LIVE UPDATES

Zgjedhjet në Rusi/ Protestuesit sfidojnë Putinin, por pa vlerë. Presidenti merr 87% të votave

➤ Presidenti rus Vladimir Putin do të fitojë një mandat të pestë me 87% të votave pas përfundimit të zgjedhjeve të sotme. ➤ Votimi është zhvilluar gjithashtu në pjesët e pushtuara nga Rusia të katër rajoneve të Ukrainës: Zaporizhzhia, Kherson, Donetsk dhe Luhansk. ➤ Rreth 74 protestues janë arrestuar në qytetet ruse në ditën e fundit, pasi protestuan kundër presidentit. ➤ Të tjerë shkuan në varrin e liderit të opozitës Alexei Navalny, duke dërguar atje fletë votimi. ➤ Edhe e veja e tij votoi në ambasadën ruse në Gjermani. ➤ Me rizgjedhjen e presidentit 71-vjeçar, Putin është lideri i dytë më jetëgjatë i Rusisë pas Stalinit.

8 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Zgjedhjet në Rusi, vijnë reagimet e para nga Shtëpia e Bardhë dhe Zelenskyy

Zgjedhjet në Rusi/ Protestuesit sfidojnë Putinin, por pa vlerë.
Foto ilustruese

UKRAINË- Pas mbylljes së kutive të votimit në Rusi. Menjëherë kanë nisur edhe reagimet e para të ndërkombëtarëve. Shtëpia e Bardhë njoftoi se zgjedhjet ruse nuk janë as të lira dhe as të drejta.

"Putini ka burgosur kundërshtarët e tij politikë dhe ka penguar të tjerët të konkurrojnë kundër tij,"-shkruhej në reagimin e bërë nga Shtëpia e Bardhë. 

Po ashtu, edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se zgjedhjet janë ilegjitime.

“Është e qartë për të gjithë botën se ky person, siç ka ndodhur shpesh në histori, është thjesht i dehur nga pushteti dhe po bën gjithçka për të dominuar përgjithmonë,”- tha presidenti ukrainas në një mesazh të postuar në rrjetet sociale.

Në Moskë, një Exit Poll zbuloi se Putin kishte arritur të siguronte 87.97 për qind të votave./ZËRI

1 VITE ME PARE

Mbyllen qendrat e votimit në Rusi, Putin pretendon fitoren: U përpoqën të na trembnin

Zgjedhjet në Rusi/ Protestuesit sfidojnë Putinin, por pa vlerë.
Vladimir Putin

MOSKË- Presidenti Vladimir Putin thotë se fitorja e tij në zgjedhje do të lejojë Rusinë të bëhet më e fortë dhe më efektive. Duke folur nga selina e tij e fushatës, Putin ka shpërndarë edhe mesazhin e parë. Në fjalën e tij, duke iu përgjigjur kritikëve, Putin tha se të gjithë dështuan që të ndalonin zhvillimin e zgjedhjeve në Rusi. 

"Nga çdo zë, ne po ndërtojmë një vullnet të përbashkët të popullit të Federatës Ruse. Falenderoj qytetarët që erdhën në qendrat e votimit dhe shpreh mirënjohje të veçantë për luftëtarët tanë në vijën e konfliktit (duke iu referuar vijës së parë të luftës në Ukrainë). Pavarësisht se sa shumë u përpoqën të na trembin, të shtypin vullnetin tonë, ndërgjegjen tonë, askush nuk ka pasur sukses në histori. Ata dështuan tani dhe do të dështojnë në të ardhmen,"- shton ai.

