Asnjë surprizë! 938 vota pro, Berisha rikonfirmohet në krye të PD

TIRANË- Përfundon procesi i numërimit të votave të Kuvendit të Partisë Demokratike. Nuk ka asnjë surprizë, nga 1000 votues, 938 kanë votuar pro Berishës duke e rikonfirmuar në krye të PD-së, kurse 55 kanë qenë kundër. Në Kuvendin e sotëm gjithashtu u votua edhe një ndryshim në nenin 63 të statutit, ku në raste të veçanta, me propozim të Kryesisë së Partisë ose të një të katërtës së anëtarëve të Këshillit Kombëtar, ky i fundit mund të miratojë ndryshime statutore, të cilat hyjnë menjëherë në fuqi dhe janë ekzekutive.
NJOFTIM PER SHTYP
Kuvendi Kombëtar, Ivi Kaso: Me 938 vota pro, Sali Berisha është rikonfirmuar në krye të Partisë Demokratike
Procesi u mbyll ashtu siç edhe patët mundësi ta ndiqnit në mënyrë transparente dhe të drejtpërdrejtë. Në përfundim të procesit të numërimit është hartuar procesverbali përfundimtar dhe përmbledhës i këtij procesi, i cili përmban këto shifra. Numri i votuesve sipas listës së zgjedhësve, votuesve që u identifikuan që ishin në sallë, ishte 1203. Rezulton se numri i votuesve që kanë votuar është 1000, sa është edhe numri i fletëve të votimit që u gjetën në 6 kutitë e votimit. Numri i votave të vlefshme është 993, 7 vota të pavlefshme. Ndarja e votave është si më poshtë, kanë votuar pro 938 delegatë, kanë votuar kundër 55 delegatë. Në bazë të nenit 46 pika 9 e Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, rezulton se Sali Berisha është rikonfirmuar në krye të partisë. Faleminderit./ZËRI
FOTOT PIKANTE/ Ç'nuk pamë nga Kuvendi i PD? Cara dhe Kalaja të buzëqeshur, Luan Baçi i mallëngjyer

TIRANË- Në 33 vite të krijimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha është shoqëruar gjithmonë nga e shoqja e tij, Liria. Por në Kuvendin e sotëm të Partisë Demokratike kishte një ndryshim. Për herë të parë po merrte pjesë edhe vajza e tij, Argita. E ulur larg prindërve, Argita ishte në sallë por u ngjit edhe në podium, ku edhe mbajti një fjalim.
Por Argita nuk ishte e vetmja që ra në sy!
Fotot e kapura nga LSA në Kuvendin e Partisë Demokratike tregojnë të gjithë pjesëmarrësit dhe momente 'pikante'. Igli Cara i ka hedhur dorën në qafën avokates Adriana Kalasë, ndërsa nuk kanë munguar as batutat mes tyre. Tregues ishte buzëqeshja, jo vetëm tek ta, por edhe tek të gjithë të pranishmit e tjerë. Gent Strazimiri, Bardh Spahia dhe Jozefina Topalli gjithashtu nuk kanë munguar. Edhe pse me dorë të fashuar, Strazimiri nuk ka munguar në takimin e rëndësishëm. Ndërsa i prekur nga fjalimet duket se ka qenë deputeti i Fierit, Luan Baçi. Fytyra e tij, tregon shumë!/ZËRI
FOTOT nga Kuvendi i PD:
Ish-këshilltarja e Bashës kundër futjes së Malltezit në politikë: Je non-grata, ndryshimin e sjell rinia
TIRANË- Ish-këshilltarja e Lulzim Bashës, gjatë kohës që ky i fundit drejtonte Partinë Demokratike, Desada Metaj ka dalë hapur kundër futjes në politikë të vajzës së kryedemokratit Sali Berisha, Argita Malltezi. Pasi kjo e fundit deklaroi nga Kuvendi i Partisë Demokratike që u mbajt sot se do të rikthejë shpresën në vendin tonë, Metaj shkruan në një postim në Facebook se nuk ndihet e përfaqësuar nga Malltezi. Futjen e Malltezit në politikë dhe premtimet për ndryshim nga Berisha, Metaj i konsideron të shëmtuara. Ajo shton se ndryshimet kanë ardhur gjithmonë nga rinia e studentët.
