
TIRANË- Pavarësisht ditës së sotme, që ka nisur disi me mot të paqëndrueshëm, kjo fundjavë pritet që të ketë diell dhe temperature të larta.
Në një lidhje për Vizion Plus, meterologi Hakil Osmani tha se fundjava do të jetë nën ndikimin e motit me diell dhe me temperatura të larta, të përshtatshme për plazh.
Temperaturat maksimale në fundjavë pritet që të jenë deri në 32 gradë, ndërkohë që të hënën dhe të martën vendi pritet të jetë nën dominimin e temperaturave më të larta.
Osmani: Edhe pse mëngjesi i sotëm ka nisur me mbizotërim e vranësirave, pritet që deri në orët e mesditës të mbetemi në ndikimin e këtyre vranësirave më pas kemi përmirësim gradual të kushteve të motit. Mëngjesi i sotëm ka pasur një rënie të lehtë të temperaturave të ajrit. Ndryshon fundjava për sa i përket kushteve të motit, duke bërë që të kemi dominim të motit të qëndrueshëm. Paraditja do të jetë në ndikimin e orëve të gjata me kthjellime, ndërsa pasditja dhe mbrëmja sjell kalime të lehta vranësirash.
Ditën e diel pritet që vetëm në skajin verior të kemi reshje të pakta shiu. Kemi përmirësim edhe sa i përket temperaturave. Maksimumet mund të arrjnë deri në 32 gradë celcius. Gjatë ditës së hënë dhe të martë, paradite mbetemi në mbizotërimin e motit të qëndrueshëm, me intervale të gjata me diell kryesisht të fokusuara përgjatë pjesës bregdetare, ndërsa në zonat malore do të kemi kalime vranësirash. Pjesa tjetër e territorit do të mbetet nën mbizotërimin e motit të qëndrueshëm. Maksimumet të hënën dhe të martën do të jenë në 33 gradë celcius. /ZËRI