
TIRANË- Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 janë më afër se kurrë. Me të gdhirë dita e nesërme, që prej orës 7 të mëngjesit, qytetarët shqiptarë me të drejtë votimi do t'i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e 4 viteve të ardhshme! Si në çdo zgjedhje, edhe kësaj here, gara më e fortë është dy partive të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, por në skenë kanë hyrë edhe parti të reja politike që premtojnë dhe njëkohësisht kërkojnë shumë. Por sesa do t'i besojnë shqiptarët, do ta mësojmë (sipas kreut të KQZ-së) pasditen e 12 majit. Me orët që kalojnë, ankthi për rezultatin shtohet. Si zakonisht, kuriozitetin e "shuajnë" sondazhet e fundit të publikuara nga mediat më të rëndësishme në vend si “Top Channel”, “News24”, “Euronews Albania” dhe “Report TV”. Të gjithë sondazhet kanë një emërues të përbashkët, fitoren e Partisë Socialiste. Sipas pyetësorve që këto kompani kanë bërë në terren tregon se Partia Socialiste vijon të mbajë avantazhin në nivel kombëtar, duke u shkëputur ndjeshëm nga opozita.
Tashmë që shumë pak orë na ndajnë nga mbushja e kutive të votimit, ZËRI ju sjell një vëzhgim të të gjithë sondazheve që kanë qarkulluar ditët e fundit në vendin tonë. Sesa të vërteta janë, do ta mësojmë pas më shumë se 24 orësh.
Notosondaggi
Lidhur me prirjen e votuesve, News24 dhe Notosondaggi kanë intervistuar 2005 persona në periudhën 11-13 prill nga i gjithë vendi dhe të grupmoshave të ndryshme. 46% janë përgjigjur se do të votonin PS-në. Shumë më poshtë renditet Partia Demokratike!
PS- 46%
PD- 35%
Mundësia- 6.5%
“Nisma-Shqipëria Bëhet”- 5%
PSD- 2.5%
Koalicioni Euroatlantik- 2%
Lëvizja Bashkë- 1.5%
Koalicioni “Djathtas për Zhvillim”- 1%
Të tjera: 0.5%
Piepoli
Sondazhi ekskluziv i Piepolit në bashkëpunim me Report Tv, i publikuar vetëm 6 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, e projekton Partinë Socialiste fituese. Për këtë sondazh, marzhi i gabimit përllogaritet +/- 2.8%.
PS- 48.4%
PD- 35.4%
Mundësia- 4.8%
"Nisma Shqipëria Bëhet"-7.6%
PSD- 2%
Lëvizja Bashkë- 1.4%
Koalicioni EuroAtlantik- 0.1%
Djathtas për Zhvillim- 0.1%
Të tjerë- 0.2%
BAROMETRI
"Barometri" i Euronews Albania publikoi më 5 maj matjet përfundimtare për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Për këtë sondazh janë pyetur 1600 qytetarë nga data 24 Prill – 04 Maj në të gjithë vendin. Edhe për këtë sondazh, fitues janë socialistët.
PS-43.3 %
PD-25.5%
Mundësia- 7.3%
"Nisma Shqipëria Bëhet"-10.2%
PSD- 1.8 %
Lëvizja Bashkë- 2%
Të tjerë- 0.7%
Edhe për sondazhistët e Top Channel, zgjedhjet parlamentare fitohen nga Partia Socialiste e Edi Ramës me 49.4% të votave në rang kombëtar, kundrejt koalicionit opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” të Sali Berishës, që sipas “McLaughlin and Associates”, merr 34.9% të votave. “Rezultati” është përgatitur nga të dhënat e periudhës 26 prill-3 maj, ku janë pyetur 1200 qytetarë.
PS- 49.4%
PD- 34.9%
Mundësia- 5.3 %
"Nisma Shqipëria Bëhet"-3.3 %
PSD- 3.1 %
Lëvizja Bashkë- 1.1%
Të tjerë- 0.9 %
Por e gjithë kjo panoramë është e bazuar në sondazhet që kryedemokrati Sali Berisha thotë që nuk i beson duke marrë si shembull presidentin Donald Trump, i cili sipas “exit-polleve” duhet që ta shihte nga shumë shumë larg Shtëpinë e Bardhë. Në fakt, e kundërta ndodhi! Për kryeministrin Edi Rama, gjithçka është ndryshe! Kryeministri Edi Rama ka përmendur vetëm John McLaughlin – sondazhist amerikan i njohur për fushatat e Donald Trump. Kreu i qeverisë e quajti super sondazhist dhe vuri theksin te fakti që në zgjedhjet e fundit në SHBA ishte nga ata që nuk iu bashkuan sondazheve që nxirrnin përpara Kamala Harris apo flisnin për një garë të ngushtë. Por në të njëjtën kohë, Rama ngriti edhe pikëpyetjen që John McLaughlin mund ta ketë sjellë strategu amerikan i kontraktuar nga PD-ja, Chris Lacivita.
