Politikë

Armë, grushta dhe kërcënime! Tensionet që nuk munguan as këtë fushatë

Vitet e tranzicionit nuk i kanë mësuar as përkrahësit dhe as eksponentët e forcave politike që të bëjnë një fushatë qytetarë, pa përplasje!

k.m.
Armë, grushta dhe kërcënime! Tensionet që nuk munguan as
Tensionet e fushatës

TIRANË- Këto janë zgjedhjet e 11-ta parlamentare që mban Shqipëria që nga koha kur u shpall pluralizimi! Por çdo herë që ka votime, një është frika më e madhe: tensionet! Vitet e tranzicionit nuk i kanë mësuar as përkrahësit dhe as eksponentët e forcave politike që të bëjnë një fushatë qytetarë, pa përplasje! As kjo fushatë elektorale nuk ka kaluar pa tensione, por edhe përplasje! Gjatë gjithë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, në 4 qarqe të vendit ka pasur përplasje; sigurisht mes demokratëve dhe socialistëve. Partitë e reja duket se kanë qenë të pandjeshme ose të padëmshme në terren.

Fushata u ndez me grushta në Dibër me protagonist Xhelal Mziun! Më 24 prill, Policia informoi për sherrin që kishte ndodhur mes kryesuesit të listës së Partisë Demokratike në qarkun e Dibrës Xhelal Mziu dhe një punonjësi të administratës në Ostren. Gjatë një aktiviteti elektoral, Mziu u akuzua se bashkë me nipin e tij dhunuan Kalosh Murrën. Por nga ana tjetër, Mziu dorëzoi edhe ai një padi duke pretenduar se ai personi i dëmtuar. Sakaq, deputeti demokrat pretendon se ngjarja është manipuluar nga Policia e Dibrës, pasi sipas tij pjesëmarrësit janë intimiduar dhe dhunuar gjatë takimit elektoral ne Ostren.

Denoncimit të tij i shtoi faktin se Jeton Dani, babai i kandidatit socialist, Murat Dani sulmoi fizikisht kryetarin e PD në Bulqizë, Shaqir Manjani. Tashmë dosja është në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Brenda 2 javësh do të merret vendimi nëse çështja do të hetohet nga SPAK, do të delegohet në Prokurorinë e rrethit, ose do të pushohet. Në rast se shpallet fajtor, Xhelal Mziu rrezikon mandatin e tij si deputet.

Në Korçë ishte sërish Bledion Nallbati ai që kishte probleme me ligjin. Në këtë rast, ka marrë dhe të vëllanë me vete. E gjitha kjo për një aksidenti që “mund” të kishte ndodhur. Mbrëmjen e 3 Majit, kandidati i Partisë Demokratike Bledjon Nallbati dhe i vëllai i tij dhunuan një shofer kamioni në Bilisht. Në pamjet që qarkullojnë në rrjet, shihet teksa kandidati i Berishës që pretendon se ishte një sulm politik, edhe pse me prezencë të policisë, ngjitet në shkallën e kamionit për të goditur sërish shoferin. Më pas, merr makinën dhe largohet.

Për këtë ngjarje u arrestua vëllai i tij Alti Nallbati, por deputeti demokrat nuk u procedua. Policia arrestoi 42 vjeçarin Alti Nallbati të dielën me akuzat për veprat penale "Dëmtime të tjera me dashje", "Prishja e qetësisë publike", dhe " Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit"; por Gjykata e la të lirë me “detyrim paraqitje”. Për të gjithë përballjen që po kalon i vëllai me drejtësinë, Nallbati e konsideron një sulm politik.

Në Lezhë, konflikti mes palëve ka qenë ballor, madje dhe me pretendimet se janë përdorur armë zjarri. Po ashtu, nga ky konflikt u zbuluar se Partia Demokratike kishte rikthyer skemën e vitit  2021, atë të ngritjes së strukturave për mbrojtjen e votës. Një skemë nga e cila, 4 vite më parë vetëm 4 ditë para zgjedhjeve, i kushtoi jetën Pjerin Xhuvanit. Gjithçka e zbuloi vetë ish-gjyqtari, pjesë e listës së hapur të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike.

Pak ditë përpara votimit, në dalje nga komisariati i Lezhës, kandidati socialist, Ermal Pacaj akuzoi demokratët se përmes njerëzve të armatosur kanë kërcënuar babanë e kandidates për deputete Klotilda Ndreca dhe kreun e PS në Lezhë, Emirjan Lazri. Vetëm pak orë më parë, Gjin Gjoni kishte postuar në Facebook emrat e personave që sipas tij po blinin vota në Lezhë, por edhe pamje të ndjekjes së një makine duke e shoqëruar me mbishkrimin: Grupet për mbrojtjen e votës në ndjekje të njerëzve që dalin natën për qëllime të mbrapshta elektorale. Ne jemi kudo. Do t’iu ndjekim këmba-këmbës!

