Dëshmia e Rjepajt: Rrapajn nuk e kam njohur në Fakultet, s'ka përdorur kurrë makinën time

TIRANË-Ish.zv/ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dëshmoi sot në Komisionin Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë. Rrjepaj foli për rolin e tij në dhënien e koncesionit tek biznesmeni Ilir Rrapaj, për të cilin tha se ishte i ngarkuar nga Rajoni i Umbrias për hartimin e planit të Marrëveshjes, jo vetëm me Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe me Ministri të tjera. Deputetja Ina Zhupa e pyeti edhe për njohjen e ish.zv/ministrit me bizesmenin Ilir Rrapajn, ku Rrjepaj shpjegoi se nuk kanë miqësi nga fakulteti.
Ina Zhupa: Rrapaj përdorte makinën tuaj të MSH si zv.ministër
Klodian Rjepaj: Nuk është e vërtetë. Ka përdorur makinë personale.
Ina Zhupa: Po tuajën e përdorte Rrapaj?
Klodian Rjepaj: Nuk e ka përdorur kurrë Ilir Rrapaj këtë makinë
Ina Zhupa: A e keni njohur Ilir Rrapaj?
Klodian Rjepaj: Nuk e kam mohuar ndonjëherë njohjen. Mohova njohjen kur më pyetët në kohën e fakultetit. Në shkollë as e kam njohur në atë periudhë.
Ina Zhupa: A ju ka lindur dyshim për kompaninë me kapital 1 mijë euro
Klodian Rjepaj: Nuk më ka shqetësuar se nuk ekzistonte si fakt. Në kërkesat e tenderit kanë qenë bashkim operatorësh. Service italia ishte një shoqëri prej 30 vitesh e kuotuar në bursë. Të tjerat i garanton lideri. Unë dhe anëtarët e komisionit kemi negociuar.
Përfundon raportimi, ish-zv.ministri Rrjepaj mbi 5 orë dëshmi për koncesionin e sterilizimit

TIRANË-Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, dëshmoi sot në Komisionin Hetimor Parlamentar të Shëndetësisë. Me pranga në duar, ish-ministri i Shëndetësisë ka dalë nga qelia dhe mori pjesë në Komisionin Hetimor për koncesionet në shëndetësi. Ai mbërriti në orën 10:00 në Kuvend për të dëshmuar për koncesionin e sterilizimit në Komisionin Hetimor të Shëndetësisë dhe raportoi prej disa orësh para deputetëve. Ish-zv.ministri i Shëndetësisë është rasti i parë, ku një i paraburgosur pyetet nga deputetët.
Rrjepaj foli për rolin e tij në dhënien e koncesionit tek biznesmeni Ilir Rrapaj, për të cilin tha se ishte i ngarkuar nga Rajoni i Umbrias për hartimin e planit të Marrëveshjes, jo vetëm me Ministrinë e Shëndetësisë, por edhe me Ministri të tjera. Gjatë seancës me pyetje përgjigje, Rrjepaj tha se nuk ka qenë në dijeni të një memoje që Ogerta Manastirliu, në kohën që ka qenë drejtoreshë e QSUT, i ka drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ku thuhet se reparti qëndror i sterilizimit në QSUT kishte teknologji avangarde për procesin e ripërshtatjes së sterilizimit me avull, sterilizimit në të thatë dhe mirëmbatjes dhe ripërpunimit të të gjithë instrumenteve kirurgjikale. Po ashtu ai pranoi se ka pasur një vizitë të përbashkët mes tij, Beqajt dhe Rapajt në shtetin italian, ku kishin shkuar për shkëmbim eksperiencash./ZËRI
“Nuk krahasohen mollët me qepët”, Rrjepaj pa përgjigje se sa do të kushtonte sterilizimi me koncension

TIRANË- Është duke vijuar prej më shumë se 2 orësh, marrja në pyetje e ish-zv.ministrit të shëndetësisë Klodian Rrjepaj, për koncensionet në shëndetësi. Rrjepaj u pyet nga drejtuesja e komisionit, Albana Vokshi, se sa do të kushtonte sterilizimi në rast se do të bëhej me prokurim publik (i referohej koncensionit). Rrjepaj nuk dha detaje në lidhje me koston, pasi sipas tij nuk mund të bëhen krahasime mes dy proceseve të ndryshme. Rrjepaj tha se koncensioni nuk synonte thjesht sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale, por sigurimin e të gjitha kushteve për të kryer një operacion të sigurt.