Postimi:
Një nga shëmtitë e politikës shqiptare është përdorja që i bëhet familjarëve me akuza personale për fëmijët dhe bashkëshortët. Por më e shëmtuar qënka kur dëgjon fëmijët e politikanëve kur të shiten si përfaqësues të brezit. Ah jo, nuk na përfaqësoni ju që keni përfituar nga priviligjet e baballarëve. Ju bëni mirë të shijoni çkeni përfituar në heshtje. Përndryshe, kur dilni dhe u kërkoni 50-60 vjeçarëve të ndryshojnë Shqipërinë që fëmijët tuaj të jetojnë të lumtur, dukeni që keni dhe probleme në formim. Sepse nuk ka ndodhur kurrë në historinë e njerëzimit që ndryshimi të vijë nga të moshuarit. Ndryshimin e sjell rinia, studentët. Ndaj mblidhni mendjen dhe pajtohuni me fatin. Nuk jeni brezi i djegur, jeni fëmijët e baballarëve që mbajnë përgjegjësi për djegien e shpresës për ne… e fatkeqësisht me gjasë dhe për fëmijët tanë! #jenongrata
Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur Kuvendin e tij Kombëtar. Takimi po mbahet në Pallatin e Kongreseve. Berisha ka shkuar në Pallatin e Kongreseve i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha dhe e bija, Argita Malltezi. Ish-kryeministri do të kërkojë votëbesimin e demokratëve në Kuvendin Kombëtar, pas humbjes së zgjedhjeve lokale të 14 majit. Gazment Bardhi dhe 15 deputetët që e mbështesin atë munguan në takim. Berisha u shpreh se nuk do të dorëzohet dhe "Mosbindja civile" ishte betimi i tij para delegatëve. Argita Malltezi, vajza e ish-kryeministrit Berisha për herë të parë mori pjesë në Kuvendin Kombëtar dhe tha se vendi rrezikon që të bjerë në diktaturë dhe se duhet rikthyer shpresa.
Kuvendi i PD/ Rikonfirmohet Berisha, Argita Malltezi: Do rikthejmë shpresën (Kush bojkotoi)
Pjesëmarrja e Argita Malltezit në Kuvend, Berisha: Do të jetë vetëm aktiviste

TIRANË- Në kuvendin e mbledhur nga ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur procesii votëbesimit të tij. Pas votimit Berisha ka deklaruar se nuk është një betejë politike por një betejë për Shqipërinë.
“Jeni dëshmitarë të zhvillimeve dramatike, më dramatike nga viti 92 gjer sot të grushtit të shtetit brenda shtetit ndaj opozitës. Ju keni parë se si Edi Rama po merr pushtetet e Parlamentit, në tërësi, por të opozitës kryesisht, mirëpo kjo përbën një atentat më të rëndin që ka ndodhur në 32 vite ndaj demokracisë. Kjo është shpallje lufte ndaj opozitës. De facto jemi në kushtet e një grushti shteti brenda shtetit dhe kjo situatë i dikton Partisë Demokratike agjendën e saj duke nisur nga Parlamenti e deri në strukturat e saj,"-tha Berisha.
Ai gjithashtu u pyet nëse do jetë Argita pjesë e PD?
"Është një aktiviste e PD që në ditët më të para të themelimit të saj, ka qenë studente. Është fjalimi i parë publik në Kuvendin Kombëtar të Partisë, nuk do të thotë asgjë më shumë se sa një fjalim, shprehu mendimet e veta si aktiviste”, tha Berisha.
Argita Malltezi ka mbajtur fjalimin e saj të parë në Kuvendin Kombëtar të Rithemelimit, i thirrur për votëbesimin e ish-kryeministrit Berisha pas humbjes së zgjedhjeve vendore të 14 majit.