Për ngjarjen, Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim Xhejson Seferaj 27 vjeç dhe  ⁠Ilirjan Gjoka 40 vjeç, autorë të dyshuar për veprat penale “Kanosja apo dhunimi i pjesëmarrësve në zgjedhje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, por nuk ka “shpëtuar” pa një akuzë edhe kandidati për deputet. Policia e Lezhës njofton se Gjoni do të procedohet në gjendje të lirë, pasi ka akuzohet se ka shpifur për 5 zyrtarë socialistë, të cilët i publikoi me emra duke thënë se ishin të implikuar në blerje votash.

Edhe pse Lezha kishte armë, më të tensionuar kanë qenë në Elbasan! Një lokal i marrë me qira në Cërrik për qëllime elektorale nga Partia Demokratike e Shqipërisë nisi tensionet mes palëve. Demokratëve u morën 1 kompjuter dhe 1 televizor, ngjarje që vendosi në pranga 2 persona, por nuk u la me aq. Vjedhja e një kompjuteri me të dhënat e shtabit u bë shkas për kërcënime ndaj socialistëve. Me gjuhë të ashpër, kandidati demokrat Aurel Bylykbashi kujtoi përplasjen e rëndë në prag të zgjedhjeve të 4 viteve më parë në Elbasan, ku mbeti i vrare Pjerin Xhuvani. Madje Bylykbashi kërcënoi edhe me përdorimin e armëve të zjarrit.

"Çfarë duan këta që 10 ditë përpara zgjedhjeve të marrim urat e zjarrit në dorë dhe të djegim zyrat. Ne mund ta bëjmë edhe këtë, por do ta çojmë Elbasanin, Cërrikun në një konflikt akoma më të madh se në 2021. Nga ana tjetër, iu bën thirrje të gjithë demokratëve të qarkut tonë të mos tuten, të mos frikësohen por të vazhdojnë me forcë shpërndarjen e programit të PD derë më derë sepse arma jonë e vetme në këto zgjedhje është programi i PD,"- tha kandidati Aurel Bylykbashi.

Jo më pak i ashpër ishte edhe drejtuesi politik për qarkun e Elbasanit, Tomor Alizoti, duke iu referuar kryetarit të PS si frymëzues i çdo lloj krimi.

"Ju jeni vetë banaliteti dhe është kënaqësia jonë ti PD që shtypim njerëzit banal. Ju jeni prijës i hajdutëve”.

Por shumë shpejt ngjarja duket se u sheshua derisa dje, në mbylljen e fushatës në Elbasan, pati një sherri masiv mes demokratë në Elbasan. I lënduar në përplasje mbeti djali i Luçiano Boçit, Paridi. Edhe pse të përfshirë, demokratët tentuan që të relativizionin atë që ndodhi duke e cilësuar si një konflikt banal mes disa të rinjve.

“Në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë mitingut përmbyllës të Partisë Demokratike në Elbasan, Partia Demokratike Dega Elbasan dëshiron të sqaroj opinionin publik se bëhet fjalë për një konflikt të natyrës krejtësisht banale mes disa të rinjve, pa asnjë lidhje me përplasjen e grupeve mbështetëse të kandidatëve apo me organizimin e Partisë Demokratike. Partia Demokratike Elbasan u bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos ndikohen nga manipulime të tilla keqdashëse dhe të mbeten të fokusuar tek qëllimi ynë i përbashkët: fitorja e vlerave demokratike dhe ndryshimi që Elbasani dhe Shqipëria meritojnë,”- thuhet në deklaratë.

Por kjo deklaratë është përgënjeshtruar fill nga gruaja e Luçiano Boçit, djali i të cilit mbeti i plagosur.

“Konflikti nuk është i natyrës banale, por tërësisht politik. Do e çojmë deri në fund zbardhjen e plotë të tij,”-shkruante në rrjetet sociale Blerina Boçi, edhe pse në asnjë moment nuk përmendi emra.

Kështu, me armë, pa armë, me grushta, apo me kërcënime u mbyll edhe kjo fushatë! Edhe njëherë nuk ditëm që të sfidohemi me etikë dhe ashtu siç i takon një vendi që ka më shumë se 30 vjet pluralizëm. Është e trishtë që në fund të këtij muaji të ngarkuar fushatë, e vetmja gjë e mirë që kemi të themi është: Të paktën s’ka viktima!/ZËRI

Poll

MOS HUMB