
Miqtë e mi, po i ndaj me ju këto fjalë si nënë dhe si një qytetare, që e do vendin e vet e që ka besim se fjala e ndershme dhe veprimi me ndërgjegje, kanë forcën për të zgjuar shpresë dhe përgjegjësi. 1 Maji ishte dikur një ditë krenarie. Festohej me flamuj, me këngë edhe pse me fytyra të lodhura, por gjithsesi të buzëqeshura. Ishte një ditë për ata që me duart e tyre ndërtuan Shqipërinë — rrugë, fabrika, ura, jetë. Ata nuk ishin milionerë, por ishin shtylla e këtij vendi. Nuk kërkuan privilegje. Kërkuan vetëm respekt dhe e fituan _ me djersë dhe ndershmëri. Sot, 1 Maji është i heshtur. Puna është fyer. Djersa është përdhosur. Ndershmëria është përjashtuar. Shqipëria ka humbur respektin për vetveten, sepse ka humbur respektin për ata që punojnë me ndershmëri.
A kemi harruar sa vlen djersa jonë?
Institucionet heshtin. Arroganca sundon. Një brez i tërë po largohet; Jo sepse nuk e do Shqipërinë, por sepse Shqipëria nuk po e do më të vërtetën. Ata që dikur betoheshin për dinjitet, sot heshtin përballë pabarazisë dhe e shesin vendin për një privilegj më shumë. Edhe gjatë diktaturës, ndershmëria kishte njëfarë nderi. Sot është turp të jesh i ndershëm dhe lavdi të jesh mashtrues!
Jemi lodhur.
Jo nga puna, por nga padrejtësia. Nga fasadat. Nga gënjeshtrat. Nga titujt bosh, diplomat pa dije, drejtësia pa ligj, politika pa moral. Kur një njeri e fiton kafshatën me djersë, ai e sheh më qartë dallimin mes dinjitetit dhe talljes. Ai e njeh më mirë heshtjen që e ka zëvendësuar zërin në këtë shoqëri. Ai e kupton më thellë çfarë do të thotë të sakrifikosh, të durosh, të mos dorëzohesh. Edhe unë e kam humbur besimin ndonjëherë. Por nuk është politika ajo që na ka tradhtuar. Janë njerëzit e gabuar që kemi lejuar të qëndrojnë aty.
Në Shqipërinë tonë të dashur:
• Nuk kemi mungesë njerëzish - kemi mungesë përgjegjësie.
• Nuk kemi mungesë diplomash - kemi mungesë dijesh dhe ndershmërie.
• Nuk kemi mungesë ligjesh - kemi mungesë drejtësie dhe vullneti për t’i zbatuar.
• Nuk kemi mungesë mundësish - kemi mungesë guximi.
__ Universitetet heshtin kur diploma kthehet në monedhë korrupsioni.
__ Administrata hesht kur vota kthehet në çmim për favore. Kur pushteti bëhet privilegj, dhe jo përgjegjësi.
__ Media hesht kur e vërteta është e pakëndshme për pushtetin.
__ Toka është djerrë, jo për mungesë uji, por për mungesë drejtimi.
__ Rinia ikën jo për mungesë dashurie, por për mungesë shprese.
Dikur njerëzit besonin në një të ardhme më të mirë __edhe kur nuk kishin asgjë. Sot kanë më shumë liri, por nuk besojnë më as te liria, as te e ardhmja!
Dikur e eksportonim punën. Sot, ne eksportojmë fëmijët tanë dhe importojmë boshllëkun që ata lënë pas, duke e mbushur atë me të huaj që nuk e njohin tokën ose dhimbjen tonë! Ky nuk është zhvillim. Është dorëzim. 11 Maji i këtij viti nuk është thjesht një datë në kalendar. Është një ndarje. Një vijë ndarëse. Një pasqyrë ku secili nga ne duhet të shohë veten dhe me ndershmëri të kuptojë çfarë do, çfarë mbron. Është një mundësi për të dalë nga fundi i anestezisë kolektive.
Është një provë historike:
• A e duam ende këtë vend dhe të ardhmen e fëmijëve tanë?
• A do të vazhdojmë të heshtim?
• A do të zgjedhim po të njëjtat rrugë që na kanë çuar në varfëri, në mërgim dhe shuarje shprese?
• Apo do të kemi guximin të zgjohemi dhe të marrim përgjegjësinë në duart tona?
Të gjithë themi se duam ndryshim. Ndryshimi nuk vjen nga fjalët e bukura. Ndryshimi vjen nga vetëdija, nga përgjegjësia, nga veprimi — dhe mbi të gjitha, nga vota.
- Të mos votojmë për të ndëshkuar, por për të ndërtuar.
- Të mos votojmë nga frika, nga inati, apo për një thes me premtime.
- Të votojmë me ndërgjegje, si qytetarë që nuk shiten dhe nuk heshtin.
- Të votojmë në mënyrë të tillë që nesër të mos ulim sytë para fëmijëve tanë, sepse nuk patëm guxim dhe nuk i thamë -JO - padrejtësisë, abuzimit, arrogancës, korrupsionit.
Sepse një votë pa ndërgjegje është një plagë tjetër mbi trupin e këtij vendi. Ne nuk kemi nevojë për oratorë dhe ndjekës pasivë, por për njerëz të ndershëm që e ndiejnë dhimbjen e këtij vendi si plagën e tyre, dhe që dinë të shërojnë me ndershmëri. Jo më me recitime premtimesh. Na gjëmojnë veshët nga fjalë të mëdha për 30 vjet. Është koha për vepra të thjeshta, por të ndershme. Përpara se t’u kërkojmë bijve tanë të mos largohen, le t’u tregojmë pse ia vlen të qëndrojnë:- Jo vetëm për bukuritë e maleve apo nostalgji, por për ndërin e të jetuarit në një vend që e respekton punën, dijen dhe drejtësinë. 1 Maji na kujton se dinjiteti fitohet me punë, dhe se ndryshimi vjen vetëm kur njerëzit punojnë, protestojnë dhe zgjedhin. 11 Maji na jep një 1mundësi për të filluar një kapitull të ri dhe ta kthejmë këtë dinjitet në realitet. Të mos e kërkojmë më atdheun vetëm në poezi apo në flamur. Ta ndërtojmë me veprim, ndershmëri dhe guxim. Dhe ta nderojmë me një votë që nuk thellon plagët, por shëron. Me një votë që nuk turpëron, por ngre kokën lart, me dinjitet dhe shpresë. Punëtorët nuk janë vetëm pjesë e ekonomisë. Janë shtylla e dinjitetit njerëzor. Për ta, për fëmijët tanë, për ne që ende besojmë.
___
Nëse e gjeni veten në këto fjalë , ju ftoj t’i shpërndani. Le të zgjojmë njëri-tjetrin. Le të votojmë me dinjitet./ZËRI