PJESË NGA DISKUTIMI
Vokshi: Ky koncesion nuk e ka shpëtuar sistemin e shëndetësisë, ende dhe sot përdoren autoklavat. Ende sot përdoren hidroklavat që janë pjesë e masterplanit. A u bë një përllogaritje sa i kushtonte po të vihej në funksion me prokurim publik, sepse i kishim të gjithë lekët. Sa i kushtonte qeverisë? A e keni bërë ju llogaritjen, sepse një mjek që ishte këtu tha që kushtonte 2.4 euro, ju e keni dhënë me kompleksitetin më të lartë 400 euro bashkë me tvsh. Pra puna juaj, detyra e parë ishte pse duhej të jepej me koncesion dhe pse ishte me efektive sesa me prokurim publik. A keni një vlerësim sa i kushtonte shtetit nëse e bënte me prokurim publik? Sa është çmimi për sterilizimin e seteve me prokurim publik dhe pastaj të bëjmë krahasimin.
Rrjepaj: Kjo është ajo që thashë, që ju po thoni sa kushton sterilizimi i një seti. Unë po them sa kushton një ndërhyrje kirurgjikale. Nuk është synimi të sterilizojmë setin, sepse është vetëm një nga procedurat bazë për të parandaluar infeksionet. Nuk është qëllimi që ne të vëmë në pune një repart qendror sterilizimi, por të kryejmë një ndërhyrje kirurgjikale të sigurt. Siguria në sallat operatore arrihet nga kushtet higjieno sanitare
Vokshi: Dua vlerën sa kushton?
Rrjepaj: Nuk ta jap dot vlerën, si ta jap afrofe? Nuk mund të krahasohen mollët me qepet. Më përmendet një mjek që ka thënë se do harxhonin 2.3 euro për sterilizimin e setit. Dua të them diçka, nëse kërkon në google është të shuajë një kureshtje, nuk është e njëjta masë. Kostot që kryhet është për ndërhyrjen kirurgjikale, nuk është për setin.
Ilir Beqaj tha se nuk e njihte biznesmenin Ilir Rapaj, Rrjepaj e ‘nxjerr zbuluar’: Kemi udhëtuar bashkë në Itali

TIRANË- Gjatë raportimit në Komisionin Hetimor për koncensionet në Shëndetësi, ish-zëvendësministri Klodian Rrjepaj, ka folur në lidhje me një udhëtim që ka pasur në Itali me ish-ministrin Ilir Beqaj, ku ka qenë i pranishëm dhe biznesmeni Ilir Rapaj. Sipas Rrjepat, së bashku me eprorin e tij Ilir Beqaj, në vitin 2013 ata kanë pasur një vizitë pune në Universitetin e Peruxhias në Itali.
Ai u pyet nga Albana Vokshi nëse biznesmeni Ilir Rrapaj ka qenë pjesë e delegacionit. Rjepaj u përgjigj duke thënë se Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni për të hartuar draftin e marrëveshjes.
“Ka qenë një vizitë në dhjetor 2013 për të nisur një bashkëpunim me Universitetin të Peruxhias. Unë kam qenë pjesë e delegacionit në Umbria. Ka qenë edhe ministri dhe këshilltari për mediat, mesa mbaj mend. Ne na ka pritur profesor Masimiliano Brili dhe doktoresha Vanesa Rosi. Ka pasur një takim me presidenten e rajonit të Umbrias. Kemi bërë edhe një vizitë studimore në spitalin San Xhovani në Romë” ka thënë ish-zv.ministri i shëndetësisë në komision.
Albana Vokshi: Në të gjitha vizitat ka qenë edhe Ilir Rrapaj pjesë e delegacione dhe Umbro Staccini?
Klodian Rjepaj: Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni i Umbrias si personi i kontaktit që do mbante lidhjet për të ndërtuar marrëveshjen me rajonin e Umbrias. Ilir Rrapaj ka qenë i ngarkuar nga rajoni për të hartuar draftin e marrëveshjes, jo vetëm me ministrinë e Shëndetësisë, por edhe me ministri të tjera. Unë kam qenë i ngarkuar nga ministri për të hartuar tekstin e marrëveshjes në këtë drejtim.
Ish-Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka thënë fillimisht se nuk e njihte fare biznesmenin Ilir Rrapaj, me të cilin është takuar në Itali gjatë vizitës që përmend zëvëndësi i tij. Por pasi e mohoi në media dhe doli foto e tyre e përbashkët e tyre, që tregoi se Beqaj ishte pritur në Itali nga biznesmeni me të cilin kreu më vonë disa udhëtime dhe i dha koncensionin 100 milion euro, ish-ministri duket se nuk ka një justifikim.