FOTOT/ ZËRI e paralajmëroi 1 muaj më parë, sot 'zyrtarisht' Argita Malltezi hyn në politikë (MESAZHI)

TIRANË- Argita Malltezi vajza e ish-kryeministrit Berisha për herë të parë mori pjesë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike. Në fjalën e saj në Kuvend, Malltezi u shpreh se varfëria në vend është rritur frikshëm dhe po konkurron me krimin. Gjithashtu vajza e ish-kryeministrit tha se vendi rrezikon që të bjerë në diktaturë, ndërsa shtroi disa herë pyetjen se çfarë ndodhi që gabuan dhe janë në këtë gjendje.
Pjesëmarrja jo dhe aq surprizë e Argita Malltezit në Kuvendin e PD-së vjen as një muaj pas daljes së saj publike në emisionin "Top" Story" të Grida Dumës ku foli me gjuhën e një politikaneje pasi sqaroi dhe pozitat ligjore të bashkëshortit të saj të akuzuar për 'korrupsion aktiv' si dhe 'pastrim parash' në dosjen e Kompleksit 'Partizan'. Por a po i hyn rrugës së politikës Argita Malltezi si një pasardhëse e babait të saj? Ky i fundit e mohon, duke e parë angazhimin e saj prej një aktivisteje e qëndrestareje. Por duket se angazhimet e saj publike e së fundmi dhe politike thonë të kundërtën dhe Zëri këtë e lajmëroi një muaj më parë.
FJALIMI I PLOTË:
Jam mirënjohëse që jam sot para jush, jo vetëm si një mbështetëse e Partisë Demokratike, por edhe si nënë e katër fëmijëve dhe një nga mijëra profesionistët e shtresës së mesme, që kanë punuar në profesionet e tyre me besimin e zhvillimit të një vendi më të prospertë, të një të ardhmeje më të mire.
Sot pas 10 vitesh, 1 miljon Shqiptare jane larguar nga vendi. Varferia eshte rritur frikshem e konkuron me krimin. Diku ne gabuam. Secili prej nesh u përpoq shumë dhe rendi drejt sigurisë ekonomike, por harruam një mësim të historisë të cilin e kemi përjetuar: të drejtat politike janë thelbësore për ushtrimin e lirive ekonomike. Nëse lejojmë kufizimin e tyre ne rrezikojmë të ri-biem në diktaturë të ngjashme me atë që kemi përjetuar. Me një dallim: sot ne n’a lejohet të lëmë gjithçka dhe të ikim. Të largojmë gjënë më të shtrenjtë – fëmijët tanë, gëzimin e vatrave tona, të ardhmen e vendit. Kjo nuk quhet zgjedhje, ky është nënshtrim, përdhosje e të drejtave tona.
Në vitet ’90 kam marrë pjesë aktive në të gjithë ngjarjet e lëvizjes së dhjetorit dhe muajve që pasuan, pa pasur asnjë qëllim angazhimi në politikë, dhe në fakt – për shkak të moshës – pa pasur as edhe pretendime ekonomike. Ajo që nuk mund të pranoja dhe që më bënte absolutisht të vendosur në qëndresën time ishte mohimi i lirive politike– e drejta e fjalës, e drejta e mendimit ndryshe, e zgjedhjes së mënyrës së jetesës, e shkollimit, e drejta e besimit. Ne e refuzuam këtë sepse donim të jetonim si njerëz të lirë, me dinjitet. Ne hymë në grevë urie për heqjen e emrit të Enver Hoxhes nga UT, si një provë force ndaj rregjimit dhe fituam. Ne pra, ishim brezi që ditëm të qëndronim dhe fituam ndaj diktaturës më të egër të lindjes. Fituam sepse guxuam! sepse qëndruam! sepse u bëmë bashkë!
Pyes përsëri veten, çfarë n’a ndodhi? Në cilën pikë të rrugëtimit tonë gabuam që erdhëm në këtë gjendje. Pse nuk qemë të aftë të krijojmë një shtëpi, një të ardhme të sigurt për fëmijët tanë në këtë vend. Ndoshta sepse në një moment, ne i thamë vetes se misioni ynë u krye, se rruga jonë e ngushtë e profesionit, apo puna e secilit, qe më e rëndësishme dhe e pavarur nga rruga e gjerë, e përbashkët e të gjithëve. Se nuk kemi mundësi, kohë apo se nuk ia vlen të ngresh zërin për çdo gjë, se nuk ia vlen të kundërshtosh një të keqe që nuk të prek direkt në një moment.
