Pse BBC nuk i quan militantët e Hamasit 'terroristë'?

Nga John Simpson
Ministrat e qeverisë, kolumnistët e gazetave, njerëzit e thjeshtë, të gjithë po pyesin pse BBC nuk thotë se personat e armatosur të Hamasit që kryen mizori të tmerrshme në Izraelin jugor janë terroristë. Përgjigja gjendet menjëherë te parimet themeluese të BBC-së.
Terrorizmi është një fjalë e ngarkuar, të cilën njerëzit e përdorin për një veprimtari, që ata nuk e miratojnë moralisht. Thjesht nuk është detyra e BBC-së t'u tregojë njerëzve se kë të mbështesin dhe kë të dënojnë, cilët janë të mirët dhe cilët janë të këqijtë.
Ne theksojmë rregullisht se qeveria britanike dhe qeveritë e tjera e kanë dënuar Hamasin si një organizatë terroriste, por kjo është puna e tyre. Ne gjithashtu zhvillojmë intervista me të ftuar dhe citojmë të ftuarit, që e përshkruajnë Hamasin si organizatë terroriste. Fakti është se ne nuk e themi atë me zërin tonë. Detyra jonë është t'i prezantojmë audiencës tonë faktet dhe t'i lëmë njerëzit të vendosin vetë.
Siç ndodh, sigurisht, që shumë nga njerëzit që na kanë sulmuar për mospërdorimin e fjalës ‘terrorist’. kanë parë fotot tona, kanë dëgjuar audion tonë ose kanë lexuar historitë tona dhe ne lëmë ta vendosin vetë se çfarë mendojnë ata për Hamasin, në bazë të raportimit tonë. Ne nuk po fshehim të vërtetën e asaj që po ndodh, përkundrazi, e tregojmë haptazi.
Çdo person i arsyeshëm do të tmerrohej nga skenat e dhunshme që kemi parë. Është krejtësisht e arsyeshme t'i quash "mizori" incidentet që kanë ndodhur, sepse janë pikërisht kështu. Askush nuk mund të mbrojë vrasjen e civilëve, veçanërisht të fëmijëve dhe foshnjave - as sulmet ndaj njerëzve të pafajshëm, paqedashës, që po marrin pjesë në një festival muzikor.
Gjatë 50 viteve që kam raportuar për ngjarjet në Lindjen e Mesme, kam parë vetë pasojat e sulmeve si ky në Izrael, dhe kam parë gjithashtu pasojat e sulmeve izraelite me bomba dhe artileri ndaj objektivave civilë në Liban dhe Gaza. Tmerri i gjërave të tilla mbetet në mendjen tuaj përgjithmonë.
Por kjo nuk do të thotë se ne duhet të fillojmë të themi se kryesit e krimeve janë organizatë terroriste, sepse kjo do të thotë se ne po e braktisnim detyrën tone, në misionin për të qëndruar objektiv. BBC ka qenë gjithmonë objektive. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, transmetuesve të BBC-së iu tha shprehimisht të mos i quanin nazistët të këqij apo të ligj, edhe pse ne mund t'i quanim "armik".
“Mbi të gjitha”, thuhej në një dokument të BBC për gjithë këtë, “nuk duhet të ketë vend për sharje”. Toni ynë duhej të ishte i qetë. Ishte e vështirë të mbahej ky parim, kur IRA bombardonte Britaninë dhe vriste civilë të pafajshëm, por ne e bëmë.
Kishte presion të madh nga qeveria e Margaret Thatcher në BBC, dhe ndaj gazetarëve individualë - veçanërisht pas bombardimit në Brighton, ku ajo sapo i shpëtoi vdekjes dhe shumë njerëz të tjerë të pafajshëm u vranë dhe u plagosën.
Por ne e mbajtëm linjën editoriale të pandryshuar. Dhe ne ende e bëjmë, edhe sot. Ne nuk mbajmë anë. Ne nuk përdorim fjalë të ngarkuara si "e keqe" ose "frikacak". Ne nuk flasim për "terroristë". Dhe nuk jemi të vetmit që ndjekim këtë linjë. Disa nga organizatat më të respektuara të lajmeve në botë kanë saktësisht të njëjtën politikë.
Por BBC-së i kushtohet vëmendje e veçantë, pjesërisht sepse kemi kritikë të fortë në politikë dhe në shtyp, dhe pjesërisht sepse me të drejtë kemi mbajtur një standard veçanërisht të lartë. Pjesë e mbajtjes së këtij standardi të lartë është të jesh sa më objektiv që të jetë e mundur.
Kjo është arsyeja pse njerëzit në Britani dhe në mbarë botën, në një numër të madh, shikojnë, lexojnë dhe dëgjojnë atë që ne themi, çdo ditë./Zëri.ai/
Ish-udhëheqësi i Hamasit: Vendet fqinje të ngrihen për Palestinën

DOHA - Ish-shefi i Hamasit Khaled Meshaal bëri thirrje për protesta në të gjithë botën myslimane, në mbështetje të palestinezëve, ndërsa ai tha se popujt myslimanë, që janë fqinje me Palestinën, t'i bashkohen luftës kundër Izraelit.
