
TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi nuk ka lajmëruar asnjë hap pas për protestën që do të mbahet nesër në disa qarqe nga opozita. Pas mbledhjes në selinë blu, Bardhi u dha gazetarëve se Policia e Shtetit është njoftuar, duke shtuar se për çdo tubim ka bllokim rrugësh, ndaj edhe ai i nesërmi nuk është ndryshe. Sa i përket, seancës së sotme plenare, demokrati u shpreh se në sallë do të shkojnë vetëm deputetët e papërjashtuar, ndërsa të tjerët do të shpërndahen në terren për të përgatitur strukturat për nesër.
"Kemi diskutuar edhe sot aksionin e opozitës nesër në orën 17.00 në 6 pikat ku PD ka njoftuar aksionin e mosbindjes civile. Këto kanë qenë çështjet kryesore që kemi diskutuar në mbledhjen e sotme. Deputetët e përjashtuar janë të shpërndarë në degët e PD për organizimin e protestës nesër. Kolegët që marrin pjesë në seancë do të bëjnë gjithçka për të vijuar aksionin e opozitës. Jo si një zgjedhje e grupit parlamentar të PD, por si një zgjedhje e imponuar nga kundërshtari politik. Do të ketë një alternim të aksionit të opozitës. Sot deputetët e përjashtuar janë më të vlefshëm për të qënë pranë strukturave për protestën e nesërme. Kush do na ndjeki penalisht? Ilir Proda, zëdhënësi i bandës së Elbasanit. Ai të rrijë edhe ca ditë në detyrë se do ta shihni shumë shpejt që si çdo akuzë që deri tani është provuar nga opozita është emëruar nga krimi në detyrë. Tubimi kërkon njoftim, ne e kemi bërë. Në çdo tubim ka bllokim rruge. Kur Erion Veliaj bën maratonë, kërkon bllokim të rrugëve. Është detyra e Policisë që të marrë masa,"-tha pas mbledhjes së grupit, Bardhi.
Partia Demokratike ka njoftuar policinë se do të bllokojë disa akse nacionale në vend, si pjesë e protestës së saj që do të mbahet nesër në orën 17:00. Sipas kërkesës së depozituar nga PD, protestuesit do të bllokojnë mbikalimin e Kthesës së Kamzës ë hyrje të Tiramës, rrethrrotullimin e “Casa Italia, Milot, Shkozet, rrethrrotullimin e Rrogozhinës, Levanit dhe Bradasheshit. PD ka kërkuar 3 orë leje për tubimin, por nuk dihet sa kohë mund të demonstrojnë protestuesit. Ende nuk ka një skenar nëse ata do të qëndrojnë vetëm në këto akse apo do të lëvizin në pika të tjera./ZËRI