Zgjedhjet ruse nuk janë përshkruar as të lira dhe as të drejta nga disa nga homologët e tij ndërkombëtarë. Por pavarësisht deklaratave, ish-udhëheqësi i KGB-së, i cili ka qenë në pushtet që nga viti 1999, do të udhëheqë vendin për një mandat të pestë. Por rezultatet e sonte nuk ishin befasuese, pasi çdo opozitë e besueshme ndaj Vladimir Putin është ose në burg, në mërgim ose i vdekur si në rastin e Aleksi Navalny./ZËRI

1 VITE ME PARE

Putin është sërish president/ Sa më shumë koha kalon, aq më shumë votohet (SHIFRAT)

Zgjedhjet në Rusi/ Protestuesit sfidojnë Putinin, por pa vlerë.
Vladimir Putin

MOSKË- Vladimir Putin u rizgjodh sot president i Rusisë, pas një procesi zgjedhor tre-ditor (15-17 mars), i cili shkoi mjaft ngadalë dhe pa tensione apo surpriza të veçanta, pavarësisht nga vdekja e liderit të opozitës, Alexei Navalny. Putini 71-vjeçar, i cili ka qenë vazhdimisht në pushtet në Rusi që nga fundi i vitit 1999, duke qenë president (2000-2008, 2012-2024) dhe kryeministër (1999-2000, 2008-2012), sot siguroi një mandati i ri, 6-vjeçar në Presidencë, ashtu siç edhe pritej.

Sipas të dhënave të para zyrtare, ai u rizgjodh në presidencë me një përqindje prej 87,97%. Shifër kjo në rritje me garat e shkuara. Për krahasim, në garat e mëparshme zgjedhore presidenciale ku ai kishte marrë pjesë, Putin kishte siguruar: 53.4% ​​në vitin 2000; 71.9% në 2004; 64.3% në vitin 2012; 77.5% në 2018 dhe gati 88% këtë vit. 

71-vjeçari kishte kundër tij këtë vit tre antikandidatë mjaft “dekorativë”, të cilët, në fakt, as që u munduan të kritikonin favoritin e padiskutueshëm.

Sidoqoftë, zgjedhjet presidenciale ruse të këtij viti ishin të parat që u mbajtën edhe në Ukrainë, në rajonet e sapo aneksuara të Zaporizhia, Kherson, Donetsk dhe Luhansk./ZËRI

1 VITE ME PARE

Zgjedhjet në Rusi/ Exit Poll: Putin fiton me 87%

Zgjedhjet në Rusi/ Protestuesit sfidojnë Putinin, por pa vlerë.
Vladimir Putin

MOSKË- Siç edhe pritej, në këto zgjedhjet nuk ka asnjë surprizë! Presidenti rus Vladimir Putin do të fitojë mandatin e tij të pestë me një shumicë dërrmuese prej 87%. Kjo sipas Exit Polls. Rezultatet zyrtare, pasi të jenë numëruar të gjitha votat, do të publikohen pas disa ditësh. Sipas mediave të huaja, më shumë 114 milionë njerëz kishin të drejtë për të votuar në Rusi, por ndryshe nga zgjedhjet e shkuara ka pasur një rritje në pjesëmarrje. 73 për qind qytetarë u janë drejtuar kutive të votimit përkundrejt 67.5 për qind  në zgjedhjet e mëparshme në 2018.

Zgjedhjet në Rusi/ Protestuesit sfidojnë Putinin, por pa vlerë.
Statistika

Presidenti rus ishte favoriti i padiskutueshëm për të fituar, në zgjedhjet presidenciale që po mbaheshin nën hijen e vdekjes së Alexei Navalny, liderit të opozitës që kaloi pjesën e fundit të jetës së tij në një burg rus. Zgjedhjet në Rusi u mbajtën nga e premtja deri sot, mes incidenteve dhe protestave të vogla. Në fakt, rusët kundërshtues të liderit veteran të Kremlinit shkuan në qendrat e tyre lokale të votimit edhe për të hedhur vota të pavlefshme, ose për të mbështetur një nga tre kandidatët e tjerë kundër Putinit.

