Opinione

Pse ndjesa e Mediut është e pavend sot?

Ku ndikoi kjo tragjedi në jetën e tij? Në atë politike, jo njëherë! Vazhdoi të ishte ministër, vazhdon akoma të jetë deputet, vazhdon akoma karrierën e tij brenda dhe jashtë vendit.

Redaksia Zëri
Pse ndjesa e Mediut është e pavend sot?
Fatmir Mediu

“Kërko falje, e do të falesh!,”-kështu thotë një varg në Bibël! Edhe sot, Fatmir Mediu kërkoi falje për 26 viktimat dhe dhjetra familjarët e tyre që humbën jetën në tragjedinë e Gërdecit. I ngritur në këmbë nga banka e të akuzuarit, përballë trupës gjykuese, e me shpinë nga ata që u kërkoi falje, Mediu shqiptoi 2-3 fjali. Me shumë figura letrare dhe terma gati-gati prekës tha se prej kohësh në mendjen dhe në shpirtin e tij rëndonte pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilave u kërkoi ndjesë. Por shpejt u shfajsua duke u shprehur se tragjedia nuk u shkaktua nga veprimet apo mosveprimet e tij. Por se sqaroi nga çfarë? Sigurisht që kishte dhe një dozë të vogël, por të dukshme, tentativë për të manipuluar viktimat dhe për t’u kthyer edhe vetë në një të tillë. Një nga shumë teknika të manipulimit, kjo. Mediu tha se ngjarja nuk i kishte ndryshuar jetën vetëm atyre që ishin gjymtuar apo u ishte prerë jeta në mes nga tragjedia, por edhe atij. Çdo ditë i rëndonte pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së familjarëve.

Për të gjithë fanatikët e psikologjisë, kjo është një nga format më bazike të manipulimit. Të luash viktimën është trillim ose ekzagjerim për një sërë arsyesh si për të justifikuar abuzimin me të tjerët. Kjo është një strategji përballimi, kërkimi vëmendjeje apo/dhe shpërndarje të përgjegjësisë.

Pra edhe njëherë çfarë tha Mediu sot!

“Që prej 15 Marsit të vitit 2008, jeta e disa prej njerëzve që janë sot në këtë sallë, ka ndryshuar rrënjësisht. Pas shpërthimit në Gërdec, shumë prej tyre përjetuan ngjarje të rënda, deri në humbjen tragjike të njerëzve të tyre të dashur. Kjo ngjarje tragjike ndryshoi gjithashtu jo pak jetën time dhe të familjes sime. Që prej asaj dite në mendjen dhe në shpirtin tim rëndon pesha e dhimbjes dhe vuajtjes së këtyre familjeve, të cilëve përulësisht ju rikërkoj një ndjesë të madhe për çfarë ndodhi dhe ju shpreh gjithë keqardhjen time të thellë njerëzore. Edhe pse, as me dashje dhe as nga pakujdesia, nuk janë veprimet, apo mosveprimet e mia, apo dhe interesi im personal, ato që shkaktuan, apo ndikuan në shpërthimin në Gërdec, përsëri si ministër i Mbrojtjes, unë kam njohur dhe kam pranuar dje dhe pranoj sot përgjegjësinë time të plotë morale për çfarë ndodhi. Në reflektim të kësaj përgjegjësie, si dhe prej dhimbjes së madhe për jetët e humbura, unë dhashë dorëheqjen nga detyra e ministrit të mbrojtjes. Jam i keqardhur që aktin e dorëheqjes time si ministër dhe më pas sjelljen dhe qëndrimin tim të përulur në lidhje me tragjedinë, grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si akt dhe sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj. Kam zgjedhur të jem i kursyer në shpjegimet e mia publike dhe të shmangë sa të mundem të flas për ngjarjen. Me bindjen se shpjegimet dhe të vërtetat e mia rreth ngjarjes, për familjen Durdaj dhe të tjerët, jo vetëm nuk do të ishin një lehtësim i dhimbjes së tyre, por përkundrazi. Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. E për ta, shteti në këtë rast është Ministri. Ndaj, kundrejt tyre unë nuk kam çfarë të them. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, veçse t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit. Veç familjarëve, kushdo tjetër ka detyrim moral, por kur është rasti edhe detyrim institucional, që vlerësimin dhe gjykimin për atë ngjarje ta bëjë bazuar vetëm në fakte. Mbi të gjitha ky detyrim është për prokurorinë dhe gjykatën, si dy institucione kompetente që vlerësojnë ligjërisht përgjegjësitë penale të individit.”

