LIVE UPDATES

Seanca për Kosovën në OKB, Vuçiç: Kurti përndjek serbët. 'Zgjidhja' e Osmanit! Rusia krah Beogradit

➤ Është mbajtur këtë të hënë në Nju Jork seanca e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kushtuar raportit 6-mujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut. ➤ Në takimin e sotëm, Serbia përfaqësohet nga presidenti Aleksandër Vuçiç. Ndërsa Kosova, nga Vjosa Osmani, e cila nuk është e vetme. Me të janë edhe 4 gra të dhunuara gjatë kohës së luftës në Kosovë. ➤ Ndoshta për shkak të tyre, para se të futeshin në sallë është shënuar edhe një 'incident', pasi një pjesë e delegacionit të Prishtinës nuk është lejuar të hyjë në godinë. ➤ Sesioni i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për punën e UNMIK-ut po mbahet në një kohë të tensioneve të shtuara mes Beogradit dhe Prishtinës, për të cilën kontribuojnë mosmarrëveshjet për përdorimin e dinarit në Kosovë dhe zgjedhjet e njëanëshme të mbajtura në veri të Kosovës. ➤ Vuçiç gjatë fjalës së tij akuzoi Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti se përndjek serbët në veri. ➤Ndërkohë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, akuzuan Serbinë se nuk kanë bërë asnjë përpjekje për të gjetur sulmuesit në Banjskë, ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku. ➤ Ndërsa Rusina, u rreshtua në krah të Serbisë.

9 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

VIDEO- Osmani flet për krimet serbe në Kosovë, Vuçiç reagon i shqetësuar në OKB

Seanca për Kosovën në OKB, Vuçiç: Kurti
Aleksandër Vuçiç

SHBA- Mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka vendosur përballè presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Por disa momente shqetësimi nga ana e Vuçiç nuk kanë munguar. Këshilltarja e presidentes së Kosovës, Engesa Vitia ka publikuar pamjet, kur Vuçiçin duket se nuk e zë vendi, kur presidentja e Kosovës Osmani i përmend Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin e Shyhrete Tahirin, të cilët serbët i kanë vrarë familjet e i kanë dhunuar.

"Ky është reagimi i Vuçiç kur Presidentja Vjosa Osmani flet për Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muçollin e Shyhrete Tahirin. Këto katër heroina janë simbol i forcës, i guximit, i mbijetesës, por edhe i sukseseve të Kosovës,"-shkruan ajo në postimin e saj në Facebook.

1 VITE ME PARE

Përfaqësuesi rus i del në krah Serbisë/ Akuzon Osmanin, Kurtin dhe ndërkombëtarët

Seanca për Kosovën në OKB, Vuçiç: Kurti
Vasily Nebenzya

SHBA- Përfaqësuesi i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit, hodhi akuza ndaj Kosovës për “shtypje të serbëve”. Nebenzya u shpreh se Kurti ka injoruar eksodin e shqiptarëve të Kosovës dhe Bashkësia evropiane nga ana tjetër, po mban anën e tij. Sipas përfaqësuesit rus, serbëve në Kosovë po u shkelen të drejtat. Ai kritikoi dhe fjalimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

"Mirëpresim pjesëmarrjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Incidenti i sotëm… Osmani është ulur në nivelin personal. Do doja përgjigje nga Këshilli. Po kryhet sot një takim për misionin e OKB në Kosovë, ndërhyrja e joligjore e NATO-s në punët e një shteti josovran u kthye në një bombardim jonjerëzor. Propozojmë që Këshilli i Sigurimit ta diskutojë këtë si një situatë, pasojat e së cilës ende nuk janë tejkaluar. Rëndësia e situatës vlerësohet nga pjesëmarrja e kreut të Serbisë dhe bëhet e vështirë për Këshillin, ndërkohë që Kurti nuk sheh eksodin masiv të shqiptarëve të Kosovës. Një pjesë e vogël e atyre që kanë ikur, janë kthyer, pasi nuk janë të sigurt. Bashkësia evropiane merr anën e Kurtit dhe kjo pa pasoja. Uashingtoni, Britania po ashtu po luan rol kundër komunitetit serb në Kosovë. Kur në fakt ata duhet të garantojnë integrimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Në veriun e Kosovës, të populluar nga serbët, veprojnë forca speciale të shqiptarëve të Kosovës. Pas tërheqjes së policisë së armatës serbe në 1999, po ashtu në këto vite është bërë terror i madh nga Prishtina dhe kjo pasqyrohet. Madje, iu ngjiten etiketime si komb gjenocidial”,-u shpreh Nebenzya.