"Duhet, që në të gjitha sheshet të protestojnë myslimanët”, tha Meshaal, i cili aktualisht drejton zyrën e diasporës të Hamasit, në një deklaratë. Meshaal, i cili është aktualisht në Katar, tha se qeveritë dhe popujt e Jordanisë, Sirisë, Libanit dhe Egjiptit kanë një detyrë të madhe, për të mbështetur palestinezët.
“Fise të Jordanisë, bij të Jordanisë, vëllezër dhe motra të Jordanisë. Ky është një moment i së vërtetës dhe lufta është afër jush, ju të gjithë e dini përgjegjësinë tuaj”, tha Meshaal. Jordania dhe Libani janë shtetet, me numrin më të madh të refugjatëve palestinezë.
Thirrja e tij për tubim erdhi, pasi Izraeli u zotua të përshkallëzojë përgjigjen e tij ndaj sulmit të Hamasit, me një ofensivë tokësore, teksa avionët luftarakë izraelitë goditën më shumë se 200 objektiva në qytetin e Gazës gjatë natës.
Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se të paktën 1300 njerëz janë vrarë dhe 5 000 janë plagosur në enklavën e mbipopulluar.
Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë 1300 persona. Izraeli u përgjigj, duke vrarë me raketa mbi 1300 palestinezë./Zëri.ai/
Hamasi i vrau vajzën, babai: Vdekja është bekim para torturave
IZRAEL - Një baba i shkatërruar, ka folur për momentin kur zbuloi se vajza e tij ishte vrarë nga Hamasi, duke e përshkruar vdekjen e saj si "një bekim", pasi tha se nën tortura, e mitura do të ishte në kushte akoma më të rënda.
Thomas Hand humbi kontaktet me vajzën e tij 8-vjeçare Emily, kur militantët e Hamasit sulmuan Kibutin, pranë Be’eri, afër kufirit me Gazën, ku u vranë 100 njerëz.
Emily kishte qëndruar në shtëpinë e një shoqeje dhe militantët kishin shkuar në atë shtëpi, duke e rrëmbyer. Në një intervistë në CNN, Hand foli mes lotësh, teksa zbuloi momentin kur iu tha se trupi i vajzës së tij ishte gjetur. Ai tha se ishte lehtësuar, sepse vdekja është shumë më e mirë, sesa të merresh peng nga Hamasi.
“Kur më thanë se e kanë gjetur Emilyn, pa shenja jete, unë buzëqesha. Po, buzëqesha, sepse unë e di, se më mirë është vdekja, se torturat deri në vdekje”, deklaroi Thomas.
“Vdekja është më mirë, nëse marrim parasysh se çfarë bën Hamasi me personat që merr peng. Ata i lënë pa ushqim dhe pa ujë. Ajo do të ishte në një dhomë të errët duke u tortuaruar çdo minutë, orë, ditë e ndoshta edhe ndër vite. Kështu, që vdekja ishte një bekim absolut”, u shpreh babai i Emilysë së ndjerë.
Thomas Hand ishte zhvendosur me vendbanim, tre milje nga kufiri me Gazën, 30 vjet më parë. Ai dhe Emily kishin jetuar vetëm, pas vdekjes së gruas së tij. Hand tha se vajza kishte qëndruar në shtëpinë e një shoqeje për të fjetur. Por pasi sirenat e luftës u ndezën atë ditë, ai nuk e pa më vogëlushen gjallë.
Ai mbeti brenda shtëpisë së tij, ndërsa Kibuci u pushtua nga militantët, përpara se të shpëtohej dhe të dërgohej në një hotel pranë Detit të Vdekur, ku priti lajmet për vajzën e tij për dy ditë.
Më 7 tetor, Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë 1300 izraelitë. Izraeli u përgjigj, duke vrarë më shumë se 1300 palestinezë./Zëri.ai/
Gazetari raporton me helmetë nga Izraeli, pamja pas tij çudit audiencën

IZRAEL – Petar Vlahov, një reporter me përvojë i rrjetit televiziv kroat, HRT, ka raportuar nga Izraeli, luftën që po zhvillohet atje.
Vlahov kishte veshur një helmetë, që sa duket e ka marrë nga një ushtar. Ai duket teksa raporton me shumë pasion e përkushtim, në një zonë, ku përqark bien raketa.
