Vendimi i Kushteteses për Komisionet Hetimore, PD kërkon zgjatjen e afateve të “TIMS”: Të ripyesim dëshmitarët me dyer të hapura

TIRANË- Është mbledhur këtë të mërkurë Komisioni Hetimor për TIMS, ku janë thirrur disa zyrtarë për të dëshmuar. Pas vendimit të Kushtetueses për rrëzimin e gjysmës së neneve të ligjit për Komisionet hetimore, anëtarët e PD në “TIMS” kanë kërkuar që të shtyjnë afatin për këtë komision. Sipas tyre dëshmitarët që u pyetën me dyer të mbyllura duhet që të pyeten sërish live. Në mesin e personave që janë pyetur me dyer të mbyllura është dhe ministri i brendshëm Taulant Balla, si dhe drejtori i policisë së shtetit Muhamet Rrumbullaku.
Kryetari i komisionit Ervin Salianji u shpreh se mazhoranca ka penguar transparencën duke mbajtur mbledhje me dyer të mbyllura. “Çdo mbledhje që duhet të sillte transparencë e dritë në errësirë, ju e keni mbyllur me vendimmarrje të ndërmjetme duke shkelur ligjin, edhe sipas vendimit të gjykatës tashmë. Më vjen mirë që rrini me kokë të ulur, sepse shumicën i keni që vjedhin e rrinë me kokë lart. Mbledhjet e bëra me dyer të mbyllura duhet të zbardhen procesverbalet ose të ripyeten dëshmitarët”, tha ai.
Më tej, Salianji tha se mazhoranca ka qenë në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës për një seri vendimesh të marra gjatë punimeve në komision.
“Jeni në anti-kushtetutshmëri. Edhe mbledhjet e mbyllura që janë bërë me demek se kishte sekret hetimor, kanë qenë në shkelje të ligjit. Ose duhet të zbardhen procesverbalet, ose duhen ribërë takimet”, tha Salianji.
Nënkryetari i Komisionit Hetimor, deputeti i PS-së, Toni Gogu, në përgjigje të deklaratës së deputetit Salianji u shpreh se vendimi i Gjykatës Kushtetues duhet të lexohet drejt dhe duhet të kalojë përmes rregullores së Kuvendit.
“Ju po kërkoni të bëni politikë me atë vendim. Ju doni t’i vini shosh paligjshmërisë që kemi parë në këtë komision”, tha Gogu. “Duke u kthyer tek pretendimet tuaja, ky komisioni ka zbatuar ligjet në fuqi dhe standardet për të cilat Gjykata Kushtetuese ka folur. Por në momentin kur dëshmitarët deklarojnë se informacioni që disponojnë dhe paraqesin në këtë komision, plotëson ato kritere dhe cënon jetën profesionale apo individuale të njerëzve, patjetër që ne do të marrim vendimin, sipas kompetencave që jep ligji. Ja lëmë Këshillit të Legjislacionit të vlerësojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe më pas do jetë ai këshill që do të vendosi si do të veprohet”, tha Gogu.
“Nëse ligji do të ishte antikushtetues, do të ishte shfuqizuar i gjithi, por ligji është në fuqi”, tha Gogu.
Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja, pati një kërkesë procedurale për shtyrjen e afateve të Komisionit Hetimor.
Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet duke rimarrë në pyetje dëshmitarët apo duke i hapur procesverbalet e dëshmive për publikun. /ZËRI
“Mos rrini nëpër tualete”, debate te ‘TIMS’-i, socialistët kërcënojnë me braktisjen e mbledhjes