Nga dosja e SPAK, kuptohet se miqësia e Beqajt, Rrapajt dhe Rrjepajt ka vazhduar të paktën deri në vitin 2018, pra 5 vite më pas, e provuar kjo nga udhëtimet e përbashkëta jashtë vendit.
Sipas dosjes së SPAK, udhëtimet jashtë vendit të Ilir Beqes janë disa, si me Admir Dacën që ka firmosur kontratën, ashtu edhe me biznesmenin Ilir Rrapaj, që me 1 mijë euro kapital arriti të “fusë në xhep” pjesën e luanit në 100 milion euro PPP.
“Admir Daca, administrator i shoqërisë koncesionare “Sani Service” që prej datës 01.12.2015 që fitoi koncesionin objekt hetimi dhe shtetasi Ilir Beqaj me detyrë Ministër i Shëndetësisë në atë kohë kanë dalje nga pika kufitare e Rinasit në datën 25.09.2016 në orën 14:15 dhe 14:06. Po ashtu kontaktet dhe udhëtimet jashtë shtetit mes Umbro Staccini dhe Ilir Rrapaj me Ilir Beqaj dhe Klodian Rrjepaj kanë vazhduar edhe pas shpalljes fituese në procedurën e koncesionit, konkretisht kanë hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Rinas në datën 23.05.2017, përkatësisht në orën 23:32 dhe 23:35 si dhe hyrje në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar Morinë me makinë në datën 13.03.2018 në orën 18:09 dhe 18:10”, ka zbuluar SPAK.
Pse propozuat PPP-në për sterilizimin? Rrjepaj bën të paditurin në Komisionin Hetimor

TIRANË- Ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj po dëshmon sot në Komisionin Hetimor Parlamentar për Sterilizimin, ndërsa prej më shumë se një viti ndodhet i arrestuar, së bashku me biznesmenin Ilir Rapaj.
Kryetarja e Komisionit, Albana Vokshi e pyeti Rrjepajn nëse ka qenë në dijeni të memos që ish-drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu në shkurt 2014, i ka dërguar Ilir Beqajt. ku paraqiste gjendjen aktuale të repartit dhe i ka kërkuar ministrisë ndihmë me trajnimin e stafit. Përgjigja e ish-zëvendës ministrit ishte mohuese. Vokshi e pyeti më tej Rrjepajn nëse ka qenë në dijeni të kredisë së dytë me një vlerë mbi 15 milionë euro për vënien në funksionim të repartit të sterilizimit dhe përse sugjeroi PPP-në për projektin.
Vokshi: A jeni në dijeni të master planit të hartuar me ndihëm e Bankës Botërore, që përfshin shumë komponentë edhe sterilizimin që u dha me koncesion.
Rrjepaj: Jam në dijeni të masterplan të QSUT të përgatitur nga kompania gjermane, kam qenë prezent edhe në një nga inaugurimet që janë bërë të një pjesë të spitalit të ri të urgjencës të financuar nga CEB. T’iu korrigjoj në këtë aspekt, se pjesa e përgatitur nga Top Consult i përkon vetëm investimit në repartin qendror të sterilizimit,
Vokshi: Qeveria bëri atë masterplan, kishte edhe komponentë të tjerë, njëri ishte edhe investimi në repartin qendror të sterilizimit në katin pëndhes. Sa ishte vlera e investimit, është marrë kredi e bankës së Këshillit të Europës. Sa ishte pjesa e investimit në kredinë e parë të CE?
Rrjepaj: Pjesa e investimit në pajisje ka qenë 0.8 mln euro, për pjesën e hapësirës së infrastrukturës ka qenë duk tek 0.6 mln euro.
Vokshi: Pse nuk filloi puna. Jeni në dijeni të memos që ish-drejtoresha e QSUT, Ogerta Manastirliu në shkurt 2014, si ish-drejtoreshë i është drejtuar Beqajt me një shkresë ku ka paraqitur gjendjen aktuale të repartit, fotot përkatëse, ku në bazë të asaj çka duket unë besoj që ju jeni në dijeni, janë ambiente moderne të pajisura me aparatura sikurse edhe ju e përcaktoni në memon tuaj, me teknologji avangardë. I ka kërkuar Beqajt pasi ka bërë një përshkrim, ka theksuar qëllimin e punës, ka përshkruar të gjitha zonat, kapacitetin e përurimit. Dhe ju thoni në memo që janë mjaftueshëm për 60 mijë ndërhyrje kirurgjikale. Në memo Manastirliu bën edhe shpjegimin e skemës së gjithë procesit, e mbyll duke përshkuar jo vetëm sterilizimin por edhe të transportit të produkteve që sterilizoheshin, deri në momentin e futjes të kontejnerëve që më tej do asgjësoheshin.