Por e keqja forcohet nga indiferenca jonë dhe ajo u bë gjithnjë e më imponuese. Ne dënuam veten me pasojat me të cilat sot përballemi, në momentin kur zgjodhëm lëvozhgën pavarësisht thelbit. Kur nuk u ngritëm për më të pamundurit, që mbushën qelitë për faturat e dritave, ne nuk pamë se e keqja shpejt do trokiste në dyert e atyre që ishin jo thjesht konsumatorë, por gjeneratorë të ekonomisë.
Kur puna në parcelat e kanabisit u bë bujqësia e re, ne injoruam faktin që krimi shpejt do të përhapej në çdo cep rruge e do të kërcënonte fëmijët tanë. Kur spitalet tona ndaluan së ofruari ilaçe dhe trajtim për sëmundjet ne nuk ngritëm zërin t’a kërkonim fuqishëm këtë të drejtë që n’a takon, por kërkuam alternativa jashtë vendit. Kur pushteti ndërhyri në çdo të dhënë personale do të kish qenë në dinjitetin e çdo njeriu të lirë ta shkundte nga themelet kalbësirën që kërkon të n’a dominojë, por ne u tutëm dhe thamë se këta të bëjnë çdo gjë.
Kur arsimi degradoi rrokullimthi, kur rruga u bë kërcënim i përditshëm, kur krimi pushtoi ekonominë dhe mori në dorë qeverisjen e vendit, me heshtjen tonë ne lame në baltë të ardhmen e fëmijëve tanë.
Gritschneder thotë se “Popujt qe flenë ne demokraci, rrezikojnë të zgjohen në diktaturë”.
Ne harruam se çfarë kishim qenë të aftë të bënim, ne -brezi që rrëzoi një diktaturë dhe që ngriti nga hiçi një ekonomi tregu. Ne kemi ditur të ngrihemi dhe të luftojmë, por lejuam të keqen që erdhi nga kreu, të shtrihej e kapilarizohej në shoqëri dhe sot e gjejmë veten të ngërthyer prej saj. Ajo që është më e pafalshme është mësimi, shembulli që u lamë fëmijëve tanë. Ndryshe nga sa kishim bërë vetë 30 vite më parë, ne deshëm të evitonim përballjen e tyre me të keqen. U mësuam atyre se është më mirë të ikin e t’i përvidhen të keqes sesa të përballen e t’a mundin atë.
Por kjo është rruga e nënshtrimit, e kurrizpërthyerjes. Nëse ne nuk u mësojmë atyre se si të përballen, fëmijët tanë rrezikojnë, të jenë një ushtri të frikësuarish e të nënshtruarish të shpërndarë nëpër botë, pavarësisht sa të pasur apo të shkolluar mund të bëhen. A është detyra jonë që sot edhe një here, në emër të misionit prindëror, t’a bëjmë këtë betejë për fëmijët tanë? T’u mësojmë atyre qëndresën ndaj të keqes, përballjen me dinjitet. Për t’u dhënë një trashëgimi që do t’u vlejë pavarësisht vendit ku do jetojnë. Nëse sot shpresa është vrarë, është detyra jonë t’a kthejmë atë. Të tregojmë se ikja nuk është zgjidhja, se njeriu mund të arrijë çdo majë nëse beson, të mundë çdo të keqe nëse qëndron dhe guxon. Fëmijët tanë shkojnë në vende ku punësimi, shëndetësia, shkollimi ofrojnë siguri, por ne nuk duhet t’a lëmë shtëpinë e tyre të shkretohet.
Kjo tokë është trashëgimia e tyre me ligjin natyror – ajo që u ka dhënë Zoti kur erdhën në këtë botë. Ata mund të bëhen më të pasur e më të zotë atje ku janë, por kjo mbetet shtëpia e tyre. Eshtë detyra jonë të mbajmë hapur shtëpinë për ta. Të kthehemi dhe të korrigjojmë gabimet tona, të rregullojmë atë që u prish edhe nga indiferenca jonë ndaj së keqes. Që një ditë, kur ata të kthehen t’a gjejnë shtëpinë e tyre mikpritëse dhe ftuese. Kjo kërkon që ne të ngrihemi dhe një here, tashmë jo më për vete, por për fëmijët tanë.