Megjithatë fitorja është blinduar. Kështu Putin është lideri i dytë më jetëgjatë i Rusisë pas Stalinit./ZËRI

1 VITE ME PARE

E veja e Navalny-t voton për zgjedhjet në Rusi! Julia priti në radhë për disa orë, u fut tek ambasada në Gjermani

Zgjedhjet në Rusi/ Protestuesit sfidojnë Putinin, por pa vlerë.
Julia Navalny

GJERMANI- Julia Navalny, e veja e liderit të opozitës Alexei Navalny, votoi në ambasadën ruse në Berlin, pasi priti në radhë për disa orë. Teksa po largohej, ajo u tha gazetarëve se në fletën e votimit kishte shkruar “Navalny”. Burri i saj ndërroi jetë në një burg, muajin e kaluar, ndaj edhe ajo hodhi dyshimet sërish tek ngjarja që shokoi gjithë botën.

"Nuk mund të ndodhë që një muaj para zgjedhjeve, gjatë fushatës, të jetë vrarë kundërshtari kryesor i Putinit, i cili tashmë ishte në burg,"- tha ajo. Ndaj paralelisht me zgjedhjet, ajo mbështeti fushatën kundër Putin, ndërsa mbështetësit brohorisnin: Julia, ne jemi me ty!

Ajo u fotografua më herët duke paraqitur pasaportën e saj përpara se të hynte në ambasadë dhe dukej duke tundur me dorë teksa kalonte përmes një postblloku.

Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme. Por megjithatë votimet kanë përfunduar në disa rajone, ku Putin pritet të fitojë me 87%. Rezultati final i zgjedhjeve pritet të bëhet i ditur më 18 mars./ZËRI

1 VITE ME PARE

'Të zgjedhim ty'/ Zgjedhjet në Rusi/ Qytetarët dynden te varri i Navalny 'për të hedhur votën'

Zgjedhjet në Rusi/ Protestuesit sfidojnë Putinin, por pa vlerë.
Foto ilustruese

MOSKË- Dhjetra rusë u dyndën te varri i Alexei Navalny në Moskë të dielën për të hedhur votat e tyre simbolike për politikanin e opozitës në ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale të Rusisë. Navalny, kritiku më i ashpër vendas i Presidentit Vladimir Putin, vdiq muajin e kaluar në një burg të Arktikut. Ndihmësit e tij e akuzojnë Putinin për vrasjen e opozitarit, gjë që Kremlini e mohon. 

Zgjedhjet në Rusi/ Protestuesit sfidojnë Putinin, por pa vlerë.
Pamje nga varri

Navalny u varros në varrezat e Borisovskoye në Moskën jugore më 1 mars, dy javë përpara fillimit të zgjedhjeve presidenciale që pritet t'i japin Putinit gjashtë vjet të tjera në pushtet. Sot, imazhet video të postuara në mediat sociale nga Novaya Gazeta Europe dhe media të tjera tregojnë dhjetëra mbështetës të Navalny-t vendosën votat e tyre, për të ndjerin.

“Ne ju zgjedhim ju,”- shkruhej në një mesazh. Po ashtu, fletët e votimit i kishin ndryshuar për të përfshirë emrin e Navalny-t në listën e kandidatëve me një "shënues" pranë saj ishin gjithashtu të dukshme. Bashkë me votat, mbështetësit e tij, nuk i harruan edhe lulet./ZËRI

1 VITE ME PARE

Dita e fundit e zgjedhjeve në Rusi/ Opozita proteston, 74 të arrestuar, votojnë edhe rusët në Serbi dhe Mal të Zi!

Zgjedhjet në Rusi/ Protestuesit sfidojnë Putinin, por pa vlerë.
Votimi

RUSI- Sot është dita e tretë dhe e fundit që qytetarët rusë të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur kreun e ardhshëm të shtetit. Nga ana tjetër, opozita e përdori këtë ditë për të protestuar nën moton "Mesdita kundër Putinit". Në disa qytete ruse ka pasur ndalime nga policia, ku mediat e huaja raportojnë se 74 persona janë shoqëruar nëpër komisariate. Rusët dolën në qendrat e votimit këtë të dielë për ta hedhur si të pavlefshme fletën e votimit, ose për të votuar për një nga tre kandidatët kundër Putinit.