Pjesë e memos është edhe përllogaritja e stafit që nevojitej që duhej trajnuar për të vënë në funksionim qendrën e sterilizimit që do përballonte të gjitha nevojat e gjithë Shqipërisë. Ky repart ishte i mjaftueshëm për të përballuar 60 mijë operacione. Jeni në dijeni për ndonjë përgjigje për këtë memo ku shqetësimi është shumë i lartë?! I ka kërkuar ministrisë ndihmë me trajnimin e stafit nga PIU i ministrisë, njësia për zbatimin e projekteve të huaja për ta vënë në funksionim.
Rrjepaj: Unë kam vetëm masterplanin në lidhje me repartin qendror të sterilizimit.
Vokshi: Në memon tuaj 25.06.2014 që mban dhe shënimin tuaj, ju keni folur për PPP, pa marrë parasysh kërkesën e ish-drejtoreshës të QSUT, Ogerta Manastirliu. Keni shkuar direkt te PPP, që këtu ju thoni do të sjellë efekte të dukshme, duke ulur ndjeshëm kostot e fshehta. Ekzistonte një qendër me teknologji avangard sipas kësaj shkrese, por mungonte trajnimi i personelit. Ne akoma sot paguajmë kredinë e dytë që u mor për këtë qëllim. Ju po thoni që s’keni dijeni?!
Rrjepaj: Mendoj se duhet lexuar memo si është. Unë them për shkak të mungesë së njohurive, reparti nuk është vënë në punë. Përpos faktit që sterilizimi ishte i vjetëruar. Ajo që është zhvilluar më pas, ka sjellë një risi që ka të bëjë me përqëndrimin e këtyre shërbimeve dhe përgjegjësitë e reja që kanë dalë.
Vokshi: Faza e dytë e kredisë mbi 15 milionë euro është miratuar në nëntor 2014, theksohet se objektivi është vënia në funksionim e repartit të sterilizimit.
Rrjepaj: Nuk kam qenë në dijeni!
Vokshi: Ka qenë mungesë informacioni. Nuk keni mbledhur të gjithë informacionin për hartimin e studimit të fizibilitetit?!
Rrjepaj: E kam mbledhur, por nuk mendoj se studimi i fizibilitetit ka lidhje me këtë kredi
“Nuk është e drejtë të thuash po hetojmë sterilizimin”, Rrjepaj: Kryhen dhe 4 shërbime të tjera brenda projektit

TIRANË- Ish-zëvendës ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj është duke raportuar në komisionin hetimor për koncensionet në shëndetësi, pasi iu dha leje nga Prokuroria e Posaçme. Rrjepaj i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se një viti, tha se ka një emërtim të gabuar, kur thuhet se po hetohet për sterilizimin, pasi ky koncension përfshin edhe shërbime të tjera.
“Të thuash po hetojmë projektin e sterilizimit nuk është e drejtë. Është në kurriz të gjithë aktiviteteve të tjera që kryhen brenda këtij projekti. Sterilizimi është një shkurtim gjuhësor që nuk ka ardhur si rastësi. Ka qenë një tjetërsim, dhe ndoshta nuk ka qenë rastësi që debati dhe analiza me konkluzionet kanë ardhur si devijim i përkufizimit të këtij projekti.
Do të ishte mire që kur themi sterilizimi të kuptojmë një projekt që ka objektin e vet, ofrimin e setit të instrumenteve, ofrimin e veshjeve një-përdorimshe për personelin mjekësor, dezinfektimin e sallave, trajtimin e mbetjeve me risk biologjik si dhe administrimin e repartit qendror të sterilizimit. Këto elementë përmbajnë projektin që nuk është vetëm sterilizimi”, tha Rrjepaj.
Pjesë nga diskutimet në Komision
Klodjan Rrjepaj: Jam në dijeni të masterplanit të QSUNT të përgatitur nga kompania gjermane, kam qenë dhe prezent në një nga inaugurimet që janë bërë të një pjese të spitalit të ri të Urgjencës. Pjesa e përgatitur nga TopConsult i ka përkitur vetëm investimit në repartin qëndror të sterilizimit në katin -1 të Urgjencës, qoftë në hapësirë në metra katrorë, qoftë në pajisje. Kjo ka qenë kontrata.
