30 deputetë të PD-së në mbështje të studentëve të Mjekësisë, e çojnë ligjin në Kushtetuese
TIRANË- Vendimi i qeverisë që detyron studentët e mjekësisë që të punojnë për 5 vite në Shqipëri pas studimeve do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka informuar për një kërkesë të përgatitur nga studentët e mjekësisë për të kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin e Qeverisë që nuk pajisë për 5 vite me diplomë mjekët e rinj.
Grupi Parlamentar i PD ka vendosur ta mbështesë këtë kërkesë dhe kanë nënshkruar dje në mbledhje kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetutese për pezullimin dhe shfuqizimin e ligjit. Lajmin e ka bërë të ditur Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në dokumentet e publikuara nga Bardhi, shihet se kanë qenë 30 deputetë në mbështetje të dërgimit të ligjit në Gjykatën Kushtetuese.
“Grupi Parlamentar i PD ka mbështetur kërkesën e studentëve të mjekësisë për të kundërshtuar në Gjykatën Kushtetutese ligjin që pezullon diplomimin e mjekëve të rinj për 5 vite. Duke respektuar reagimin e studentëve dhe protestën e tyre, pa asnjë ndërhyrje politike, apelojmë edhe njëherë për Qeverinë që të dëgjojë zërin dhe shqetësimin e studentëve dhe ti jap zgjidhje kërkesave të tyre.” – shkruan Bardhi.
studentët e mjekësisë nuk kanë marrë pjesë në mësim, duke bojkotuar këtë të fundit që nga nisja e vitit të ri akademik. Ata kanë kërkuar ballafaqim të drejtpërdrejtë me ministren e Arsimit dhe me zyrtarë të qeverisë për të kundërshtuar ligjin që sipas tyre është “i padrejtë”. “Kushte s’kemi, por kemi Kushtetutë””, “Mjekësia bojkoton”, “Duart e prangosura s’mund të kurojnë!”, thuhen në disa prej pankartave më pikantë të studentëve.
FOTOLAJM/ Prangosen studentët e Mjekësisë

TIRANË- Në protestën e kësaj të mërkure përpara Ministrisë së Arsimit, studentët e Mjekësisë në shenjë simbolike kanë lidhur duart e tyre me pranga, duke simbolizuar lirinë e tyre për të zgjedhur për të ardhmen pa qenë të detyruar që të qëndrojnë për 5 vite në Shqipëri. Thirrja kryesore e protestës së tyre gjatë ditës së sotme ishte ajo për të pasur një diplomë pas përfundimit të studimeve.
Studentët i kërkuan ministres Ogerta Manastirliu të dalë dhe të përballet me ta dhe kërkesat e tyre.
“Dilni dhe përballuni në shesh! Dilni dhe përballuni me studentët!”, dëgjohet të thotë një nga studentet, ndërsa në kor thërrasin “Ministri e turpit!”
‘Mjekësia bojkoton ‘, studentët në javën e tretë të qëndresës, marshojnë drejt MA

TIRANË- Në javën e tretë të nisjes së Universitetit dhe njëherësh të bojkotit të tyre, studentët e Mjekësisë kanë dalë sërish në rrugë për të protestuar. Me thirrjet: "Mjekësia bojkoton! Mjekësia bojkoton!", srudentët kanë mbushur Rrugën e Dibrës drejt qendrës së Tiranës, të shoqëruar nga forca të Policisë.
Të tjera thirrje të bëra nga studentët janë “duam diplomat tona’, të cilat do të mbahen peng nga Universiteti deri në shlyerjen e 5 viteve të punës së detyrueshme.
Marshimi i studentëve bëhet me ndalesa në kryqëzimet rrugore, pa i ndalur thirrjet. Ata theksojnë se nuk pranojnë të firmosin kontratën për qëndrim të detyruar në Shqipëri dhe as të paguajnë tarifën-gjobë që ka përllogaritur qeveria në këtë rast si kosto e studimeve të tyre.
Studentët duket se janë duke u drejtuar për tek Ministria e Arsimit dhe konkretisht, për të kërkuar takim me Zv.ministren e Arsimit Albana Tolen, e cila e ka mbrojtur me forcë kontratën e punës së detyruar për ta. Deri më sot, as ministrja Manastirliu dhe as Zv.ministrja Tole nuk kanë pranuar të takohen me të rinjtë protestues.
Edhe pse tashmë kanë kaluar 3 javë, askush nga ministria e Arsimit apo qeveria nuk është shqetësuar për faktin që në Fakultetin e Mjekësisë nuk është zhvilluar asnjë orë leksioni./Zëri.ai