1 VITE ME PARE

Mbledhja në OKB/ SHBA 'e ashpër' me Serbinë: Nuk ka gjetur sulmuesit e Banjskës

Seanca për Kosovën në OKB, Vuçiç: Kurti
Robert Wood

SHBA-Në seancën e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara po diskutohet situata në Kosovë. Në fjalën e tij zëvendëspërfaqësuesi i Përhershëm i SHBA-së në OKB Robert Wood, deklaroi se Serbia nuk ka ndërmarrë asnjë përpjekje për t’i gjetur përgjegjësit e sulmit të Banjskës më 24 shtator.

"Liderin e proklamuar të serbëve Milan Radoiçiç. Është kritike që Serbia të punojë me KFOR-in për ta parandaluar edhe një sulm tjetër sikur ai i shtatorit të vitit 2023. Jemi të shqetësuar me mungesën e lirisë së lëvizjes për qytetarët e Kosovës që po hynin në Serbi, përfshirë edhe serbët që shërbejnë në Policinë e Kosovës,"-tha Wood.

Përfaqësuesi i ShBA-së tha se e sheh këtë si kërcënim për serbët që duan të integrohen në jetën publike në Kosovë.

Më 24 shtator 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas sulmuesit u strehuan në manastirin e këtij fshati, prej ku vazhduan përleshjet me policinë. Gjatë përleshjeve u vranë tre sulmues. Pas sulmit, në Manastirin e Banjskës dhe objektet përreth, përfshirë shtëpi banimi, u konfiskua sasi e madhe armatimi, përfshirë 29 raketahedhës të mbushur dhe 7 të përdorur, automjete të blinduara, më shumë se 20 automjete malore dhe dy motorë për terrene malore./ZËRI

1 VITE ME PARE

Përplasje në OKB/ Osmani akuzon për krime lufte Serbinë, Vuçiç: Teatër, kurth!

Seanca për Kosovën në OKB, Vuçiç: Kurti
Aleksandër Vuçiç dhe Vjosa Osmani

SHBA- Teksa Osmani në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka rreshtuar krimet e luftës të kryera nga Serbia ndër vite, presidenti i Serbisë i ka quajtur pretendime dhe kurth për delegacionin serb.

Osmani: Zhdukja me forcë e qytetarëve tanë, shumica fëmija, përfaqësojnë një nga krimet më të rënda të regjimit të Millosheviçin. Ne kërkojmë të ecim në rrugën e drejtësisë, të përkushtohemi që krime të tilla të mos përsëriten. Përkundër dhimbjeve të paimagjinueshme, Fahrija nuk u dorëzua asnjëherë, ajo sot udhëheq një ndërmarrje, është bërë frymëzim për të gjitha gratë. Millosheviç dhe ministri i tij i propagandës, kanë ambicie që kjo të mos bëhet realitet, se kanë gjetur një popull që nuk do hakmarrje, por nuk dorëzohet. Populli i Kosovës do të mbetet mirënjohës që keni zgjedhur njerëzimin kundër shtypjes. Ishte vonë për Srebenicën ku 8000 burra dhe djem u vranë në zemër të Evropës. Me zemër përkushtohemi për rezolutën e genocidit në Srebenicë. Ju siguroj se në Kosovën e lirë, sovrane, do të gjeni një partner dhe aleat që nuk e merr për të mirëqenë paqen dhe lirinë. Të ardhmen e kemi të ndriçuar, jam e bindur që një ditë do të bashkohemi me ju në këtë tavolinë.