Albana Vokshi: Në këtë masterplan kishte edhe komponentë të tjerë që është krijimi i investimit në repartin qëndror të sterilizimit. Sa ishte vlera totale e këtij investimi?
Klodjan Rrjepaj: Pjesa e investimit në pajisje teknologjie ka qenë 0.8 milionë Euro, ndërkohë që për pjesën e hapësirës së infrastrukturës ka qenë 0.6 milionë. Por nuk jam shumë i saktë për këtë.
Albana Vokshi: Ish-ministrja e QSUNT Ogerta Manastirliu, në Shkurt 2014 i është drejtuar ministrit Ilir Beqaj informacion mbi gjendjen e sistemit të sterilizimit në QSUT, në këtë shkresë ish-drejtoresha ka paraqitur gjendjen aktuale të repartit, ka vënë edhe fotot përkatëse dhe i ka kërkuar ministrit Beqaj dhe ka theksuar qëllimin e punës, ka përshkruar kapacitetin e përpunimit.
Klodjan Rrjepaj: Nuk jam në dijeni të gjithë masterplanit, jam në dijeni të projektit që kishte TopConsult, jo në lidhje me memon që thoni nuk e kam parë në atë kohë, e kam parë më vonë. Jam në dijeni të projektit që TopConsult ka bërë aty.
Ky është rasti i parë kur deputetët marrin në pyetje një të paraburgosur. Përveç ish-zëvedësministrit do të merren në pyetje edhe dy prej anëtarëve të komisionit që shpalli fituesin e koncesionit, Marsela Serjani dhe Petro Mersini.
Ndërkohë, më 3 tetor, pritet të dëshmojë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili është nën hetim nga SPAK për sterilizimin, por aktualisht është në burg për një tjetër dosje, për abuzimin me fondet e BE-së./ZËRI
Me pranga në duar, mbërrin në Kuvend ish-zv.ministri i shëndetësisë Klodian Rrjepaj: Aktualisht i papunë

TIRANË- Me pranga në duar, Klodian Rrjepaj, ish-zv.ministri i shëndetësisë ka mbërritur në Komisionin Hetimor Parlamentar për koncensionet në shëndetësi. Teksa dha gjeneralitetet, Rrjepaj tha para deputetëve se aktualisht ishte i papunë, duke iu referuar muajve të gjatë në të cilët ai ndodhet në paraburgim.
Avokati i Rrjepajt: Për shkak se është çështje penale, donin të dinim a është marrë leje nga organet proceduriale?
Kryetarja e komisionit, Albana Vokshi: Kemi dërguar shkresë për të gjithë dëshmitarët që janë nën akuzë, kemi dërguar në SPAK dhe GJKKO dhe na është konfirmuar përvec z.Beqaj që ende nuk kemi përgjigje. Për gjithë dëshmitarët e tjerë na është konfirmuar prania.

Prokuroria e Posaçme dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhanë leje që Rrjepaj të lërë qelinë e paraburgimit dhe të paraqitet fizikisht në komision.
Kjo është hera e parë që një i paraburgosur merret në pyetje nga deputetët.
Po ashtu, do merren në pyetje edhe dy prej anëtarëve të komisionit që shpalli fituesin e koncesionit, Marsela Serjani dhe Petro Mersini. Të dy janë në masë detyrim paraqitjeje, por edhe për ta SPAK ka dhënë leje që të pyeten nga Komisioni.
Në Mars të këtij viti, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve për koncesionin e sterilizimit, ku ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj akuzohej për veprën penale shpërdorim detyre. Në bankën e të akuzuarve Beqaj do të jetë së bashku me ish-zëvendësin e tij në Ministri, Klodian Rrjepaj si edhe biznesmenin Ilir Rrapaj që mori koncesionin e sterilizimit, të dy në burg që prej gushtit të kaluar, aty ku u janë komunikuar edhe akuzat.
Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj akuzohen për 'mashtrim'. Ndërkohë mbi zëvëndës ministrin Rrjepaj rëndon edhe akuza e falsifikimit të dokumentave dhe shpërdorim detyre. SPAK ka dërguar për gjykim edhe 6 ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit.
Saimir Kadiu drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshë juridike të cilët janë në arrest shtëpie, mjeku Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Byrazeri dhe Petro Mersini që deri më tani kanë pasur masën 'detyrim me paraqitje'. Ish-zyrtarët akuzohen për 'falsifikim dokumenti' dhe 'shpërdorim detyre'.
SPAK akuzon për shkelje në procesin e koncesionit të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj./ZËRI