Pamja pas tij është tepër befasuese dhe e ka bërë raportimin e tij të pazakontë. Pas shpinës së reporterit, ndodhen dy gra, të cilat, po flasin në telefon. Gratë pas tij bisedojnë në telefon, thuajse qetësisht, në një kohë, që rreth e përqark bie “shi” raketash.
naš junački reporter u borbi za goli život pic.twitter.com/DpeSr5F5oW
— borrissey (@brrssy) October 11, 2023
Shumë persona e kanë komplimentuar gazetarin, që arriti të raportojë në një situate tepër të rrezikshme. Gazetari nuk mbante as jelek antiplumb, ndërsa po raportonte nga vendgjarja, duke tregur guxim e vendosmëri.
Denis Latin (57 vjeç), koleg i Vlahovit, vlerësoi përkushtimin dhe profesionalizmin e gazetarit. Kujtojmë se disa ditë më parë, Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë 1200 persona. Izraeli u përgjigj, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz./Zëri.ai/
Lufta Izrael-Hamas/ Ndërkombëtarët në ankth nga rreziku i përfshirjes së Libanit

LIBAN- Me situatën e rëndë në terren që vazhdon dhe përshkallëzimin në rritje, ankthi i ndërkombëtarëve është rreziku i përfshirjes në konflikt i Iranit, që do të çonte në një konflikt të përgjithësuar në rajon. Teherani është përpjekur ditët e fundit të heqë dorë nga përgjegjësitë që i atribuohen për drejtimin e Hamasit dhe forcimin e tij në mënyrë që të mund të kryejë sulmin e befasishëm kundër Izraelit.
Megjithatë, vlerësohet se vetëm një reaksion zinxhir, me një sulm tokësor izraelit në Gaza, një sulm kundër shpërqendrimit nga Hezbollahu nga territori i Libanit dhe një përgjigje ushtarake nga Izraeli, mund të shkaktojë përfshirje, qoftë edhe në një shkallë të kufizuar, nga Teherani.
Sepse Libani dhe Hezbollahu (i cili gjithashtu ka një ndikim të fortë politik në vend) janë një pjesë thelbësore e enigmës në strategjinë që Teherani ka zhvilluar vitet e fundit për të shtrirë ndikimin e tij dhe për të krijuar ura në Lindjen e Mesme për të ushtruar presion herë në Irak, herë në Arabinë Saudite.
Lëvizja e njësisë së goditjes së Flotës së 6-të Amerikane jashtë ujërave të Izraelit dhe informacioni për ripozicionimin e F15-ve amerikanë në Jordani sigurisht që nuk ka të bëjë me konfrontimin me Hamasin, por ato veprojnë si pengesë për një ndërhyrje të Iranit. Por të gjithë e kuptojnë se një përfshirje e drejtpërdrejtë e Teheranit në mbështetje të Hezbollahut ose regjimit të Asadit dhe zgjedhja për të goditur objektivat iraniane do të shkaktojë një zjarr të përgjithshëm në rajon, me Izraelin, por edhe forcat amerikane në Sirinë Veriore në Irak dhe në të gjithë rajonin.
Një eventualitet i tillë nuk dëshirohet nga askush, përveç ndoshta disa personave në Tel Aviv, pasi as SHBA-të duket se nuk janë pajtuar me idenë e një konfrontimi ushtarak me Teheranin, i cili padyshim do të çonte në hapjen e një fronti të ri.
Në realitet, një sulm izraelit kundër objektivave të Hezbollahut në Liban nuk ka të bëjë fare me sulmet në Gaza, pasi do të përfshinte një sulm kundër një shteti të pavarur, uniteti dhe mbijetesa e të cilit varet nga një "fije" të perit.
Pra, hipoteza e përfshirjes iraniane është elefanti në dhomë. Nëse Hezbollahu hap një front me Izraelin, do të testojë gjithashtu qëndrueshmërinë e amerikanëve që kanë një angazhim strategjik për sigurinë e Izraelit. Megjithatë, një konflikt i tillë, edhe pse strategjikisht do t'u shërbente vendeve sunite të Gjirit (përveç Katarit), në këtë moment nuk është i dëshiruar nga askush për shkak të dimensioneve të paparashikueshme që mund të merrte dhe gjithashtu pasojave të mëdha që do të kishte për ekonominë e Perëndimi.
Në orët e ardhshme, të gjithë sytë janë te Izraeli dhe kufiri i tij me Libanin, pasi aty mund të jetë "fitili" për një konflikt shumë të rrezikshëm që do të kërcënojë drejtpërdrejt sigurinë dhe stabilitetin më të gjerë rajonal./Zëri.ai
“Më nxirrni nga Gaza”! Shqiptaro-palestinezja kërkon ndihmë

Ky është palestinezi Naim Abuejad ardhur në Shqipëri si student në vitin 1970. Nga martesa me një vajzë nga Durrësi, lindën në Shqipëri vajzën Amal dhe djalin Iljad të cilët prej vitit 1998 u zhvendosën të jetojnë në Gaza. Në një intervistë telefonike me gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, shqiptaro-palestinezia Amal Ashour, tregon momentet e para kur nisën bombardimet në Gaza.