Votimi tre ditor për zgjedhjet presidenciale që mbyllet sot mbahet në kushtet e një kontrolli të fortë. Nuk lejohet asnjë kritikë publike ndaj Presidentit Putin dhe luftës që ai ka nisur ndaj Ukrainës. Në rrjet ka qarkulluar me shpejtësi një video ku votuesit shihen brenda dhomave të fshehta të kryerjes së procesit, kur papritur vizitohen nga ushtarë të maskuar që mbanin armë. Për shumë qendra votimi në Rusi është raportuar për djegie të fletëvotimeve, por edhe të kutive.

Kandidatët të cilët konsideroheshin si të pavarur, Putin ka arritur t’i nxjerrë nga “loja”, me autoritetet që i cilësuan si të padëshirueshëm pasi kanë kritikuar hapur luftën në Ukrainë.

Përpos kaosit, raportohet se mes qytetarëve që ushtruan votën sot ishin edhe qytetarët e Rusisë që jetojnë në Serbi dhe në Mal të Zi. Në Mal të Zi, votimi për zgjedhjet presidenciale ruse u organizua në ndërtesën e Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë.

Vladimir Putin po kërkon të forcojë kontrollin mbi pushtetin përmes zgjedhjeve që po mbahen në ditën e tretë në Rusi dhe që sipas të gjitha gjasave, do t’i japin atij një tjetër mandat 6 vjeçar./ZËRI

1 VITE ME PARE

Zgjedhjet në Rusi: Përse duhet mundimi kur dihet fituesi?

Zgjedhjet në Rusi/ Protestuesit sfidojnë Putinin, por pa vlerë.
Zgjedhjet ne Rusi

RUSI- Rregullisht, thuhet se Rusia është një diktaturë ndërkohë, megjithatë nga 15 deri në 17 mars vendi po zhvillon zgjedhje presidenciale. Rezultati dihet që para zgjedhjeve: Fituesi do të jetë Vladimir Putin, i cili ka qenë në krye të vendit në 25 vitet e fundit, dhe do të fitojë edhe një mandat të pestë. Në Kremlin të paktën  kështu Putin do ishte deri në vitin 2030.

Të shtunën zgjedhjet në Rusi u shoqëruan me protesta të veçuara. Edhe të dielën priten aksione protestash.

E vetmja figurë e qartë opozitare, politikani liberal Boris Nadeshdin është ndaluar të kandidojë nga gjykatat ruse, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë. Në zgjedhje kandidon Nikolai Kharitonov, 75 vjeç, i cili përfaqëson partinë komuniste lokale. Kandidati i kësaj partie zakonisht vjen i dyti pas Putinit, me distancë të madhe humbjeje. Kharitonov ka kritikuar disa nga politikat e brendshme të Putinit, por mbështet pushtimin rus të Ukrainës.

Në garë është edhe Vladislav Davankov. 40-vjeçari është një nga kandidatët më të rinj dhe e ka paraqitur veten më shumë liberal kur bëhet fjalë për frenimin e lirive individuale në Rusi. Megjithatë, ai ka thënë gjithashtu se nuk do të kritikojë kundërshtarët e tij politikë. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Kharitonov dhe Davankov mund të marrin secili nga 4% deri në 5% të votave totale.

Front i bashkuar

Por megjithëse të gjithë vëzhguesit e Rusisë thonë se Putini është para fitores, zgjedhjet edhe në Rusi duhet t'i shërbejnë një qëllimi. Ato duhet të ndihmojnë në adresimin e sfidave të brendshme dhe të jashtme me të cilat përballet regjimi i Putinit, thekson Konstantin Kalachev, një analist politik dhe ish-këshilltar i Kremlinit. Brenda vendit, zgjedhjet lejojnë legjitimimin e pushtetit të presidentit dhe demonstrojnë se populli rus është i bashkuar rreth liderit të tij, sipas Kalachev. "Dhe nga jashtë, ato duhet të tregojnë, se Putini zbaton politikën [e jashtme] bazuar në kërkesat e njerëzve," tha Kalachev për DW. "Ato bëjnë të qartë, se presidenti dhe shumica ruse janë të bashkuar dhe dua ta shpërndajnë çdo iluzion në Perëndim."

