Rriten tensionet/ MPJD: Emigrantët të shmangin udhëtimin nëpër Serbi

KOSOVË-Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) u ka kërkuar emigrantëve që të shmangin lëvizjen nëpër territorin e Serbisë. Masa vjen pas ngjarjes së rëndë ku një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur gjatë një kontrolli rutinë në Loznicë të Serbisë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd bën me dije se po ndjek nga afër zhvillimet në lidhje me pretendimet e Ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiç për një incident në magjistralen afër Loznicës në Serbi, ku pretendon që ka mbetur i vrarë një polic serb dhe i përfshirë në këtë rast sipas tij është një shtetas i Republikës së Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës shton se do të mbajë të informuar opinionin publik për këtë rast dhe apelon te mërgimtarët dhe qytetarët e Kosovës që të rrisin kujdesin gjatë kalimit nëpër Serbi dhe sipas vlerësimit të situatës të shmangin lëvizjen përmes territorit serb. Më herët, kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se organet e sigurisë po punojnë për mbledhjen e informacioneve./ZËRI
“Vëllai më ka vjedhur dokumentet”/ Artan Hajrizi flet pas vrasjes së policit serb: Nuk isha unë!

KOSOVË- Artan Hajrizi, të cilit iu gjet pasaporta në taksinë nga e cila mbrëmë u qëlluan ndaj policëve serbë në Loznicë, ka folur nga Gjermania. Në një intervistë për mediat e Kosovës, "Lajmi.net", Artani pohon se ndodhet prej disa kohësh në Gjermani dhe nuk ka mundësi që të jetë ai autori i ngjarjes. Por e zbulon vetë identitetin e personit që ka kryer vrasjen e plagosjen. Sipas tij, autori është i vëllai, Fatoni.
“Fatoni erdhi këtu dhe më vodhi dokumentet”, tha Artani gjatë intervistës.
Të njëjtën version ka mbajtur edhe babai i dy vëllezërve, Mustafa Hajrizi.
"Fatoni ka shkuar në Gjermani me vëllain e tij dhe i ka vjedhur pasaportën. Artani ka tetë vjet që punon në Gjermani", tha Mustafa.
Fatoni është dënuar më parë për vrasjen e një ushtari rus, afër Drenicës. Ai është arratisur nëntë herë nga burgu., më e fundit ishte disa javë më parë, kur edhe doli live në rrjetin social "TikTok". Kërkimi për kapjen e tij ende vazhdon, ndërsa Policia serbe është e fokusuar në rajonin e Loznicës./ZËRI
Ç'ndodhi në Loznicë?! Shqiptari hap zjarr, vret policin serb, plagos një tjetër. Nis MEGAAKSIONI për ta arrestuar

BEOGRAD- Një polic është vrarë dhe një tjetër është plagosur gjatë një kontrolli rutinë në Loznicë të Serbisë. Përplasja e përgjakshme ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur Artan Hajrizi po tentonte që të kalonte në Serbi. Gjatë një kontrolli rutinë, ai është përplasur me efektivët e policisë serbe dhe ka qëlluar për vdekje policin 34-vjeçar Nikolla Krsmanoviç dhe la të plagosur Vjekoslav I., 50 vjeç.

Ky i fundit ndodhet i shtruar në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.
Si ndodhi ngjarja?
33-vjeçari ishte me një taksi dhe po tentonte që të hynte në Serbi. Pasi kaloi pikën kufitare u ndalua nga Policia për kontroll. I pyetur se ku po shkonte, 33-vjeçari u pohoi efektivëve se kishte si destinacion shtëpinë e një shoku në Loznicë, por në momentin që i kërkuan të hapte çantën që kishte me vete, aty shqiptari hapi zjarr. Një person është ndaluar në vend, ndërsa Hajrizi është në arrati.


Ai është identifikuar nga letërnjoftimi gjerman që kishte lënë pas në mjet. Megjithatë kërkimet për të ende vazhdojnë. Madje mediat serbe bëjnë me dije se në ndihmë të Policisë janë vendosur edhe helikopterët e ushtrisë.
Kush është autori i vrasjes?
Artan Hajrizi duket se nuk është një person i panjohur për Policinë e Kosovës. Ai është vëllai i Faton Hajrizit, i cili së fundi u arratis nga burgu në Smrekovicë më 6 korrik, në Republikën e Kosovës. Ky i fundit ishte dënuar për vrasjen e një ushtari rus, pjesëtar i KFOR-it, dy dekada më parë në afërsi të Drenicës. Por dukej i vendosur që të mos e kryente dënimin e tij, pasi ishte arratisur gjithsej 9 herë nga burgu. Herën e fundit, doli live në TikTok për të bërë ankesat e tij./ZËRI
E rëndë në Serbi, një polic i vrarë dhe një i plagosur. Daçiç: Autori ishte një shqiptar (Emri)

SERBI- Një polic serb është vrarë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur, në orët e para të mëngjesit të sotëm, në zonën e Loznicës. Lajmi është konfirmuar nga Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, ndërsa thotë se autor i dyshuar për ngjarjen është një shtetas shqiptar.
Ministria e Brendshme e Serbisë ka thënë se në vendngjarje është gjetur një pasaportë e të dyshuarit të lëshuar nga autoritetet e Kosovës me emrin e Artan Hajzirit, dhe një dokument tjetër gjerman identifikimi.
Ivica Daçiç ka thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:55, kur zyrtarët policorë, teksa kanë qenë duke kontrolluar makinat në një pikë kontrolli në Lipniçki Shor, kanë ndaluar një makinë Mercedes, me targa të Tutinit të Serbisë, në të cilën kanë qenë dy persona.
Sipas Ministrisë, njëri prej personave, më pas, ka qëlluar me armë duke e goditur zyrtarin policor Nikolla Kërsmanoviç në gjoks dhe zyrtarin policor Iliç Vjekosllav në shpatull, dhe më pas është larguar.
Sipas saj, policia është në kërkim të autorit të dyshuar të ngjarjes. Kërsmanovicx ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa punonjësi tjetër i policisë është dërguar për trajtim në spital. /ZËRI