“Nuk kemi asgjë. Morëm vetëm rrobat. Mezi i morëm dhe ikëm në tre të natës duke ecur me vrap mes bombardimeve. Shkuam në një spital që ishte i mbushur me të plagosur me të vdekur. Dolëm nga aty dhe ikëm në një shkollë afër qytetit Benhanun në Gibal”, tha Amal Ashour.
Amal na tregon se ku po strehohen për të qenë të sigurt sa të munden.
“Jam strehuar në një shkollë të një shoqate europiane. Jam duke vrapuar nga frika e bombardimeve. Në këtë shkollë çdo minute vjen një familje pasi kërcënohet e vinë këtu tek ne. Në një klasë 4 deri 5 familje. Këtu jam me familjen bashkë me vëllain dhe fëmijët e tij. Është edhe xhaxhai më familjen. Kjo shkollë është e mbushur me familje nga të gjitha anët e qytetet”, shprehet Amal.
Amal thotë se nga sulmet mbi gaza në 2014 shtëpia iu shkatërrua. E njëjta gjë ndodhi edhe disa ditë më parë.
“Në shtëpinë time ka ndodhur bombardimet. Është bombarduar shtëpia ime. Gjysma e shtëpisë iku. Edhe shtëpia e vëllait gjithashtu pasi jemi në një lagje. Përfshi shtëpinë e xhaxhait e kanë bombarduar. Qyteti ku unë jetoj, Benhanun, në veri të Gazas është rrethuar me ushtarë dhe kërcënuar nga tanket dhe ushtarët”, thotë Amal.
Por si e parashikon të ardhmen tek sa ndodhet në mesin e kësaj lufte?
“Unë nuk e di. Gjendja po bëhet keq e më keq. Nuk e di si do t’ja bëj pasi frika po shtohet. Nuk e kam pasaportën shqiptare pasi kam 22 vite në Gaza dhe nuk kam dalë asnjëherë nga Gaza. Kam edhe fëmijët të cilëve nuk i kam bërë pasaporta për të patur mundësi të dal. Unë dua të dal por të marr edhe fëmijët e mi”, ka thënë ndër të tjera Amal.
Përmes Top Channel Amal apelon për ndihmë.
“Kërkoj të më tërheqin nga Gaza me fëmijët e mi sepse të cilët nuk kanë pasaporta bashkë me vëllanë tim e fëmijët e tij. Pasi të mbarojë lufta të jem e sigurt e të kthehem prapë në shtëpinë time pasi kam jetën dhe punën këtu”, tha Amal Ashour./TopChannel
Blinken pas takimit me Netanyahun: SHBA do ta mbështesë gjithmonë Izraelin

TEL AVIV – Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mbajtur një konferencë për mediat me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu. Blinken deklaroi se mbështetja amerikane për Izraelin do të vazhdojë dhe do të jetë gjithmonë. Ai tha se dhe vetë është me prejardhje hebreje dhe se Hamasi, përbën një kërcënim për rajonin.
Ai dhe Netanyahu e krahasuan brutalitetin e Hamasit me atë të ISIS-it. Blinken i premtoi Izraelit më shumë municion për të pasuruar mbrojtjen ajrore. Ai premtoi mbështetje në Kongres për më shumë ndihmë ushtarake ndaj Izraelit.
Sekretari Amerikan i Shtetit tha se Izraeli kishte të drejtë të mbrohej. Ai tha se demokracia duhet të fitojë, përballë terrorizmit. "Ajo që bashkon njerëzit janë vlerat njerëzore", tha Blinken.
"Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme të merren të gjitha masat e mundshme për të shmangur dëmtimin e civilëve. Ne duhet të mbrojmë jetën e civilëve, qofshin ata izraelitë, palestinezë apo çdo kombësie tjetër. Dëmtimi i civilëve është i pafalshëm", tha Blinken.
Njësoj si Biden gjatë ditës së djeshme, edhe Blinken deklaroi se Izraeli, gjatë bombardimeve në Gaza, duhet të ketë parasysh rregullat e luftës. Netanyahu nga ana e tij tha se Hamasi është një organizatë terroriste, që meriton të neveritet nga bota e qytetëruar.
Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë 1200 persona. Izraeli u përgjigj me raketa, duke vrarë 1200 palestinezë./Zëri.ai/
Vëllai iu mor nga Hamasi, i riu tregon tmerrin: Dikush më nisi një video! Jemi të shkatërruar

IZRAEL- Juriel, një 34-vjeçar amerikan, vëllai i të cilit është mes pengjeve të marra nga militantët e Hamasit, ditën e parë të sulmit teksa ishte duke ndjekur një festival ka rrëfye rmomentin kur mori vesh lajmin. Ai tregon se një person i ka nisur një video ku mes pengjeve ishte dhe vëllai i tij.
"O zot më kapën vëllanë", tegon ai.
