
TIRANË- Kuvendi lajmëroi dje se është anuluar seanca plenare që do të zhvillohej sot në orën 10:00, për shkak të vizitës së presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan. Pas vendimit të Kuvendit, ka reaguar Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, duke thënë se anulimi i seancës plenare është antikushtetues.
"Anulimi i seancës me vendim personal të Elisa Spiropalit është antikushtetues dhe bie ndesh me çdo parim demokratik të funksionimit të Parlamentit. Kuvendi nuk është qelia personale në burg e Pëllumb Gjokës, që për shkak të lidhjeve me pushtetin, ai e hap e mbyll sa herë dëshiron. Kuvendi është tempulli i përfaqësimit të qytetarëve, që nuk mund të trajtohet kurrë si qelia e Pëllumb Gjokës", thuhet në reagimin e PD.
Grupi Parlamentar i PD edhe për këtë seancë kishte paralajmëruar kaos, duke thënë se gjërat nuk do të jenë më normale. 24 deputetë të opozitës janë përjashtuar nga seancat plenare për shkak të dhunës dhe kaosit të shkaktuar më 29 shtator. Ndërsa në seancën që u zhvillua më 3 tetor, deputetët e opozitës u penguan nga garda të futeshin në sallë dhe dogjën në oborrin e Kuvendit, 4 manekinë me fotot e Kryeministrit Edi Rama, vëllait të tij Olsi Rama, ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe vëllait të këtij të fundit Geron Xhafaj.
Manekinët u vendosën përpara derës së Kuvendit dhe më pas u spërkatën me benzinë nga deputetët e opozitës duke iu vendosur zjarrin. Ky ishte një demonstrim simbolik i opozitës për të shprehur revoltën dhe protestën e tyre. /ZËRI