisin sot vitin e ri shkollor!  Në veçanti, urime nxënësve të klasave të para që fillojnë maratonën e gjatë, sfiduese, por edhe shpërblyese të dijes. Një brez që sot përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë”, shkruan Begaj.

Nga ana tjetër, edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliuka uruar nxënësit për vitin shkollor, ndërsa tha se për këtë sezon kanë hapur dyert 10 shkolla të reja, të cilat do të mirëpresin 10 mijë nxënës.  Sipas saj ky vit ka sjellë risi dhe investime të rëndësishme, ndër to fakti se 31 mijë mësues e nisin vitin shkollor me paga të rritura. Prej 9 Shtatorit për nxënësit me nevoja të veçanta do të ketë 2100 mësues ndihmës, ndërkohë që më shumë se 238 mijë nxënës sipas saj i kanë përfituar librat falas.

240 oficerë sigurie do të jenë të dedikuar për sigurinë e nxënësve në shkolla, 40 më shumë se në 2023. Dhjetë ditë më parë u bë publik edhe urdhri për përcaktimin e kritereve për miratimin e "mësuesit koordinator për sigurimin e cilësisë” dhe të "mësuesit koordinator të këshillimit të karrierës" në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar.

Mesazhi i plotë i Manastirliut

Të dashur nxënës, prindër dhe mësues! Sot fillojmë këtë rrugëtim të vitit të ri shkollor së bashku, edhe unë jam po aq e emocionuar sa ju, sepse çdo vit sjell sfida dhe mundësi të reja për të gjithë.
350 mijë nxënës ulen sot në bankat e shkollave, ndërsa rreth 28 mijë prej tyre e kalojnë për herë të parë pragun e shkollës.

Të dashur nxënës të klasës së parë, shkolla është vendi ku ju do të mësoni, do të zbuloni botën, dhe më e rëndësishmja, të ndërtoni të ardhmen tuaj. Kemi punuar fort që këtë vit të keni mundësinë të mësoni në shkolla edhe më moderne, që mësuesit të jenë edhe më të motivuar, që shkollat të jenë më të pajisura me materialet didaktike të nevojshme, të cilat do t’ju ndihmojnë të zhvilloni intelektin dhe personalitetin tuaj që nga fillimi i shkollimit dhe gjatë gjithë edukimit tuaj.

Mundësuam tekstet shkollore falas për 238 mijë nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe për 16 kategori të veçanta të nxënësve në gjimnaze. Investimet në infrastrukturën shkollore kanë mundësuar që sot të hapin dyert 25 shkolla të rindërtuara, të cilat mirëpresin rreth 10 mijë nxënës dhe mësues. Vetëm përgjatë këtij viti kemi investuar dhe po investojmë në rindërtimin dhe rehabilitimin e 100 objekteve arsimore në të gjithë vendin.

Në një epokë ku teknologjia po ndryshon me shpejtësi mënyrën se si mësojmë dhe punojmë, kemi hyrë në një fazë shumë të rëndësishme për të përmirësuar aftësitë digjitale, aftësitë kreative dhe nxitjen e mendimit kritik.

Këtë vit, 200 shkolla 9-vjeçare janë pajisur me 216 laboratorë SMART, duke u dhënë nxënësve mundësinë të mësojnë përmes kurrikulës së re të TIK dhe programit Code Monkey, ku rreth 35 mijë nxënës janë tashmë të përfshirë në këto klasa. Rrugëtimi juaj drejt dijes nuk është vetëm i juaji, por edhe i prindërve dhe mësuesve tuaj që do të jenë aty për t'ju mbështetur në çdo hap.

Ky vit i ri shkollor i gjen mësuesit me pagat e rritura, duke mundesuar qe mbi 30 mije mesues te sistemit tone arsimor te kene page dinjitoze. Vlerësimi dhe mbështetja për mësuesit janë thelbësore për një sistem që fokusohet te cilësia, ndaj, veç mbështetjes financiare, do të vijojmë të zhvillojmë programet e trajnimeve falas për të rritur kompetencat profesionale të tyre, me synim që mbi 16 mijë mësues të trajnohen përmes Programit Kombëtar i Zhvillimit Profesional.

Këtë vit do të kemi zhvillime të reja brenda shkollës, përmes roleve të reja të mësuesve: 640 mësues do të angazhohen gjithashtu si koordinatorë të sigurimit të cilësisë për mësimdhënien dhe orientimin e karrierës, bazuar në evidentimin e prirjeve dhe talenteve në çdo shkollë, duke ju ndihmuar ju dhe prindërit në zgjedhjet që do të bëni për të ardhmen tuaj.

Një prioritet i yni është edukimi gjithëpërfshirës dhe i barabartë për të gjithë fëmijët. Këtë vit kemi rritur numrin e mësuesve ndihmës me 200, duke e çuar në 2100 numrin total të mësuesve ndihmës, të cilët garantojnë mbështetje mësimore për nxënësit me aftësi të veçanta.