“Kur kuptuam se Hamasi po sulmonte, ne telefonuam Elkanah dhe ai i tha mamasë se është mirë dhe po ndihmon njerëzit e tjerë".
Më tej Jurieli shtoi se e njeh vëllanë e tij dhe se nuk do të linte askënd pas dhe se mendon se për këtë e kanë kapur.
"Të paktën ne kemi këtë video që është një shenjë se ai është gjallë. Unë dua t'i tregoj botës fytyrën e tij, për ta sjellë në shtëpi. Ne jemi të frikësuar dhe nëna jonë është e dëshpëruar, por ai është i fortë dhe e di që do ta kalojë. Nëna jonë qan çdo ditë duke mbajtur në duar këmishën e tij. Jemi shumë të shqetësuar," shtoi ai.
Siç shkruan The Sun, Elkanah është i martuar, ka fëmijë dhe drejton një dyqan akulloresh në Tel Aviv.
Mmë shumë se 260 njerëz vdiqën në një festival në jug të Izraelit pasi persona të armatosur të Hamasit sulmuan me parashuta dhe kamionë të shtunën në mëngjes. Thuhet se grupi ka marrë peng rreth 150 persona. Konflikti mes ushtrisë izraelite dhe Hamasit ka hyrë në ditën e gjashtë. Turqia po negocion lirimin e civilëve të mbajtur peng nga Hamasi.
Ministri izraelit i Energjisë, Israel Katz thotë se Gaza nuk do të furnizohet me energji elektrike apo ujë derisa pengjet e marra gjatë grushtit të shtetit të Hamasit të kthehen në shtëpi. Izraeli po formon sot një qeveri uniteti. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ndodhet në Izrael ku do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe zyrtarë të tjerë të rangut të lartë. Këshilli i Sigurimit do të mbajë të premten një takim për konfliktin mes Izraelit dhe Hamasit./Zëri.ai
Të 'armatosur' me hamburger, vakti i 'fundit' i izraelitëve para hyrjes në fushën e betejës
IZRAEL- Të “armatosur” me hamburger dhe pije freskuese, ushtarët izraelitë nisen për në fushën e luftës. Pamjet janë publikuar nga Protothema, e cila ka vizituar një pikë grumbullimi të ushtarëve izraelitë të cilët përgatiteshin për të hyrë në frontin e luftës në Gaza.
Dhjetra vullnetarë, jashtë qytetit të Beer Sheva, u shërbejnë qindra ushtarëve përpara se të nisen për në pozicionet luftarake jashtë Rripit të Gazës. Është pika e fundit e furnizimit para se të hyjnë në fushën e betejës. Burgerët, byrekët, uji dhe pijet freskuese janë vakti i fundit përpara se të hyni në ferrin e luftës.
Disa ishin në muajin e mjaltit, të tjerë studionin jashtë vendit, të tjerë organizonin jetën e tyre në vende të huaja. Por kur Izraeli thirri rezervistët dhe shpalli luftë këtë javë, përgjigja ishte e shpejtë.
“Të gjithë po vijnë. Askush nuk thotë jo”, tha Jonathan Steiner, 24 vjeç, i cili u kthye nga Nju Jorku, ku punon në një kompani teknologjie, për të shërbyer në njësinë e tij të vjetër në ushtri.
“Kjo është ndryshe. Është e paprecedentë, rregullat kanë ndryshuar”, tha ai, duke folur me telefon nga kufiri afër Libanit, ku është vendosur regjimenti i tij.




Izraeli ka thirrur deri në 360,000 rezervistë pas sulmit të së shtunës nga qindra persona të armatosur të Hamasit. Shumica ishin tashmë në Izrael në kohën e draftit, më i madhi i këtij lloji që nga Lufta e Yom Kipur në 1973. Por shumë ishin jashtë vendit, për arsye të ndryshme, dhe hoqën dorë nga gjithçka për t'u kthyer.
Shërbimi ushtarak është i detyrueshëm për shumicën e izraelitëve kur mbushin 18 vjeç. Burrat shërbejnë për 32 muaj dhe gratë për 24 muaj. Shumica mund të thirren në njësitë rezervë deri në moshën 40 vjeç, ose edhe më të vjetër në rast të një emergjence kombëtare. Në kohë lufte, ata luftojnë përkrah trupave të rregullta.
Yonatan Bunzel sapo kishte përfunduar mandatin e tij këtë vit, gjë që e përjashton atë nga shërbimi i menjëhershëm rezervist dhe si shumë izraelitë që janë shkarkuar nga ushtria, ai u largua për të udhëtuar jashtë vendit. Ai ishte në Indi kur ndodhi sulmi i Hamasit dhe megjithëse nuk ishte i detyruar të kthehej, ai paketoi gjërat e tij dhe u kthye, pesë muaj më herët se sa kishte planifikuar.