Vuçiç: Ka njerëz që nuk e kanë vendin këtu apo në ekipin këshill dhënës të Osmanit, është teatër politik dhe një kurth për delegacionin serb, unë u përqendrova, ka një person Marica Maloiç nga Kosova, kjo grua në këtë periudhë kohe është dhunuar disa herë, por kjo nuk ishte tema e takimit tonë.

Seanca e sotme po zhvillohet në lidhje me tensionet e zhvilluara së fundmi në Kosovë. Në këtë takim do të prezantohet raporti i rregullt gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut./ZËRI

1 VITE ME PARE

Vuçiç prek çështjen e dinarit në OKB: Vendimi i Kosovës vështirësoi jetën e serbëve

Seanca për Kosovën në OKB, Vuçiç: Kurti
Aleksandër Vuçiç

SHBA- Një nga çështjet që po diskutohet në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është ajo e dinarit serb. Në lidhje me çështjen, presidenti serb ka thënë se vendimi i Prishtinës zyrtare ua ka vështirësuar përditshmërinë serbëve dhe minoriteteve tjera në Kosovë. Ai theksoi se Prishtina e hoqi dinarin, që është kulmi i një fushate të zgjatur të motivuar etnikisht kundër serbëve dhe joshqiptarëve të tjerë.

“Jetesa për komunitetin serb në veri të Kosovës është bërë e pamundur. Ka një presion të vazhdueshëm kundrejt qytetarëve serbë. Persekutimi i tyre nga qeverisja e vetme në Kosovë, më duhet të kujtoj që Kurti po persekuton serbët.”, ka thënë Vuçiç.

Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë, duke e përjashtuar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit hyri në fuqi më 1 shkurt pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtare që të shtyhet zbatimi i saj. Autoritetet e Beogradit thanë se zbatimi i rregullores po kërcënon mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kritikuan ashpër për këtë çështje qeverinë e Kosovës duke vënë në pikëpyetje partneritetin me SHBA-në. Çështja e dinarit serb ka mbetur pezull, pasi edhe pas 5 takimeve mes palëve nuk është arritur një zgjidhje e përbashkët./ZËRI

1 VITE ME PARE

Osmani në OKB: Vuçiç bazohet në skenarin e Rusisë! Vazhdon të mbrojë ata që kryen krime në Kosovë

Seanca për Kosovën në OKB, Vuçiç: Kurti
Vjosa Osmani

SHBA-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ka deklaruar se presidenti serb, Alexandër Vuçiç ka strehuar, mbrojtur dhe promovuar policët dhe ushtarakët që kryen krime gjatë luftës në Kosovë. Ajo u shpreh se Kosova është një avokate e vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut, ndërsa iu përgjigj edhe pretendimeve të presidentit serb Vuçiç. Osmani nënvizoi se pretendimet serbe për spastrim etnik dhe persekutim të serbëve të Kosovës janë të pavërteta, të pabaza dhe të frymëzuara politikisht nga Beogradi.

Osmani gjithashtu rrëfeu vuajtjet e Kosovës duke përmendur në fjalimin e saj ndërhyrjen e NATO-s 25 vjet më parë në vend. Ajo tha se me këtë u shënua një moment historik në historinë moderne të njerëzimit dhe një kthesë për kosovarët që ishin në kërkim të lirisë.

