'Nusja s'erdhi kurrë', Rama për integrimin në BE: Nuk duhet të mendojmë datë, të bëjmë detyrat

GJERMANI- Kryeministri Edi Rama teksa foli për inegrimin e Shqipërisë në BE tha se duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë pastaj të mendojmë për një datë.
Rama u shpreh se ka kaluar një traum sa i përket datës. Sipas tij vendet duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë për të arritur standardet e vendeve anëtare.
“Unë mendoj, pikë së pari, që nuk duhet të mendojmë asnjë datë, nuk duhet të mbajmë data në mendje, sepse kam kaluar një traumë me këto data, organizime dasmash, çdo gjë ishte e caktuar, por nusja nuk erdhi kurrë. Na erdhi vetëm një letër që ishte raporti i progesit, ku thuhej iu dashurojmë, por vazhdoni të punoni sepse nuk jemi ende gati të flasim. Asnjë datë. Nuk ka të bëjë me ta, ka të bëjmë me ne. Asnjë nxitim. Negociatat janë transferimi më produktiv, i jashtëzakonshëm i njohurive që një vend mund të marrë për t’u shndërruar me institucione funksionale. Nuk duhet të nxitojmë, duhet t’i bëjmë detyrat e shtëpisë. T’i bëjmë vendet tona njësoj si vendet anëtare. Nuk mendoj se mënyra sesi procesi është i konceptuar nuk do të funksionojë. Ashtu siç është konceptuar, është ose asgjë, ose gjithçka. Ka të bëjë me ndryshimin e mënyrës sesi kjo marrëdhënie do të zhvillohet, diçka e cila duhet të jetë midis, gjithçka dhe asgjë dhe anëtarësimit të plotë për këdo, që do të ishte katastrofë nëse Evropa do të ishte si është sot. Janë 27, dhe mezi vendosin, imagjinoni tani të hyjnë edhe 6 nga Ballkani", tha Rama.
/ZËRI
FOTOT- Rama në Mynih takon Hillary Clinton: Me miken e madhe!
GJERMANI- Gjatë qëndrimit në Mynih Kryeministri Edi Rama është takuar me kolegë e figura të larta, ku ndër të cilat spikat takimi me ish-sekretaren amerikane të shtetit Hillary Clinton.
Rama ndau një fotogaleri nga ky takim i ngrohtë mes tij dhe Clinton shoqëruar edhe me një përshkrim.
‘Me miken e madhe të Shqipërisë dhe Kosovës, Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton’-shkruan Rama.





Rama nga Mynih: Kosova nuk po negocion me Beogradin, por me BE dhe SHBA

GJERMANI- Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në konferencën në Mynih tha se Kosova nuk po negocion me Serbinë, por me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, teksa përmendi planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sipas tij Serbia veproi gabim pasi sulmit në Basnjkë, ku presidenti serb, Aleksandër Vuçiç shpalli ditë zie kombëtare për ata të cilët kryen sulmin.
“Unë besoj se ka një gjë thelbësore që nuk duhet harruar, nga ana e vendeve që kanë bërë zgjedhjen, sepse askush nuk na kanë deturyar se ku të pozicionohemi. Shqiptarët, veçanërisht nuk kanë pasur shans per të zgjedhur për shekuj të tërë. Tani duam Evropën si Shqipërinë, por kjo është temë tjetër. Ne kemi zgjedhur, për mua nuk është kurrë kjo një justifikim për të mos bërë detyrat e shtëpisë. Serbia vërtet e ka prishur punën, jo atë ditë kur ndodhi Banjska, por të nesërmen kur presidenti Vuçiç e shpalli ditë zie për ata që e bënë sulmin. Dua të them atë që është për t’u thënë. Kosova nuk po negocion me Serbinë, pikë. Kosova po negocion me BE dhe SHBA. Ka një plan franko-gjerman. Serbia, me të gjithë progresin, nuk është vend etalon. Ne në Shqipëri dhe të gjithë ne këtu, nuk na pëlqen të gjitha gjërat që bëjmë, por duhet t’i bëjmë nëse duam të jemi bashkë në këtë komunitet. Na duhet të qëndrojmë së bashku. Kemi fqinjë që janë në BE dhe ata nuk duhet të harrojnë që kur kanë të bëjnë me ne, duhet të marrin parasysh edhe marrëdhëniet e fqinjësisë. Serbia duhet të vendosë, por Kosova nuk ka asgjë për të vendosur. Është një vend që është padyshim në këtë komunitet me SHBA dhe BE”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Mynih ku po zhvillohen punimet e Konferencës së Sigurisë./ZËRI
Integrimi në BE/ Rama në Mynih: Shpresoj të jemi shkëputur nga Maqedonia e Veriut!