Arritja në Tel Aviv nuk ishte aq e lehtë sa priste. Pasi fluturoi për në Dubai, ai zbuloi se nuk kishte bileta në dispozicion për në Izrael. Megjithatë, një organizatë hebreje, La'aretz, ndërhyri dhe siguroi vende për të dhe dy nga miqtë e tij.
Të tjerë izraelitë raportojnë se konsullatat lokale u ofrojnë bileta falas për t'u kthyer në shtëpi, ndërsa mediat amerikane raportuan se ka njerëz që shkojnë në sportelet e linjës ajrore izraelite El Al në Nju Jork dhe ofrojnë të blejnë bileta për këdo që është tërhequr.
Ndërsa shumë linja ajrore të huaja kanë anuluar fluturimet për në Tel Aviv, linjat ajrore izraelite po shtojnë fluturime në linjat e huaja për të rikthyer njerëzit. El Al ka njoftuar se do të kryejë fluturime nga SHBA dhe Azia këtë të shtunë, duke përmbysur një politikë 40-vjeçare për të mos fluturuar në Sabatin hebre.
Linja ajrore nuk ka kryer fluturime të shtunave që nga viti 1982, por ka marrë leje të posaçme nga rabinët, të cilët thanë se mbrojtja e jetës shkel ligjet fetare./Zëri.ai
CNN: Ku e gjeti Hamasi sasinë e madhe të armëve që përdori ndaj Izraelit

IZRAEL- Në sulmin brutal të militantëve të Hamasit mbi Izraelin gjatë fundjavës së kaluar, janë shkrepur mijëra raketa dhe predha të kalibrit të ndryshëm, fluturaket pa pilot hidhnin eksploziv dhe janë përdorur shumë armë dhe municion të kalibrit të vogël, shkruan CNN.
Sulmi filloi nga kibuci i Gazës që është nën kontrollin e Hamasit në Rripin e Gazës prej 360 kilometra katrorë përgjatë vijës bregdetare mesdhetare, të kufizuar nga të dy anët me Izraelin dhe nga njëra anë me Egjiptin. Është një zonë e varfër, me popullsi të dendur me pak burime dhe ishte pothuajse plotësisht e shkëputur nga pjesa tjetër e botës për gati 17 vjet, kur Hamasi e mori nën kontroll.
Shtrohet pyetja: si e grumbulloi Hamasi sasinë e madhe të armëve që i mundësoi këtij grupi të kryente sulme të koordinuara që vranë mijëra dhe plagosën mijëra tjera? Përgjigja sipas ekspertëve, është përmes një kombinimi të dinakrisë, improvizimit, këmbëngulje dhe një furnizuesi të rëndësishëm jashtë vendit.
Faktori Iran
“Hamasi siguron armët e saj nga kontrabandimi apo prodhimin lokal të tyre, dhe merr mbështetje ushtarake nga Irani”, thuhet në World Factbook të CIA-s.
Derisa qeveria izraelite dhe ajo amerikane duhet të gjejnë çfarëdo roli të drejtpërdrejtë të Iranit në sulmet që ndodhën fundjavën e kaluar, ekspertët thonë se kjo republikë islamike prej kohësh ka qenë mbështetësja kryesore ushtarake e Hamasit, duke kontrabanduar armë në enklavë përmes tuneleve të fshehta apo me barka përmes Mesdheut.
“Infrastruktura e tuneleve të Hamasit është akoma e madhe, pavarësisht që Izraeli dhe Egjipti vazhdimisht i shkatërrojnë”, tha Bilal Saab, ish-bashkëpunëtor dhe drejtor i programit për mbrojtje dhe siguri në Institutin e Lindjes së Mesme (MEI) në Washington.
“Hamasi ka marrë armë nga Irani duke i kontrabanduar në Rripin e Gazës përmes tuneleve. Kjo shpesh përfshinte sisteme me rreze të gjatë veprimi”, tha Daniel Biman, ish-bashkëpunëtor i projektit të Kërcënimit Transnacional në Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).
“Irani gjithashtu i ka siguruar Hamasit raketat e saj më të avancuara balistike duke ia dërguar përmes detit, që iu dërguar në copëza për t’u montuar më pas në Gazë”, tha Charles Lister, bashkëpunëtor i lartë në MEI.
Por Irani gjithashtu ka qenë një lloj mentori për Hamasin thonë analistët.
“Irani e ka ndihmuar gjithashtu Hamasin në prodhim, duke i mundësuar Hamasit të krijojë arsenalin e saj”, tha Byman nga CSIS.
Një zyrtar i lartë i Hamasit me qëndrim në Liban ka dhënë detaje për prodhimin e armëve të Hamasit në një intervistë dhënë për RTArabic të publikuar të dielën.
“Kemi fabrika lokale për gjithçka, për raketa me rreze deri në 250 kilometra si dhe ato prej 160, 80 dhe 10 kilometra. Kemi fabrika për minahedhës dhe granata… Kemi fabrika për kallashnikovë (pushkë) dhe plumba. Ne prodhojmë plumba me lejen e rusëve. I prodhojmë në Gazë”, citohet të ketë thënë Ali Baraka, zyrtar i Hamasit.