Nuk është e lehtë të bindësh njerëzit të dalin dhe të votojnë në një vend ku dihet  rezultati i zgjedhjeve që më parë. Sipas Meduza, një portal i pavarur lajmesh me qendër në Letoni, në fillim të këtij muaji, autoritetet ruse po marrin masa për të siguruar që zgjedhjet presidenciale të duken sa më legjitime.

Qëllimi është një pjesëmarrje zgjedhore prej 80%. Kjo bëhet, sipas Meduza, "duke mobilizuar elektoratin e varur nga qeveria: punonjësit e sektorit publik, punonjësit e institucioneve shtetërore ruse dhe kompanive të mëdha, besnike ndaj qeverisë, si dhe të afërmit dhe miqtë e tyre".

Nga anëtarët e partisë së Putinit, "Rusia e Bashkuar" kërkohet që të sjellin të paktën 10 persona me vete në qendrat e votimit, informon Meduza duke cituar kontakte të afërta me partinë politike. Zyrtarët e qeverisë dhe partiakë mund të shohin saktësisht se kush ka votuar, falë votimit elektronik apo kodeve dixhitale që identifikojnë votuesit.

Në fjalimin e tij drejtuar kombit në Asamblenë e Përgjithshme të Rusisë në fund të shkurtit, Putin u premtoi rusëve përmirësime sociale dhe përsëriti vendosmërinë e tij për të vazhduar të ashtuquajturin operacion ushtarak në Ukrainë.

Protesta e heshtur

Megjithëse kandidati i vetëm anti-Putin, Nadezhdin u ndalua të marrë pjesë në zgjedhje, ka mundësi për një votë proteste. Shumë opozitarë rusë janë larguar nga vendi, por ata u bëjnë thirrje përkrahësve të tyre të jenë aktive gjatë zgjedhjeve.

E veja e liderit të opozitës ruse të ndjerë së fundmi, Aleksei Navalny, Julia Navalnaya u bëri thirrje mbështetësve të dalin masivisht në qendrat e votimit në mesditën e së dielës, 17 mars, për të nderuar bashkëshortin e saj të ndjerë, Navalny. "Ju mund ta prishni fletën e votimit, mund të shkruani "Navalny” me shkronja të mëdha në të”, u shpreh Yulia Navalnaya në një video në YouTube. "Edhe nëse nuk shihni fare kuptim në votime, thjesht shkoni qëndroni në qendrën e votimit e pastaj kthehuni në shtëpi”, sugjeroi ajo, duke shtuar se njerëzit mund të votojnë për "këdo përveç Putinit".

Turma të mëdha që dalin para qendrave të votimit nuk do ta ndryshojnë rezultatin përfundimtar, por ato mund t'i japin krisje imazhit se rusët mbështesin pa dallim në masë të madhe Putinin, u shpreh Nikolay Petrov, studiues i grupit studimor, Europa Lindore dhe Euroazia në Fondacionin Gjerman, Shkenca dhe Politika. "Është gabim të mendosh se është më e lehtë për regjimet autoritare të kenë zgjedhje sesa për demokracitë," argumenton Petrov. "Është shumë e rëndësishme që Putini t'i tregojë elitës së tij politike se ai mbështetet nga shumica dërrmuese e rusëve. Kjo është arsyeja pse Kremlini dëshiron të demonstrojë rezultate shumë të mira dhe gjithashtu të shmangë çdo skandal”./DW

Poll

MOS HUMB