Vjosa Osmani: Sot, teksa qëndroj këtu duke përfaqësuar vendin tim, Republikën e Kosovës, më kujtohet ndikimi i thellë i bashkimit të demokracive për një qëllim të përbashkët. Ishte vetëm 25 vjet më parë, kur ndërhyrja e NATO-s së bashku me aspiratën e palëkundur të popullit tim për liri, shënuan jo vetëm një kthesë vendimtare në historinë e vendit tonë, por edhe një moment historik vendimtar në historinë moderne të njerëzimit. Ajo ndërhyrje nuk kishte të bënte vetëm me ndërtimin e paqes; ishte kryesisht dhe më e rëndësishmja, për mbrojtjen e shenjtërisë së jetës njerëzore dhe të drejtën e të gjithë njerëzve për të jetuar të lirë nga frika e shkatërrimit dhe persekutimit. Ajo nënvizoi domosdoshmërinë që kur njëri prej nesh kërcënohet nga tirania, është një kërcënim për të gjithë. Na kujtoi domosdoshmërinë e të vepruarit si forcë e bashkuar përballë padrejtësisë së rëndë, duke mbrojtur me çdo kusht jetë njerëzore. 25 vjet më vonë, Kosova shkëlqen si një sukses i jashtëzakonshëm dhe avokuese për vlerat demokratike, duke përqafuar diversitetin, duke promovuar multietnicitetin dhe avancuar të drejtat e njeriut për të gjithë. Ne kemi bërë një rrugë të gjatë që atëherë dhe jemi dëshmitarë të një transformimi të jashtëzakonshëm dhe frymëzues. Republika jonë e re jo vetëm që ka kapërcyer rrënojat e luftës, por është kthyer në një shembull të shquar të ‘demokracisë në veprim’ të ushqyer nga shpirti i gjallë i rinisë sonë dhe vendosmëria e palëkundur e popullit tonë.  Pra, zonja dhe zotërinj, ju mund të dëgjoni propagandën e Vuçiç dhe ta lejoni ta shtyjë përpara revizionizmin e tij historik të bazuar në skenarin e Rusisë, por e vetmja e vërtetë për regjimin e Vuçiqit është ajo që është në mohim të vazhdueshëm dhe duke mos pranuar kurrë përgjegjësinë për këto krime të tmerrshme; asnjëherë duke mos kërkuar falje apo duke shfaqur shenja pendimi. Kurrë! Masakra e Poklekut, si të gjitha masakrat tjera nëpër Kosovë, tregoi se Millosheviçi dhe ministri ministri i tij i atëhershëm i propagandës, sot i ulur në karrigen e Presidentit, jo vetëm që kërkonin t’i shfarosnin të gjithë shqiptarët e Kosovës nga faqja e dheut, por donin t’i zhduknin edhe provat dhe të mos kishte dëshmitar. Megjithatë, ata dështuan pareshtur. Elhamja mbijetoi për t’i treguar botës historinë e familjes dhe kombit të saj. Pavarësisht se humbi nënën, tri motrat, dy vëllezërit dhe shumë kushërinj gjatë kësaj masakre, ajo është kthyer në mishërim të vërtetë të qëndresës dhe forcës dhe në mbrojtëse të palëkundur e së vërtetës dhe luftës për drejtësi.

Elhame Muqolli, që më shoqëron sot në takim, ishte vetëm 14 vjeçe kur shtëpia e saj u bastis nga forcat policore të Serbisë. Fillimisht u qëllua mbi 53 civilë, kryesisht fëmijë, pasi të gjithë ishin mbledhur në një dhomë. Ndërkohë që policia u largua për t’u furnizuar, Elhamja arriti të hidhej nga dritarja dhe të largohej me vrap, pavarësisht se ishte plagosur nga plumbat. Menjëherë pas kësaj, policia u kthye e pajisur me benzinë për t’i vënë flakën të gjithë 53 civilëve. Elhamja nuk do të mund të harrojë kurrë ulërimat shurdhuese të disa prej fëmijëve që ishin ende gjallë teksa po digjeshin. Dhe si të mos mjaftonte kjo, policia i vuri flakën vazhdimisht. Fëmijët e vegjël 6 dhe 10 muajsh u dogjën në përpjekje për t’i zhdukur nga faqja e dheut vetëm se ishin shqiptarë; vetëm sepse i përkisnin një etnie të ndryshme nga ajo e policëve dhe ushtrisë. Shkalla e djegies së trupave ishte aq e rëndë sa që anëtarëve të mbijetuar të familjes u mbeti aq pak nga më të dashurit e tyre sa të mund t’i vendosnin të gjitha 53 viktimat në një varr të vetëm. Një memorial u ndërtua në përkujtim të viktimave afër vendit ku ndodhi gjithçka, por asnjë politikan serb – asnjë i vetëm, nuk u gjunjëzua para varrit të atyre fëmijëve të vegjël. Dhe kur mendon se masakra të këtyre përmasave ndodhën pothuajse në çdo cep të vendit, me fëmijë të vegjël, gra, duke përfshirë edhe shtatzëna, të vrarë pa mëshirë, për shkak të mendësisë luftënxitëse që është ende e gjallë dhe ka nisur në Beograd.