Partia Demokratike ka qenë gjithnjë parti e frymës. Ndaj unë kam besim se në radhët e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, më shumë se kudo tjetër, ka idealistë që, njësoj si 30 vite më parë, kanë brenda vetes forcën dhe motivimin për t’u ngritur dhe për të bërë ndryshimin. Jam e bindur se nevoja për të risjellë ligjshmërinë dhe shpresën tejkalon interesat politikë dhe është tashmë kërkesë e të majtëve dhe të djathtëve.
Sot është koha e aksionit për çdo njeri. Çrrënjosja e të keqes, çlirimi i shpresës nga vargonjtë e krimit do të jetë ndoshta arritja e dytë madhore e brezave që dikur rrëzuan një diktaturë. Për të realizuar një projekt madhor nuk nevojitet që të gjithë të bëjnë plane e veprime të mëdha, por që të gjithë të punojmë për një projekt të përbashkët dhe që secili nga ne të mbajë qoftë edhe veç një gur në ndërtimin e tij – gurin e besimit, të veprimit, të shpresës, apo të bashkimit.
U drejtohem në mënyrë të veçantë grave, nënave. Ju që jeni fortesat dhe zemra e shtëpive tuaja, ju jeni mjaftueshëm të forta për t’a ringritur shtëpinë tonë të madhe, të përbashkët. Ju jeni të afta të bëni ndryshimin, ndaj bëhuni balli I aksionit për ndryshim të Partisë Demokratike dhe jepini asaj energjinë tuaj. Ju që njihni hallin e çdo shtëpie të lagjes suaj, bëjini ato shqetësimin tonë të përbashkët, në mënyrë që t’u ktheni njerëzve shpresën e lehtësimit. Ju që thurrni ëndrra për fëmijët tuaj dhe njihni ëndrrat e tyre më mirë se kushdo, sillini ato që kjo force t’i kthejë në projekte të shpresës së Shqipërisë.
Ju që keni ngritur familjet tuaja, bashkoni forcën tuaj në aksionin politik të Partisë Demokratike që të ngremë dhe një here së bashku të ardhmen e Shqipërisë dhe të kthejmë shpresën nën kulmin e saj. Si njëra prej jush unë unë e di forcën që ju mbartni, energjinë që ju përcillni. Unë e di se me ndihmën e Zotit, nuk ka qëllim që njeriu nuk mund t’a arrijë, nuk ka të keqe që ne nuk e mundim dot. Por, guximi dhe qëndresa jane djepi i FITORES! Ndaj le të ngrihemi edhe një here për shtëpinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët.
Kuvendi që (nuk) bashkoi demokratët. Nga Bardhi te Salianji, kush e 'bojkotoi' Berishën

TIRANË- Kuvendi Kombëtar i thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha po mbahet sot në Pallatin e Kongreseve. Kuvendi u lajmërua me premtimin se do bashkonte demokratët por në takimin e sotëm Berisha u gjend pa shumë prej bashkëpunëtorëve të rikthyer krah të tij gjatë aksioneve të fundit në Parlament.
“Grupi parlamentar i PD është i bashkuar. Pra, grupi është sot simbol i qëndresës së PD. Problemet, të cilat nuk i injoroj, janë në zgjidhje e sipër. Kjo është e sigurt. Dëshira është që deputetët të jenë në Kuvendin Kombëtar, por bashkëpunimi do të vazhdojë sikur kanë qenë në sallë”, tha Berisha.
Ish-kryeministri pritet të kërkojë votëbesimin e demokratëve, për t’u zgjedhur kryetar i PD-së. Por i pari që nuk u pa në Pallatin e Kongreseve ishte Gazment Bardhi, e bashkë me të edhe 15 deputetë që mbështesin atë. Në sallë nuk u panë as deputetët që kanë bërë fushatë si Ervin Salianji, që doli fitues në Kavajë, apo Agron Gjekmarkaj dhe Ferdinand Xhaferaj.