TIRANË- Është mbajtur mes tensioneve dhe debateve, mbledhja e Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS, ku socialistët kanë kërcënuar se do të largoheshin nga mbledhja. Kryetari i Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS, Ervin Salianji iu drejtua anëtarëve të PS-së në komision, duke iu thënë se janë “duke kërcyer përpjetë, pasi janë të shqetësuar nga mali i paligjshmërisë”.
Deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti ka kërkuar fjalën, por kryetari i Komisionit, Ervin Salianji është shprehur se radhën e kishte ligjvënësi i opozitës, Lefter Gështenja. “E kam kërkuar unë fjalën, e kam për procedurë”, tha deputetja socialiste, ndërsa Salianji iu drejtua: “Kur ta drejtoni ju! Gështenja e ka fjalën”.
Pasi nuk iu dha fjala në Komision, Gjylameti është larguar nga salla ku zhvillohet Komisioni ndërsa mbledhja u ndërpre për 5 minuta me kërkesë të nënkryetarit Toni Gogu, pasi të gjithë socialistët u çuan në këmbë, duke kërcënuar se do të largoheshin nga salla.
Pjesë nga debati:
Salianji: E ka kërkuar Gështenja fjalën për procedurë, nuk e përcaktojnë dot.
Gjylameti: E kam kërkuar unë fjalën, e kam për procedurë
Salianji: Kur ta drejtoni ju. Gështenja e ka fjalën
Gjylameti ngrihet dhe largohet nga salla
Salianji: Le të iki, mbledhja vazhdon pa asnjë problem, Le të kërcejnë, të bëjnë çfarë të duan
Gjylameti: Nuk flitet kështu, së paku është një gjë që ka të bëjë me etikën. Keni nëna, vajza dhe motra
Gështenja: Vendimi i Kushtetueses ka qenë një shuplakë për ju.
Toni Gogu ngrihet nga karrigia t’i largohet nga salla
Salianji: Kështu do t’iu çojmë edhe nga karriget e qeverisë. Ikini, nesër në protestë prap kështu do të çoheni.
Salianji: Ikni, nuk mbyllet mbledhja vazhdon.
Gështenja: Nëse keni objektiv të prishni mbledhjen, kjo është tjetër gjë
Salianji: Këtë punë kanë këta janë të shqetësuar nga mali me paligjshmëritë. Pushimi nuk merret me dhunë në këtë Komision, ta harroni
Gogu: 5 minuta pushim
Salianji: Kur ta kërkoni sipas ligjit. Bëjeni kërkesën
Gogu: 5 minuta pushim, e kërkojmë që mbledhja të vijë në rendin që meriton, 5 minuta pushim
Salianji: Ka kërkuar 5 minuta pushim, kur bëhet kërkesa për pushim jepet menjëherë. Shpresoj të mos rrini prap nëpër tualete siç e keni bërë në të kaluarën. Mbledhja vazhdon. Jeni vetë ofendimi nga koka tek këmbët, fiks pas 5 minutash rinis mbledhja.
'Sikur të erdhën dhimbjet e lindjes'/ DEBAT tek TIMS-i, Gogu-Salianjit: Uroj të mos i kenë shkuar kot nënës tënde

TIRANË- Një debat ka nisur në mbledhjen e Komisionit Hetimor për rrjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS. Shkak ishte një fjali që tha kreu i këtij Komisioni, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Në fjalën e tij, Salianji e krahasoi mënyrën sesi zv.kryetari i Komisionit, Toni Gogu po fliste për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ligjin e Komisioneve Hetimore, sikur t'i kishin ardhur "dhimbjet e lindjes". Pasi Salianji përfundoi fjalinë, Gogu e pasoi duke i përmendur edhe nënën deputetit demokrat.
DEBATI NGA KOMISIONI:
Salianji: Çdo mbledhje që duhet të sillte transparencë e dritë në errësirë, ju e keni mbyllur me vendimmarrje të ndërmjetme duke shkelur ligjin, edhe sipas vendimit të gjykatës tashmë. Më vjen mirë që rrini me kokë të ulur, sepse shumicën i keni që vjedhin e rrinë me kokë lart. Mbledhjet e bëra me dyer të mbyllura duhet të zbardhen procesverbalet ose të ripyeten dëshmitarët. Dukesh në vështirësi, sikur ishe në proces lindje jo sikur po flisje për njoftim Gjykate. Pavarësisht provave të pafundme të sjella nga drejtuesit e lartë të Policisë kundër njëri-tjetrit duke ia lënë përgjegjësinë njëri-tjetrin, vazhdojnë të jenë drejtues të lartë të Policisë. Me gjithë pengesat që i keni krijuar, ju thoni që shqetësimi qenka pse nuk na ka ardhur që ta sillni vërdallë si re në dyert e parlamentit. Ore ju keni shkelur kushtetutën me radhë, për ditë me radhë për t'u bërë barrikadë e paligjshmërisë. Të tjerat janë diskutime që politikisht i ndajmë si të doni.
Toni Gogu: Për ta thënë troç, nëse ligji do të ishte në kundërshtim me kushtetutën do të ishte shfuqizuar, ligji është në fuqi. Do ta çojmë këtë punë deri në fund. Prandaj jemi që ky shtet të vazhdojë të modernizohet. Për atë fjalën që the 'dhimbjet e lindjes', unë të falenderoj që zgjodhe atë dhimbje që përshkrove dhimbjen që unë ndjeva. Por në respekt të zonjave kolege por edhe të nënës tuaj që uroj të mos i kenë shkuar kot dhimbjet e lindjes...do të ishte mirë që asaj ti referoheshe me shumë respekt./ZËRI