Riciklimi
Sa i përket gjërave të mëdha, profesori Leister ka thënë se një degë e ushtrisë iraniane është në mënyrë të drejtpërdrejtë trajnon inxhinierët e Hamasit që të armatosen dhe këtë e bën prej dy dekadash.
“Gjatë këtyre viteve me sisteme të avancuara u kanë mundësuar inxhinierëve të Hamasit që të avancojnë kapacitetet e tyre të prodhimit vendor”, shtoi Leister.
“Mos na bëni moral!”, Izraeli i prerë: Nuk ndizet asnjë çelës pa liruar pengjet

IZRAEL- Izraeli nëpërmjet një zëdhënësi ushtarak ka njoftuar se autoritetet kanë arritur të identifikojnë 97 persona të marrë peng në Rripin e Gazës, gjatë aksionit të armatosur të Hamasit, mëngjesin e së shtunës.
Më herët, nga Jerusalemi zyrtar pretendohej se deri në 150 persona ishin rrëmbyer kur militantët e Hamasit nisën sulmin e tyre të befasishëm.
Ndërkohë në krahun tjetër, Hamasi thotë se i ka fshehur pengjet në “vende dhe tunele të sigurta”, brenda Gazës dhe kanë kërcënuar se do t’i vrasin një nga një, nëse shtëpitë e civilëve bombardohen nga Izraeli pa paralajmërim.
Sakaq, në një konferencë për mediat, presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, tha se lëndimet në trupat hebre të vrarë nga Hamasit ishin për hetuesit diçka ndryshe nga çdo gjë që kishin parë ndonjëherë më parë.
Sipas tij, trupat e civilëve të vrarë kanë treguar shenja torture dhe se “Izraeli është përballur me një nga armiqtë më mizorë në tokë”.
“Një familje prej pesë anëtarësh u gjet e lidhur së bashku, të gjithë të përqafuar, të qëlluar dhe djegur. Po pyesja veten se çfarë luteshin para se të qëlloheshin të gjithë së bashku. Familja ishte nënë, baba dhe fëmijë. Më shumë njerëz u gjetën të vrarë në anë të rrugës në kanale”, tha Herzog.
Ndërkohë, Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se kishin vrarë 1500 militantë të Hamasit, ndërsa 1300 izraelitë janë konfirmuar se janë vrarë që kur nisi sulmi i Hamasit të shtunën.
Shifrat e fundit vijnë në një kohë kur Rripi i Gazës është pa energji elektrike, ushqime apo ujë. Ministri i Energjisë i Izraelit ka thënë se energjia nuk do të kthehet në territorin ku banojnë 2 milionë banorë derisa pengjet izraelite të lirohen.
“Ndihma humanitare për Gazën? Asnjë çelës elektrik nuk do të ndizet, asnjë hidrant uji nuk do të hapet dhe asnjë kamion me karburant nuk do të hyjë derisa të rrëmbyerit izraelitë të kthehen në shtëpi. Askush të mos na predikojë moral”, tha Israel Katz.
Çfarë duhet të dini për “Kupolën e Hekurt”, sistemin mbrojtës të Izraelit

IZRAEL- Ndërsa mijëra raketa kanë rënë mbi Izraelin, vendi është mbështetur edhe një herë në sistemin Iron Dome për të mbrojtur qytetarët e tij.
Sistemi i mbrojtjes raketore është një nga mjetet më të rëndësishme në arsenalin e Izraelit dhe ka shpëtuar jetë të panumërta civilësh gjatë konflikteve të ndryshme në dekadën e fundit, thonë analistët. Është shumë efektiv.
Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se sistemi kishte një shkallë suksesi prej 95.6% gjatë një sulmoi me raketë të lëshuar nga Xhihadi Islamik në maj të këtij viti.
Iron Dome është projektuar për të rrëzuar predha që vijnë. Ai është i pajisur me një radar që zbulon raketat dhe më pas përdor një sistem komandimi dhe kontrolli që llogarit shpejt nëse një predhë në hyrje përbën një kërcënim ose ka të ngjarë të godasë një zonë të papopulluar. Nëse raketa përbën një kërcënim, Iron Dome lëshon raketa nga toka për t'i shkatërruar në ajër.

Gjatë kohës së luftës, kostoja e Iron Dome mund të rritet shpejt, pasi çdo raketë e kapur ka një kosto për rreth 40 mijë dollarë. Vetëm qeveria amerikane i ka dhënë izraelit një ndihmë prej 2.9 miliardë dollarësh për sistemin që të mbahet në funksion./Zëri.ai
“Lufta ka rregulla!”, Biden për herë të parë i kërkon Izraelit vetëpërmbajtje

SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i bëri thirrje të mërkurën Izraelit t’iu përmbahet rregullave të luftës, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua për ta shkatërruar Hamasin pas sulmit të grupit militant palestinez.
