Politikë

"Numërimi me IA, test teknik"/ Vendore 2027, Celibashi: Kodi Zgjedhor të harmonizohet me hartën e re territoriale

Në një konferencë për mediat, Celibashi u shpreh se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të adresojnë edhe problematikat e mëparshme.

zh.ll
"Numërimi me IA, test teknik"/ Vendore 2027, Celibashi: Kodi
ilirjan celibashi

TIRANË- Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, foli sot për përgatitjet për zgjedhjet e 9 majit 2027, duke theksuar nevojën për ndryshime në Kodin Zgjedhor në përputhje me ndarjen e re administrative-territoriale.

Në një konferencë për mediat, Celibashi u shpreh se ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të adresojnë edhe problematikat e mëparshme. Gjithashtu, ai theksoi gjithashtu se votimi dhe numërimi elektronik duhet të shtrihen në sa më shumë bashki. Kreu i KQZ-së u shpreh se KQZ do të marrë të gjitha masat për përmbushjen e rekomandimeve të OSBE-së.

“Nga pikëpamja ligjore, edhe në arsyetimin tim si jurist, nuk ka problem miratimi dhe dekretimi i datës së zgjedhjeve pas ndarjes territoriale. Ndryshimet duhet të kishin shkuar bashkë me hartën territoriale dhe, shpresoj që partitë politike të angazhohen për të adresuar ndryshimet e Kodit Zgjedhor që kanë si shkak hartën e re territoriale...Do marrim të gjitha masat që të plotësohen rekomandimet e OSBE-së. Duhet që të rishikohet dhe struktura për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Bashkiak. Votimi dhe numërimi elektronik duhet të shtrihet në sa më shumë bashki”, tha Celibashi.

Një tjetër çështje që po shqyrton KQZ-ja është testimi i përdorimit të Inteligjencës Artificiale në procesin zgjedhor. Sipas Celibashit, po shqyrtohet mundësia e testimit të kësaj teknologjie në Tiranë dhe në një bashki tjetër më të vogël, teksa theksoi se apikimi i Inteligjencës Artificiale do të jetë një test teknike pa vlerë ligjore në rezultate.

"Aplikimi i Inteligjencës Artificiale do të jetë një test teknik, por nuk do të ketë asnjë vlerë ligjore në rezultatet. Duam që ta bëjmë dhe për të parë se si në të ardhmen ne mund të shohim se si mund ta shohim gjerësisht dhe në mënyrë përfundimtare të Inteligjencës Artificiale. Kemi menduar që ta aplikojmë inteligjencën artificiale në dy KZAZ, një në Tiranë dhe një në një bashki më të vogël”, tha Celibashi.

Zgjedhjet 2027 janë për zgjedhjen e përfaqësuesve të pushtetit vendor në Shqipëri, ku qytetarët do të votojnë kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë në të gjithë vendin. /ZËRI

MOS HUMB