
TIRANË- Një ditë pas episodit të dhunshëm të ndodhur gjatë mitingut të Sali Berishës në Elbasan, ku mbeti i lënduar në kokë djali i Luçiano Boçi, ka reaguar gruaja e deputeti, njëherësh nëna e të riut si dhe dega e Partisë Demokratike në këtë qytet. Sipas sqarimit të bërë prej PD, thuhet se ky episod ka ndodhur pas një konflikti banal mes disa të rinjve.
“Në lidhje me incidentin e ndodhur gjatë mitingut përmbyllës të Partisë Demokratike në Elbasan, Partia Demokratike Dega Elbasan dëshiron të sqaroj opinionin publik se bëhet fjalë për një konflikt të natyrës krejtësisht banale mes disa të rinjve, pa asnjë lidhje me përplasjen e grupeve mbështetëse të kandidatëve apo me organizimin e Partisë Demokratike,"-thuhet në reagim.
Por ndryshe nga PD, Blerina Boçi bashkëshortja e deputetit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi në një koment të bërë në një postim në rrjetet sociale, thotë se konflikti nuk ka qenë banal, por tërësisht politik. Madje ajo flet për ‘skema banditeske’ dhe paralajmëron se do t’i shkojë deri në fund kësaj ngjarjeje.
“Skemat banditeske në veprim të plotë! Konflikti nuk është i natyrës banale, por është krejtësisht politik! Do e çojmë deri në fund zbardhjen e plotë të tij!”- shkruan Boçi.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë në takimin përmbyllës elektoral të kryedemokratit Sali Berisha në Elbasan. Pamjet e publikuara tregonin disa persona duke u konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, mes tyre dhe djali i Luçiano Boçit./ZËRI