Biden, i cili urdhëroi zhvendosjen e aeroplanmbajtësit modern amerikan në Detin Mesdhe në shenjë përkrahjeje për Izraelin, e paralajmëroi edhe mbështetësin e Hamasit, Iranin, të jetë “i kujdesshëm”.
Ai tha gjatë një tubimi me liderët e komunitetit amerikano-hebre në Shtëpinë e Bardhë se sulmi ndaj Izraelit, si pasojë e të cilit u vranë 1.200 njerëz, ishte “dita më vdekjeprurëse për hebrenjtë që nga holokausti”.
Por, derisa Izraeli u hakmor duke e bombarduar Rripin e Gazës, duke i vrarë rreth 1.100 njerëz, Biden tha se bisedoi të mërkurën me Netanyahun, për të cilin tha se e njeh për më shumë se 40 vjet dhe se me të ka “marrëdhënie shumë të sinqerta. E njoh shumë mirë atë”.
“Një gjë që ia thashë është se për Izraelin është shumë e rëndësishme, pavarësisht zemërimit dhe tërbimit që ekziston, të veprojë sipas rregullave të luftës”, tha Biden.
“Dhe, rregulla të luftës ka”, shtoi ai.
Kjo është hera e parë që Biden bën thirrje për vetëpërmbajtje në lidhje me sulmet e Izraelit në Gaza, të cilat nisën të hënën, dy ditë pasi Izraeli u sulmua befasisht nga militantët që u futën nga Gaza në jug të vendit.
Paraprakisht, Netanyahu u zotua se do ta shkatërrojë plotësisht grupin militant.
“Çdo pjesëtar i Hamasit është i vdekur”, tha Netanyahu të mërkurën, duke e krahasuar këtë grup me grupin e Shtetit Islamik (ISIS).
Por, Biden e kishte edhe një paralajmërim të fortë për Iranin, i cili e mbështet Hamasin, dhe është armik i moçëm i Izraelit dhe i Shteteve të Bashkuara.
Presidenti amerikan kujtoi se Uashingtoni e ka dërguar aeroplanmbajtësin më të madh në botë, USS Gerald R. Ford, dhe flotën e tij, në rajon. Zyrtarët amerikanë thanë se edhe një aeroplanmbajtës tjetër do të dërgohej së shpejti, nëse është e nevojshme.
Biden tha se ua ka “bërë të qartë iranianëve. Keni kujdes”. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken u nis të mërkurën për Izrael në shenjë solidariteti me Izraelin. Ai pritet të takojë sot Nëtanyahu dhe gjatë ditës së nesërme do të takojë edhe presidentin palestinez, i cili ka humbur prej 2007-tës kontrollin në Rripin e Gazës.
Kryqi i Kuq jep alarmin: Spitalet në Gaza po kthehen në morgje

GAZA- Spitalet në Gaza "rrezikojnë të kthehen në morgje" pasi janë duke u sulmuar vazhdimisht nga Izraeli, paralajmëroi të enjten Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq.
Një krizë humanitare po përhapet me shpejtësi në Gaza, ku agjencitë e ndihmave dhe zyrtarët shëndetësorë raportojnë se qindra mijëra janë zhvendosur në mes të mungesës së ushqimit, ujit dhe energjisë elektrike – duke sjellë një ngarkesë shtesë në objektet mjekësore.
"Ndërsa Gaza humbet energjinë, spitalet humbasin energjinë, duke vënë në rrezik të porsalindurit në inkubatorë dhe pacientët e moshuar me oksigjen," tha në një deklaratë drejtori rajonal i ICRC për Lindjen e Afërt dhe të Mesme, Fabrizio Carboni.
I vetmi termocentral i Gazës ka ndaluar së punuari pasi ka mbaruar karburanti, tha kreu i autoritetit energjetik të Gazës për CNN të mërkurën. Njerëzit në Rripin e Gazës mund të përdorin ende gjeneratorët e energjisë elektrike, por si pasojë e një bllokade në të gjitha anët e kufirit, karburanti i nevojshëm për gjeneratorët për të punuar po mbaron, tha zyrtari.
Gati 1,200 njerëz janë vrarë në sulmet ajrore në Gaza që nga e shtuna, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë.
Militantët islamikë po mbajnë deri në 150 pengje në Gaza, ndërkohë që Kryqi i Kuq është në kontakt me Hamasin dhe zyrtarët izraelitë për të adresuar lirimin e tyre.
"Si një ndërmjetës neutral, ne jemi të gatshëm të kryejmë vizita humanitare; të lehtësojmë komunikimin midis pengjeve dhe anëtarëve të familjes; dhe të lehtësojmë çdo lirim eventual," tha Carboni./Zëri.ai