Politikë

Akuzat e PD për anulimin e seancës plenare, Spiropali thirrje opozitës të reflektojë: Shfaqjet degraduese nuk më intimidojnë

Spiropali tha se një deklaratë e tillë nga PD vjen në vazhdën e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës.

I.F
Akuzat e PD për anulimin e seancës plenare, Spiropali thirrje
Elisa Spiropali

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka reaguar në lidhje me deklaratën e Partisë Demokratike për vendimin e anulimit të seancës së Kuvendit, të cilën opozita e quajti vendim personal të sajin.

Spiropali tha se një deklaratë e tillë nga PD vjen në vazhdën e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës.

Më tej ajo shtoi se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë atë.

"Kryetarja e Kuvendit, shpreh keqardhje të sinqertë për komunikatën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, e cila është vazhdë e sulmeve jonjerëzore, përveçse antidemokratike me këmbë karrigesh mbi të, gjatë kryerjes së detyrës.

Kryetarja e Kuvendit e fton Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe posaçërisht autorin e goditjes me këmbë karrigeje, si edhe të kësaj komunikate goditëse me gjuhën e shpifjes, të reflektojnë mbi degradimin etik që po karakterizon veprimtarinë e tyre.

Kryetarja e Kuvendit e siguron Kuvendin dhe zgjedhësit se këto shfaqje degraduese të pakicës së të zgjedhurve, as nuk e intimidojnë dhe as nuk e pengojnë dot të kryejë me përkushtim, drejtësi dhe besnikëri të palëkundur ndaj rregullave të Kuvendit, rolin e saj institucional", thuhet në reagimin e Kuvendit. 

Më herët, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes një deklarate e quajti vendimin e Kuvendit për anulimin e seancës parlamentare antikushtetues. Sipas njoftimit, ata e quajtën këtë një vendim personal të Spiropalit. /ZËRI

Poll

MOS HUMB