“Aaa, që të mos harroj se po shkojmë drejt mbylljes, sondazhisti i Donald Trumpit pashë që është kontaktuar dhe kontraktuar nga Top Channel. E ka sjellë Latifi. Kush e ka sjellë? Nuk e di, nuk ka pikë rëndësie, po di që kam qenë ndjekës shumë i vëmendshëm i fushatës amerikane, ai është një super sondazhist sepse dilte edhe i binte ndesh sondazheve në përgjithësi, që jepnin Kamalën përpara ose që jepnin Trumpin prapa ngushtësisht, etj dhe i doli fare, kështu që deri tani nuk kam parë ndonjë sondazh që të dalin , që ka një vërtetësi, jo se s’janë të vërteta, të gjitha të vërteta janë ato se ata i bëjnë vërtetësish se janë me emër po që duke qenë se ne e ndjekim, e anketojmë popullin shqiptar çdo muaj prej 12 vjetësh, i kemi të gjitha kapicë trendet, gjërat,”- deklaroi Rama.
Por sesa të vërteta janë sondazhet e amerikanit mund ta thoshte vetëm dikush…miku i tij i afërt, këshilltari i Partisë Demokratike, Chris LaCivita. Dje, në krah të Berishës që tha hapur se nuk njihte asnjë lloj sondazhi, LaCivita komentoi në Top Story sondazhin e “McLaughlin and Associates”. Ai u shpreh se McLaughlin është një mik i tij shumë i mirë dhe po ashtu, dha versionin e tij se përse Partia Socialiste del fituese në këto sondazhe.
“McLaughlin është një mik shumë i mirë. Sondazheve në SHBA i besoj. Fakti është që sondazhet përfaqësojnë disa aspekte në kohë dhe çka ato nuk arrijnë të kapin, nuk kapin se çfarë ndodh në terren. Unë e di që sondazhet këtu në Shqipëri zhvillohen derë më derë dhe flet me çdo person. Shumë njerëz nuk duan të flasin me një të huaj që po u troket në derë dhe i pyet kë do të votojnë, kur udhëheqësi i tyre është një diktator si Edi Rama. Është një logjikë më se e arsyeshme dhe pjesa e natyrës njerëzore t’u thuash njerëzve atë që dëshirojnë të dëgjojnë.”
Por kush ka të drejtë në këtë betejë interpretimesh?
Rama, që i referohet përvojës së vetë dhe sondazheve afatgjata që ndjek çdo muaj?
Berisha, që ngre dyshime mbi çdo shifër? Apo LaCivita, strategu që thotë se njerëzit në Shqipëri kanë frikë të thonë të vërtetën e votës së tyre? E vetmja e vërtetë e padiskutueshme është se fitorja e çdo pale, e madhe apo e vogël, vendoset në terren, në atë që ndodh në heshtje, në atë moment kur kutia e votimit bëhet vendi më i sinqertë në një shoqëri që ende nuk ka mësuar të besojë plotësisht as sondazhet, as fjalët.
Socialistët duket se mbajnë epërsinë. Demokratët besojnë te vala e heshtur. Partitë e reja po tentojnë të bëjnë çarjen e parë në murin e politikës tradicionale, ndërsa votuesit janë të thirrur të zgjedhin në një garë ku, për herë të parë, nuk është vetëm pushteti që ka peshë, por edhe besimi.
Surprizë mund të jetë vota e diasporës, një shifër prej gati 200 mijë vota që askush nuk i ka parashikuar me saktësi, por që mund të jenë përcaktuese, ashtu siç ndodhi në Kosovë. Po ashtu, shkalla e votave të pavlefshme, një plagë që rihapet në çdo cikël zgjedhor, është një faktor i errët me ndikim të drejtpërdrejtë.
Kjo e nesërmja nuk është thjesht një proces teknik. Është një referendum i brendshëm për secilin qytetar: për atë çfarë dëshiron të mbajë, të ndryshojë, ose të harrojë. Dhe përballë kësaj të drejte, asnjë sondazh nuk ka peshë më të madhe se një votë.
11 maji është dita e tyre. 12 maji është dita jonë për të kuptuar ku jemi nisur./ZËRI