/ZËRI

1 VITE ME PARE

Kosova në OKB/ Vjosa Osmani s'është vetëm, e shoqërojnë 4 gra heroina

Seanca për Kosovën në OKB, Vuçiç: Kurti
Vjosa Osmani

SHBA- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë një zgjedhje të rëndësishme në seancën e sotme të sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Në takimin e sotëm që po mbahet në Amerikë, Osmani nuk është vetëm. Bashkë me të janë: Fahrije Hoti, Vasfije Krasniqi, Elhame Muqolli dhe Shyhrete Tahiri. Të gjitha viktima të dhunës gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Në këtë mbledhje, Osmani tha se do të sigurohet që të dëgjohet zëri i qytetarëve të Kosovës, e të jenë vetë ata që të dëshmojnë se si Kosova është në të vërtetë një histori suksesi pavarësisht dhimbjeve./ZËRI

1 VITE ME PARE

DETAJI nga mbledhja në OKB/ Kosova nuk përmendet në tryezë (FOTO)

Seanca për Kosovën në OKB, Vuçiç: Kurti
Aleksandër Vuçiç dhe Vjosa Osmani

SHBA-Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) ka nisur mbledhjen ku do të raportohet për zhvillimet e fundit në Kosovë. Por teksa palët po diskutojnë, një detaj është vënë re në tryezat e homologëve.

Përpara vendit ku është ulur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shkruhet Serbia, ndërsa përballë presidentets së Kosovës, në tabelë shkruhet, vetëm Vjosa Osmani. Nuk dihet arsyeja pse në tabelë nuk është shkruajtur emri i shtetit përfaqësues, ai i Kosovës. 

Seanca për Kosovën në OKB, Vuçiç: Kurti
MBISHKRIMET

Seanca e sotme po zhvillohet në lidhje me tensionet e zhvilluara së fundmi në Kosovë. Në këtë takim do të prezantohet raporti i rregullt gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut./ZËRI

1 VITE ME PARE

Përballë Osmanit në OKB, Vuçiç: Kurti po persekuton serbët

Seanca për Kosovën në OKB, Vuçiç: Kurti
Aleksandër Vuçiç

SHBA-Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) ka nisur mbledhjen ku do të raportohet për zhvillimet e fundit në Kosovë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të hënën në Nju Jork, se serbët në Kosovë po vazhdojnë të përballen me ngacmime dhe forma të ndryshme të dhunës nga autoritetet, por pa ofruar dëshmi.

“Më lejoni t'ju kujtoj se kjo seancë urgjente është mbajtur me kërkesë të Republikës së Serbisë, që Kosova e udhëhequr nga Albina Kurti shkaktoi tensione. Serbia i paraqiti Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjithçka që ndodhi, dhunë ligjore, dhunë fizike dhe shënjestrim selektiv të serbëve në Kosovë. Të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së vlerësuan se argumentet dhe ankesat tona të dorëzuara ishin në përputhje me faktet. 11 vjet më vonë, megjithëse serbët i kanë përmbushur të gjitha detyrimet e vështira sipas asaj marrëveshjeje, Asociacioni i Komunave Serbe nuk është as në dukje. Jetesa për komunitetin serb në veri të Kosovës është bërë e pamundur. Ka një presion të vazhdueshëm kundrejt qytetarëve serbë. Persekutimi i tyre nga qeverisja e vetme në Kosovë, më duhet të kujtoj që Kurti po persekuton serbët.”, ka thënë Vuçiç.

Kosova ndërkohë po përfaqësohet nga Presidentja Vjosa Osmani. Në këtë takim do të prezantohet raporti i rregullt gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për punën e UNMIK-ut. Sipas një njoftimi të presidencës së Kosovës, Osmani ditën e shtunë ka udhëtuar për në Amerikë. Gjatë ditës presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri të ditur se në ShBA gjendet bashkë me Fahrije Hotin, Vasfije Krasniqin, Elhame Muqollin dhe Shyhrete Tahirin, për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së./ZËRI

Poll

MOS HUMB