Ndërkohë edhe pse nuk mori pjesë në Kuvendin e PD-së deputeti Ervin Salianji ka reaguar në rrjete sociale, duke theksuar në shkrimin e tij se opozita ka nevojë për ndryshime të thella. Salianji shprehet se opozita e ka jetike transformimin rikonceptimin, ridimensionimin dhe qasjen ndryshe me qytetarët dhe vetveten.
"Opozita e ka jetike transformimin, rikonceptimin, ridimensionimin dhe qasjen ndryshe me qytetarët dhe vetveten! Korrigjimet janë të pamjaftueshme, ndryshimet e thella më shumë se të domosdoshme! Bashkimi mes vetes dhe hapja drejt shoqërisë është frymëmarrje jetike për opozitën sot! Nevoja për ti hapur rrugën me meritë më të mirëve, profesionistëve me integritet, diasporës, të rinjve, shoqërisë!"-shkruan ai në postimin e tij në Facebook.
Ky kuvend, me shumë gjasa, votëbesimin ndaj Berishës do të ketë si vendimin e vetëm domethënës, ndërsa forcimi i aksionit opozitar si në Kuvendin e Shqipërisë apo dhe në terren nuk do të formalizohet dhe me njërin prej fraksioneve të PD-së.
Lista e deputetëve që nuk morën pjesë në Kuvend:
Gazment Bardhi
Dhurata Ccupi
Ervin Salianji
Agron Gjekmarkaj
Ferdinand Xhaferaj
Saimir Korreshi
Dashnor Sula
Lefter Gwshtenja
Zheni Gjergji
Qani Xhafa
Xhelal Mziu
Bledion Nallbati
Helidon Bushati
Ramadan Likaj
Flamur Hoxha
Tomor Alizoti
Sorina Koti
Bujar Leskaj
Isuf Celaj
Kastriot Piroli
"Rama rrëzohet me mosbindje civile", Berisha betohet në Kuvendin e PD-së

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha nga mbledhja e Kuvendit Kombëtar bëri një analizë të situatës politike në vend. Berisha theksoi se në krye të qeverisë udhëheq një bandë dhe sipas tij paratë e drogës po shndërohen në vota.
Në fjalim Berisha gjithashtu u shpreh se nuk do të dorëzohet dhe "Mosbindja civile" ishte betimi i tij para delegatëve.
"Aksion pa kthim për votën e lirë. Edi Rama nuk do të rrëzohet me fjalime por me mosbindje civile,-theksoi Berisha.
Berisha: Ardhja juaj sot në këtë Kuvend, është dëshmi e vazhdimit të lidhjeve mes dy forcave politike (për deputetin e Forca Italia), mes Forca Italia dhe PD-së, miqësi dhe bashkëpunim që nisi që në ditët e para të themelimit të kësaj partie nga i pavdekshmi Sivlio Berlusconi.
Të dashur delegatë të Kuvendit Kombëtar të PD, jemi në mbyllje të vitit 2023. Fundi i vitit është gjithmonë kohë reflektimi, por sot ju ftojmë që të bëjmë një reflektim më të thellë, pasi kjo dekadë përbën një kohë të zezë për vendin. Kombi humbi shpresën, humbën votën e lirë. Ky ishim dhe ku jemi? Sot Kombi ynë është një komb shpresë humbur, që lëngon pasi trupi i tij është i kapluar nga metastazat e krimit, pasi është ndër më të plaçkiturit në vendet e Europës. Pronat po rrëmbehen nga investitorët strategjikë. Nuk kemi më gjykata popullore, por SKAP-in e partisë. Interesin kombëtar ia kemi shitur Serbisë, duke e shndërruar Tiranën si Beogradin e dytë. Popullsia është ulur me 35% në 10 vite. Kombi ynë është një komb në vdekje.
Të gjitha këto dhe shumë të tjera, ashtu si në diktaturën staliniste, sërish ndodhin nën shëmbëllturën e një demoni që ka rrëmbyer të gjitha pushtetet dhe që kërkon të mbajë pushtetin me forcë mandat pas mandati dhe ky demon është Edi Rama.
