TIRANË- Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) shqyrtoi sot ankimimin e “Shqipëria Bëhet” ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që i dha mandatin Kleana Xhuvelit. Kështu, mandati i deputetit nga koalicioni i kalon kandidates së parë në listën e mbyllur të Tiranës, Ana Dajko. KAS pranoi pjesërisht kërkesën e Lapajt, i cili kundërshtoi vendimin Celibashit për t‘ja dhënë mandatin Kleana Xhuvelit. Megjthatë, Adriatik Lapaj, nuk e fitoi mandatin për të qenë pjesë e Parlamentit që nis sesionin në shtator.
Gjithashtu u rrëzua edhe kërkesa e demokrates, Andia Ulliri, e cila pretendoi se mandatin e Arjan Ndojës e fitonte në bazë të kuotës ligjore. Kreu i KQZ rrëzoi kërkesën e saj me argumentin se lista e hapur dhe ajo e mbyllur funksionojnë të ndara.
Lapaj depozitoi në KAS ankimimin e tij, ku argumentonte arsyet se përse mandati i vetëm si deputet që ka marrë koalicioni ku ai bënte pjesë i takon atij.
"Kriza" në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” nisi pasi daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni nuk pranoi të dorëhiqet dhe i shkroi KQZ që kërkon të marrë mandatin e deputetit në rast se atij i vjen radha, edhe pse pozicionohet i nënti në listën e mbyllur të koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet". Kjo solli edhe një përplasje në distancë mes Lapajt dhe Shabanit. Nga lista, Lapaj kërkon mandatin me pretendimin se mori në Tiranë 6500 vota, ndërsa Shabani 2 900 të tilla. Por duket se palët nuk kanë rënë dakord duke nisur një debat publik që ende nuk është mbyllur./ZËRI