Krijimi i mundësive për një stil jetese të shëndetshëm dhe aktiv për nxënësit është po aq i rëndësishëm për ne. Për këtë arsye, në vitin e ri shkollor po investojmë në terrene sportive dhe palestra moderne në shkolla, si pjesë e "Lëvizjes Sportive në shkolla"; programi ynë kombëtar tashmë ka përfshirë mbi 10 mijë nxënës, me synimin për të zgjeruar më tej këtë program duke shtuar disiplina të reja sportive dhe duke e shtrirë në të gjitha ciklet arsimore.
Programet e nisura, si "Art dhe Zeje", "Shkolla Qendër Komunitare", Olimpiadat, Konkurset dhe një sërë programesh të reja do të shoqërojnë këtë vit shkollor, duke ju mundësuar një program sa më të pasur shkollor dhe jashtëshkollor.

Ju uroj suksese në këtë rrugëtim të bukur që sapo ka nisur! Na qoftë i mbarë!

Sipas strukturës së publikuar nga Ministria e Arsimit për arsimin bazë, viti shkollor nis në datën 9 shtator të vitit 2024, për të përfunduar më 13 qershor të vitit të ardhshëm.

Nxënësit e arsimit të detyruar 9-vjeçar do të kenë dy periudha pushimesh. Periudha e parë e pushimeve do të jetë në fundvit, ndërsa përudha e dytë do të jetë në javën e parë të muajit prill./ZËRI 

9 MUAJ ME PARE

Shifrat e frikshme/ Shkollat 9-vjeçare e nisin vitin me 125 mijë fëmijë më pak se një dekadë më parë

Nisja e vitit të ri shkollor/ Ulje e frikshme e numrit të
Ulet numri i nxenesve ne shkolla

TIRANË- Ritmet e rënies së nxënësve në shkolla po përshpejtohen nga viti në vit sipas të dhënave zyrtare. Në vitin shkollor 2024-2025, rreth 238 mijë fëmijë do ndjekin arsimin në sistemin publik 9-vjeçar sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit.

Sipas INSTAT, në këtë nivel arsimi ,në vitin shkollor 2023-2024 ishin të regjistruar 258 mijë nxënës në arsimin 9-vjeçar. Nisur nga këto të dhëna, numri i nxënësve në shkollat 9-vjeçare në këtë vit të ri shkollor është 7.8% më pak se viti i kaluar, ose 20 mijë nxënës më pak.

Ritmet e rënies së nxënësve në arsimin 9-vjeçar janë shumë më të larta se vitin e kaluar, kur tkurrja ishte 3.4%.

Nga viti 2014 deri në vitin 2024, numri i fëmijëve në ciklin 9-vjeçar ka pësuar rënie me 34.5%, ose 125 mijë më pak.
Në vitet në vijim, tkurrja e nxënësve do të jetë më e lartë si rrjedhojë e rënies së fortë të lindjeve dhe normave ende të larta të emigracionit në moshat e reja.

Sipas të dhënave nga cens 2023, këtë vit hyjnë në klasën e parë jo më shumë se 24 mijë fëmijë në të gjithë vendin.

Si rrjedhojë e rënies së nxënësve, një numër i madh shkollash po mbyllen vit pas viti. Nga viti shkollor 2012-2013, në vitin shkollor 2021-2022 janë mbyllur 295 shkolla të arsimit 9-vjeçar në të gjithë vendin duke e çuar numrin total të tyre në 1051 nga 1346 që ishte në vitin 2013.

Mbyllja e shkollave ka ardhur në raport të drejtë me rënien e numrit të nxënësve, pasi nga 2011 më 2023, INSTAT referon se numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar ka shënuar tkurrje me rreth 30%. Zonat rurale kryesojnë me mbylljen e shkollave, pasi numri i fëmijëve është pakësuar ndjeshëm.

Që nga viti 2000 janë mbyllur 42% e shkollave 8-9-vjeçare në rang vendi. Arsimi bazë nga klasa e parë deri në të nëntën me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët që janë nga mosha 6 vjeç deri në moshën 16 vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në ligj.

Numri i të rinjve në vend po ulet me shpejtësi. Kur u zhvillua censi 2011, në të gjithë vendin u numëruan 268,756 të rinj të grupmoshës 15-19 vjeç, por në censin 2023, numri i tyre u përgjysmua me vetëm 142,943 persona, me rënie 47%.

Kjo grupmoshë kishte rënien më të madhe në periudhën ndërmjet censeve si në numër dhe në përqindje. Popullsia e përgjithshme pësoi rënie me 14.8%, ndërsa në grup moshat e reja, ky raport ishte më shumë se dy herë më i lartë./Monitor

Poll

MOS HUMB