Takimi në Romë/ Çfarë u fol mes Ramës, Sunak dhe Melonit
BRITANI E MADHE- Faqja zyrtare e Kryeministrit britanik Rishi Sunak ka bërë me dije detaje lidhur me takimin e zhvilluar sot në Romë. Sot, Sunak u takua me kryeministrin Edi Rama dhe homologen italiane Giorgia Meloni. Siç shkruhen në postim, në takim kanë rënë dakord që së bashku të punojnë për të parandaluar emigracionin e paligjshëm dhe fluksin e shqiptarëve që shkojnë me gomone drejt Anglisë. Por detaje më konkrete lidhur se me çfarë është diskutuar nuk janë zbuluar.
DEKLARATA E NUMRIT "10":
Kryeministri Rishi Sunak u takua sot në Palazzo Chigi në Romë me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama. Udhëheqësit ranë dakord mbi rëndësinë jetike të trajtimit të fatkeqësisë së emigrimit të paligjshëm dhe ndjenjën e përbashkët të urgjencës që ata ndjejnë për këtë çështje. Ata mirëpritën përparimin e deritanishëm dhe ranë dakord të intensifikojnë aktivitetin e përbashkët të Mbretërisë së Bashkuar, Italisë dhe Shqipërisë për të trajtuar krimin e organizuar të imigracionit, duke përfshirë bashkëpunimin në zbatimin e ligjit.
Liderët diskutuan marrëveshjet e reja të azilit që secili vend ka krijuar për të parandaluar emigrimin e paligjshëm. Ata ranë dakord se zgjidhjet strukturore inovative, si politika e Mbretërisë së Bashkuar për Ruandën, ishin të nevojshme për të thyer modelin e kontrabandistëve të njerëzve dhe për të rimarrë kontrollin e lëvizjes nëpër Evropë. Ata vunë në dukje gjithashtu se Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria dhe Italia kanë një rol jetik dhe interes të përbashkët në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Kështu që ranë dakord të qëndrojnë në kontakt për hapat e ardhshëm./ZËRI
Takim me Ramën dhe Sunak, 'halli' që zuri Giorgia Melonin

ITALI- Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot, së bashku me homologun e tij britanik Rishi Sunak, Giorgia Melonin. Të dy, kanë shkuar në të njëjtën kohë në "Palazzo Chigi" ku sipas kreut të qeverisë, kanë diskutuar për potencialet e bashkëpunimit trilateral. Me ceremoninë e zakonshme të pritjes të së ftuarve, Meloni ka takuar të dy homologët e saj dhe i ka ftuar që të futeshin brenda. Por në një moment, më shumë gjasë një nga këshilltarët e saj, i ka kujtuar që nuk kanë bërë foto duke shtrënguar duart.
Personi X: Shtrëngoni duart...
Meloni: Ë? Po si t'ua shtrëngoj duart...?
Edhe pse e vënë në siklet, Meloni e gjen zgjidhjen për shtrëngimin e duarve. E në të përfunduar të takimit, i shoqëron të dy jashtë. I pari që largohet nga "Palazzo Chigi" është Rama, i cili merr edhe një porosi të fundit nga Sunak.
Pasi e takon, kryeministri britanik i thotë: Do kontaktojmë për atë gjënë tjetër!
Se për çfarë, këtë pritet që ta zbulojmë./ZËRI
Rama në Itali: Kur jam jashtë vendit nuk komentoj opozitën!

ITALI- Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Itali është pyetur nga gazetarët për gjendjen e opozitës shqiptare, por refuzoi të komentonte.
Kreu i qeverisë tha se kur del jashtë vendit, nuk flet lart e poshtë për problemet politike të vendit të vetë.
“Unë kam një parim kur dal jashtë vendit dhe nuk flas me gjuhën time dhe për problemet e politikës në vendin time. Besoj se jashtë kufijve të vendit tënd duhen mbrojtur edhe ata që ndoshta mund të mos jenë shumë në formë në vendin tënd në këtë rast. Kur kam qenë në opozitë dhe lëvizja jashtë vendit, nuk flisja për problemet e qeverisë time shqiptare”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama, me ftesë te homologes, Georgia Meloni, po qëndron në Itali në ditët e politikës, kulturës, debatit në ‘Atreju 2023’ që mbahet në Romë. Ky aktivitet zgjat 4 ditë nga 14 dhjetori në 17 dhjetor./ ZËRI
VD- Rama takon Elon Musk, zbardhet biseda: Do të më pëlqente të vija në Shqipëri!

ITALI- Kryeministri Edi Rama ka takuar në Romë pronarin e platformës X dhe SpaceX Tesla, Elon Musk. Rama ka ndarë disa pamje në rrjetet sociale, teksa shihet duke biseduar me Musk dhe rrethohet nga gazetarë dhe kameramanë të shumtë.
“Me Mister X në Romë”, ka shkruar Rama krahas pamjeve nga takimi.
Gjatë bisedës Musk ka shprehur dëshirë e tij për të vizituar Shqipërinë dhe kryeministri Rama i ka garantuar se nuk do të pendohet për vizitën e tij.
Elon Musk: Do më pëlqente të vija në Shqipëri!
Edi Rama: Eja, ka shumë për të parë dhe bërë në Shqipëri, po mbi të gjitha e sigurtë që s’do pendohesh
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Romë me ftesë të kryeministres Giorgia Meloni në ditët e politikës, kulturës, debatit në Atreju 2023. /ZËRI
GJK e rrëzoi/ Rama: Marrëveshja me Italinë për emigrantët nuk është antikushtetuese!

ROMË- Kryeministri Edi Rama ka komentuar këtë të shtunë nga Roma rrëzimin që Gjykata Kushtetuese i bëri marrëveshjes me Italinë për emigrantët e paligjshëm nga vendet e Afrikës. Sipas Kryeministrit, marrëveshja nuk është përfundimtare ndërsa shtoi se nuk ka asgjë antikushtetuese. Po ashtu kreu i Qeverisë u shpreh se nëse do të ishte kërkuar nga ndonjë vend tjetër nuk do të kishte pranuar, por shqiptarët janë në "borxh" me Italinë.
Edi Rama: Personat e shpëtuar në kuadërtë marrëveshjes për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë nuk do të lihen në det apo do të dërgohen në Guantanamo apo në një kamp përqendrimi siç thonë disa. Duhet të kemi respekt për viktimat e kampeve të vërteta të përqendrimit dhe të Guantanamos.
Rama ndodhet në Romë me ftesë të Melonit ku po merr pjesë në një takim të partisë së Kryeministres italiane. Po ashtu referuar mediave të huaja pritet që Rama, Meloni dhe Kryeministri i Britanisë së Madhe Rishi Sunak të zhvillojnë një takim, ku në fokus d të jetë çështja e emigrantëve./ZËRI