
TIRANË- Partitë politike kanë edhe pak javë kohë për të përpiluar listat shumëemërore të kandidatëve për deputetë, e mesa duket opozita është në "aksion". Katër nga aleatët të Partisë Demokratike, Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Agron Duka dhe përfaqësues nga Partia e Lirisë u mblodhën sot në selinë e Partisë Demokratike.
Të gjithë kanë zhvilluar një takim "kokë më kokë" me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Flamur Noka. Secili prej aleatëve kërkon një vend të sigurtë në listat e mbyllura të kandidatëve. Por sesa kandidatë ka kërkuar secila prej partive, këto detaje nuk janë bërë ende publike. Pas përfundimit të takimit, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha se koalicioni duhet të jetë bashkë për një luftë të përbashkët kundër kryeministrit Edi Rama.
“Koalicioni duhet të brendojë vetveten dhe mesazhin, pra të jetë jo vetëm që po shkojmë thjesht te PD, por po shkojmë si opozitë te shqiptarët për të ndërtuar diçka ndryshe. PR është e pakënaqur me rezultatin që ka pasur, kërkon një rezultat më të mirë, por ky rezultat nuk duhet jetë në formë dhurate, por të jetë të një raport konkret i përfitimi të përbashkët. Qëllimi edhe i PR-së, Agrares dhe PD-së është të ndërtojmë një sukses të përbashkët dhe ky sukses ka vlerësimin e situatës dhe mundësisë së përfshirjes në garë në një kontribut të gjithë në atë që do të jetë fitorja e shqiptarëve dhe e opozitës. Unë kam marrë mandatin në Tiranë, kam kandiduar në Tiranë, megjithatë duhet të shqyrtojmë çdo lloj opsioni. Nuk është vetëm fakti personal, por për të kontribuar si përfaqësues të opozitës në të gjithë territorin, dhe duhen gërshetuar veprimtaritë që jo vetëm të shohim ku është mandati ynë, por të shohim sesi vota e PR në nivel kombëtar të jetë votë koalicioni,”-tha Mediu pasi doli nga godina e selisë blu.
Nga informacionet që janë zbuluar nga mediat për mbledhjen e zhvilluar, mësohet se Vangjel Dule ka kërkuar deputetë në disa zonë ku pretendon se mund të marrë vota. Ndërsa Agron Duka, edhe pse nuk do të garojë vetë për deputet, kërkon që Partia Ambientaliste-Agrare të ketë një vend të sigurtë në listën e Durrësit. Ende nuk dihet se cilat janë pretendimet e Partisë së Lirisë, me presidentin Ilir Meta në burg. Ai ka shprehur dëshirën për të garuar në Tiranë.
Por ka një shifër sesa vende deputetësh është e gatshme PD për t'ua "dhuruar" kandidatëve?
Vetë kryedemokrati Berisha tha në një konferencë për mediat se negociatat vazhdojnë dhe po zhvillohen, por theksoi se për do të merret parasysh edhe rekordi elektoral i zgjedhjeve të fundit.
A ka një kuotë PD sesa mund t'u ofrojë aleatëve në listë të mbyllur?
Berisha: Është në negocim e sipër. Sigurisht që aleatët do të kenë kandidatë. Patjetër! Ka ekzistuar dhe do të ekzistojë. Do ta njoftojmë në fund. Koalicioni bëhet në bazë të rekordit elektoral. Ai (rekordi elektoral) nuk mund të shkelmohet!
Një tjetër pikë që po negocion PD-ja janë diskutimet me Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet të Shpëtim Idrizit, që aktualisht ka 3 deputetë në Kuvend. Berisha e pranoi vetë që është në negociata që PDIU të jetë pjesë e koalicionit të PD në zgjedhjet e 11 majit. Kurdo në daljet e tij publike, kryedemokrati Berisha ka deklaruar shpesh gjatë konferencave dhe takimeve të tij se PD është e hapur për koalicion me çdo parti që kërkon largimin e qeverisë Rama nga pushteti. Ai ka premtuar një front opozitar që nuk është parë kurrë më parë deri më tani, por deri më sot, nuk ka pranë asnjë parti të re veç aleatëve "tradicionalë"./ZËRI