Pra, pranon se për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi, e në këtë rast ministri. Indirekt pranon fajësinë e tij, por justifikohet ashtu siç bën një porositës në vrasje, që pretendon se nuk e ka tërhequr ai këmbëzën, por atentatori. Mirëpo ligji, i dënon të dy! Pastaj flet sesa keq e ka ndikuar ngjarja e Gërdecit në jetën e tij. Dakord, sapo ndodhi ngjarja në vitin 2008 e la vetë detyrën për t’ja pasuar Gazment Oketës. Postin e lënë bosh e harroi shumë shpejt sepse as një vit më vonë mori postin si ministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave që e mbajti deri në vitin 2013. Derisa Partia Demokratike iku nga pushteti.

Ku ndikoi kjo tragjedi në jetën e tij? Në atë politike, jo njëherë! Vazhdoi të ishte ministër, vazhdon akoma të jetë deputet, vazhdon akoma karrierën e tij brenda dhe jashtë vendit. Madje dhe me udhëtime e takime me ndërkombëtarë. Si ka ndikuar kjo ngjarje në jetën e tij? Është pak e paqartë kjo pjesë e deklaratës së tij në gjyq. Po tek familja si ndikoi? Dëm psikologjik i shkaktuar nga opozita e asajkohe? Epo…njerëz të tjerë humbën familjarët, fëmijëve iu pre jeta në mes.

“Iu shpreh gjithë keqardhjen time të thellë njerëzore,”-thotë Mediu, por pse nuk e ka bërë kurrë më parë? Edhe pse nuk duhet marrë më si shembull, edhe në Kanun, hjekësi shkon te bëjë "gjamë" mbi trupin e të vrarit. Deri më sot, Mediu (padyshim prezumohet i pafajshëm derisa drejtësia të marrë një vendim për të) nuk ka shkuar kurrë tek viktimat, as për t’ua thënë atë faljen sy më sy. Do thoni e ka bërë privatisht... Nëse do ta kishte bërë, sigurisht që do ta kishte bërë publike. Të paktën sot…po!

“Jam i keqardhur që aktin e dorëheqjes time si ministër dhe më pas sjelljen dhe qëndrimin tim të përulur në lidhje me tragjedinë, grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si akt dhe sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj. Kam zgjedhur të jem i kursyer në shpjegimet e mia publike dhe të shmangë sa të mundem të flas për ngjarjen. Do desha shumë ta zhbëja atë që ndodhi, por nuk kam asnjë forcë, veçse t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga tragjedia e 15 Marsit. Për familjarët e viktimave dhe të dëmtuarit në Gërdec, shteti është përgjegjësi që nuk mbrojti jetët e familjarëve të tyre. E për ta, shteti në këtë rast është Ministri."

Po! Bashkë me çdo post, sado të parëndësishëm dhe sado jetësor vijnë privilegjet dhe përgjegjësitë. Në këtë rast përgjegjësia e Mediut si ministër ishte që të kontrollonte çdo cep të vendit dhe sidomos Gërdecin. Luftë nuk kemi si shtet me asnjë shtet tjetër, ndaj nuk i është dashur që të shqetësohet për manovra apo strategji që do të na nxirrnin fitimtarë. Duhet thjesht që të sigurohej që të gjithë vartësit e tij të bënin punën siç duhet dhe askush nuk do të lëndohej. Kaq! Nëse e ka bërë dhe ka pasur ndërhyrje të tjera, ashtu siç edhe lë të kuptohet ndër rreshta, këtë përgjegjësinë dhe fajin që ndjen le ta përdorë për t’ja zvogëluar sadopak dhimbjen familjarëve. Kanë kaluar 15 vite! Nuk kthen dot pas asnjë jetë, por mund të ndihmojë që përgjegjësit e vërtetë të mos ia hedhim. Nëse është aq i penduar sa hiqet le të rrëfehet. Le të jetë e mira e parë që mund t’u bëjë familjarëve që për 15 vite nuk u janë ndarë lotët. Në të kundërt, falja e tij proceduriale nuk i hyn në punë askujt./ZËRI

Poll

MOS HUMB