
TIRANË- 245 808 shqiptarë, nisur nga 5 prilli do të marrë në postë një zarf të madh, brenda të cilit do të futet "vullneti" i tij për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Zarfat do të nisen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në 85 vende të botës për të mbërritur në dyert e qytetarëve shqiptarë. Transporti i fletës së votimit në diasporë do të bëhet nga një postë me eksperiencë ndërkombëtare dhe për këtë proces, e për të realizuar këtë gjë, KQZ ka caktuar një fond prej 10 milionë eurosh. Sipas të dhënave të Agjencisë së Prokurimeve Publike, kompania postare do te zgjidhet me procedure tenderimi me negocim.

Ndërkohë që gjithçka duket se është gati, duke filluar nga data 5-10 prill, në Parkun Olimpik “Feti Borova”, do të nisë paketimi i zarfeve që do të dërgohen në diasporë. Sipas KQZ-së, ky park përmbush kriterin e sipërfaqes bazuar në numrin e tavolinave të numërimit të votave të emigrantëve në 12 qarqet e Shqipërisë dhe ofron mundësinë për përdorimin e teknologjisë për mbështetje të numërimit të votave nga jashtë.
“Më 5 prill, tek Parku Olimpik nisim përgatitjen e materialeve zgjedhore (mbushjen e zarfeve) që më pas i nisim në diasporë. Ambienti kënaq nevojat e të gjithë palëve,”-tha Celibashi në mbledhjen e sotme të KQZ.
Zarfet do të prodhohen në Slloveni nga kompania "Cetis" dhe kostoja e plotë, që nga prodhimi dhe transporti shkon deri në 50 euro. Sipas procedurës së bërë me dije, fleta e votimit do të vuloset dhe do të futet e palosur në një zarf A; ndërsa një zarf tjetër mban barkodin me informacion mbi zgjedhësin, por jo emrin dhe mbiemrin e tij. Kjo për të ruajtur sekretin e votës. Në momentin që ky zarf mbërrin në banesë, shtetasi shqiptar duhet të votojë mbi fletën e votimit që përkon me atë të qarkut ku ai ka vendbanimin në Shqipëri. Pra, nëse është banues në qarkun e Tiranës, në shtëpi do t'i shkojë fleta e votimit për qarkun e Tiranës. Pasi të ketë votuar, do ta palosë fletën e votimit brenda zarfit A, e pastaj mbi atë B. Kështu nga jashtë nuk ka asnjë mundësi që të dallohet se për kë ka shkuar vota e tij. E gjithë kjo procedurë këshillohet që të zhvillohet brenda 3 ditëve.
5 vendet nga ku shqiptarët kanë kërkuar më së shumti që të votojnë nga jashtë për zgjedhjet në Shqipëri janë: Italia, Greqia, Gjermania, SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar. Por ka edhe vende ku është kërkuar edhe vetëm 1 fletë votimi.
Sërish në “Feti Borova” do të bëhet numërimi i zarfeve që hyjnë në Shqipëri brenda orës 19:00 të datës 11 maj. Çdo zarf i ardhur pas këtij orari, nuk do të numërohet dhe votimi do të shkojë dëm. Edhe në rast se zarfi apo fleta e votimit do të kenë shënime apo dëmtime, vota sërish do të konsiderohet e pavlefshme./ZËRI