Sot, ne jemi përsëri në kushtet e një diktature të re, por jo ideologjike me burgje e kampe, por jemi në mobokraci, në narkodiktaturë, në të cilën njëlloj si në diktaturën ideologjike, pushtetet ndodhen në dorën e një njeriu. Ky njeri e ushtron pushtetin jo me ligje, jo me Kushtetutë, por me banda, me krime, me mafien e drogës. Ai kalon nga mandati në mandat sepse paratë e drogës, fuqia e krimit, shndërrohen në vota, kurse vota shndërrohet në krime, në grabitje të pasurive dhe fondeve publike, në vrasje, burgosje të kundërshtarëve, korrupsion transnacional për të shkatërruar opozitën.
Shndërrohen në frikë dhe tmerr dhe këto të fundit, njëlloj si në diktaturën ideologjike, shndërrohen në votë.
Në këtë dekadë, demokracia u shkatërrua, zgjedhjet e fundit ku shqiptarët kanë votuar të lirë, kanë qenë zgjedhjet e vitit 2013.
Në këtë zgjedhje u shkatërrua pluralizmi, logoja e partisë më të madhe opozitare, partisë që përmbysi diktaturën komuniste, është konfiskuar. Të drejtat kushtetuese të opozitës mohohen dhe një plagë e vjetër u rihap sërish, u rikthyen burgosjet politike të opozitës. Të këtë dekadë, parlamenti u shndërrua në një karikaturë, një parlament ku opozita në një grusht shteti brenda shtetit, humbet të drejtat e saj kushtetuese, ku në seancat e tij, garda bëhet badigardë e qeveritarëve dhe buxheti i shqiptarëve kalon në 4 minuta. Në këtë dekadë, u rikthye monizmi. Sot, ai qeveris ka më shumë pushtet edhe se diktatori i fundit komunist shqiptar, Ramiz Alia.
Në Shqipëri është rikthyer diktatura e bandave, e krimit, e drogës, ne do e përmbysim atë. Në këmbë, demokratë dhe demokrate, mosbindja civile është betimi ynë. Përmendëm se vendi ynë ka pasur armiq shqipfolës të rrezikshëm, por të mos keqkuptohemi, historia e Shqipërisë nuk është histori e tradhtarëve, është histori e heronjve, e patriotëve, e njerëzve të ndershëm, e demokratëve. Për çdo tradhtar, për çdo pushtues, ka pasur gjithmonë heronj shqiptarë që kanë shpëtuar Shqipërinë.
Berisha mbledh Kuvendin Kombëtar, mungon Bardhi dhe deputetët e tij

TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur Kuvendin e tij Kombëtar. Takimi po mbahet në Pallatin e Kongreseve. Berisha ka shkuar në Pallatin e Kongreseve i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha dhe e bija, Argita Malltezi. Ish-kryeministri do të kërkojë sot votëbesimin e demokratëve në Kuvendin Kombëtar, pas humbjes së zgjedhjeve lokale të 14 majit.
Ndërkohë ashtu si dhe u përfol Gazmendt Bardhi dhe 15 deputetët që e mbështesin atë mungojnë në takim. Bardhi dhe grupi i tij do e shoh në distancë këtë zhvillim, në vijim të asaj që e kanë deklaruar që në fillim, se ata nuk e njohin Berishën si kryetarin e tyre.
Në rendin e ditës janë edhe disa pika të tjera, që lidhen me zhvillimet e brendshme në parti apo gjendjen e vendit. Pritet edhe miratimi i një rezolute si do të vazhdojë aksioni opozitar. Punimet e këtij Kuvendi do të zhvillohet përmes dy Komisioneve:
Komisioni i drejtimit të punimeve të Kuvendit:
Luciano Boçi, kryetar
Lindita Metaliaj, anëtare;
Sorina Koti, anëtare;
Greta Bardeli, anëtare;
Elda Hoti, anëtare;
Komisioni për verifikimin e mandative:
Ledio Nuraj, kryetar;
Adriana Kalaja, anëtare;
Franc Nuri, anëtar;