TIRANË-Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo në një deklaratë për mediat nga Kryeministria, ka njoftuar se brenda kësaj jave do të prezantohen një sërë nismash nga zjarret tek transporti. Demo ka deklaruar se një fond pre 20 milionë eurosh do të shkojë për infrastrukturën e emergjencave, ndërsa 10 për përmirësimin e transportit urban. Ministri tha ndër të tjera se shumë shpejt do të ketë edhe një paketë mbështetëse për ata që janë në vijën e parë të zjarreve.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo: 20 mln euro do të jenë të fokusuara në logjistikë sa u përket infrastrukturës së emergjencave. Kemi financim prej 10 mln eurosh që do të jetë i fokusuar në një program të ri për përmirësimin e transportit urban, i cili problematikat po i nxjerr më shumë në pah. Besoj do të jetë edhe përgjigje e ankesave që ne hasim. Shumë shpejt do të dalim me një paketë mbështetëse për ata që janë në vijën e parë. Bonusi i zjarrfikësve do të shpërndahet për të gjithë ata që luftojnë me zjarret gjatë sezonit.
Demo u ndal edhe te protesta në kryeqytet, që mbahet prej më shumë se 1 muaji. Sipas tij, në konceptin e ideve që ofron, ky tubim po “thahet” dita-ditës.
"Na u shfaq një arkivol. Duket sikur flamingot kanë shtegtuar nga bulevardi se janë të ndjeshëm. Detyra jonë është që flamingot të ndihen rehat kudo. Disa kërkesa janë kërkuar nga një subjekt politik para se të niste protesta. Kur protesta merr trajtën e dhunës, nuk ka më një standard normal,"-u shpreh ai.