GJERMANI- Kryeministri Edi Rama ndodhet në Mynih ku po zhvillohen punimet e Konferencës së Sigurisë. Gjatë konferencës në fjalën e tij Rama deklaroi se shpreson që Shqipëria të jetë e shkëputur nga Maqedonia e Veriut, në lidhje me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu Rama u shpreh se herën e fundit, Shqipëria u bllokua për shkak të mosmarrveshjeve të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.
“Shpresoj që të jemi tashmë të shkëputur nga Maqedonia e Veriut, sepse herën e fundit që ishim në çift, nuk na lejuan të hidhnim asnjë hap tjetër, për shkak të një situate që nuk lidhej me Shqipërinë, por me një vend tjetër, Bullgarinë. Duke qenë se i kemi zhvilluar konferencat ndërqeveritare, mendoj se jemi tanimë çift apo bashkë dhe pastaj zierja e këtij uji me këtë mase kafeje, është fakti që situata në Maqedoninë e Veriut, është rezultat i Bashkimit Evropian, që nuk është në gjendje të japë fund praktikës së rrëmbimit të vendeve, çka nënkupton vendet anëtare të përdorin vendin e tyre në tryezën e Bashkimit Evropian, si një levë kundër fqinjëve. Pasojat ndihen vetë në këto vende. Kjo është flaka që ndez më shumë nacionalizmin”, theksoi ai.
/ZËRI
Rama takon Talat Xhaferrin në Mynih

TIRANË- Kryeministri Edi Rama është takuar këtë të premte në Mynih me Kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut Talat Xhaferri. Takim i zhvilluar para nisjes së Konferencës së Sigurisë. Foton nga takimi e ka shpërndarë Rama, i cili shkruan se me Xhaferrin ka pasur një ‘’bashkëbisedim vëllazëror mbi sfidat e përbashkëta dhe programit të dy samiteve të fundshkurtit në Tiranë, për Ukrainën si edhe për Planin e Ri Ekonomik Europian të Rritjes’’.
POSTIMI I RAMËS:
Mynih - Me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, mikun tim Talat Xhaferri, pas një bashkëbisedimi vëllazëror mbi sfidat e përbashkëta dhe programit të dy samiteve të fundshkurtit në Tiranë, për Ukrainën si edhe për Planin e Ri Ekonomik Europian të Rritjes.
Më herët gjatë kësaj të premteje Kryeministri Edi Rama është takuar me Johannes Hahn, zv president i Komisionit Europian, i ngarkuar për Buxhetin dhe Administrimin. Ps takimit, përmes një postimi në rrjetet sociale kreu i Qeverisë shkruan se me Hahn ka folur mbi Planin e Ri të Rritjes Ekonomike për Vendet e Ballkanit Perëndimor./ZËRI
Rama shkon në zyrat e TikTok: Diskutuam nevojën për të rritur vigjilencën ndaj shantazheve online

MYNIH- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka vizituar zyrat e "TikTok" me zv.drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë, Theo Bertram. Ka qenë vetë kreu i qeverisë, Edi Rama, ai që ka ndarë foto nga takimi, ndërsa në mbishkrim, ndau edhe detaje nga diskutimi që kishte me ta. Rama ceku ngjarjet e fundit në Shqipëri, ku disa gra dhe vajza kanë ndërruar jetë për shkak të kërcënimeve që kanë marrë në rrjetet sociale. Ndaj edhe theksoi nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online.
"Mynih - Në zyrat e Tik Tok me zv. Drejtorin e Përgjithshëm të kompanisë Theo Bertram, ku diskutuam me mirëkuptim të plotë për ngjarjet e fundit në Shqipëri dhe nevojën për të rritur vigjilencën kundër dhunës, shantazheve e gjuhës së urrejtjes online, si edhe u njohëm me masat që po merren nga kompania për të rritur nivelin e moderimit të mesazheve në gjuhën shqipe. Ishte kënaqësi informimi mbi nivelin e lartë të vetëdijes së kolosit social Tik Tok, për rreziqet që i kanosen rrjeteve sociale dhe të investimeve të kompanisë në përballimin dhe shmangien e tyre,"-shkruan Rama.
Gjatë qëndrimit të tij në Mynih, Rama u takua me Johannes Hahn, zv.President i Komisionit Evropian, i ngarkuar për Buxhetin dhe Administrimin, me të cilin diskutoi lidhur me planin për rritjen ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Nga data 16-18 shkurt, Rama do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, në të cilën do të marrin pjesë rreth 60 krerë shtetesh dhe mbi 85 zyrtarë qeveritarë. Në fokus të diskutimeve në këtë Konferencë, do të jenë lufta në Rripin e Gazës, shqetësimin për zgjerimin e konflikteve në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë dhe zgjerimi e forcimi i NATO-s./ZËRI