Politikë

Arrestime, dorëheqje dhe emërime në qeveri/ Kush janë 6 bashkitë që do të shkojnë në zgjedhje të parakohshme?

Vëmendja kryesore dhe gara më e fortë pritet të jetë ajo për Bashkinë e Tiranës, si njësia më e madhe vendore në vend.

zh.ll
Arrestime, dorëheqje dhe emërime në qeveri/ Kush janë 6
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Në 6 bashki të vendit do të mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale për shkak të largimit të kryebashkiakëve. Konkretisht: Tirana, Vlora, Berati, Mati, Tepelena dhe Cërriku.

Pas Beratit, Tepelenës dhe Matit, të cilët “humbën” kryebashkiakët e tyre, pasi u zgjodhën deputetë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, tashmë kësaj liste i shtohet edhe Tirana, Vlora dhe Cërriku, të cilat do të zgjedhin emrat e kryetarëve të rinj me votën e qytetarëve. 

Vëmendja kryesore dhe gara më e fortë pritet të jetë ajo për Bashkinë e Tiranës, si njësia më e madhe vendore në vend. Pas arrestimit të kryebashkiakut në detyrë Erion Veliaj, në garë socialistët do të hedhin Ogerta Manastirliun, e cila u shpall sot kandidaturë nga kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të PS-së.

Ndërkohë zgjedhje do të zhvillohen edhe në Vlorë, ku Ermal Dredha dha dorëheqjen e papritur vetëm një ditë më parë. I kritikuar shpesh nga kryeministri Rama për drejtimin e bashkisë, ish-diplomati e njoftoi kreun e PS-së pak orë para nisjes së mbledhjes së Asamblesë.

Gjithashtu edhe Cërriku pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme për bashkinë, pasi kryetari aktual Andis Salla u zgjodh nga Rama për të qenë ministri i ri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Zgjedhje do të zhvillohen gjithashtu edhe në Berat, Mat e Tepelenë ku të zgjedhurit e dy viteve më parë tashmë kanë marrë mandatin e deputetit. Konkretisht: Ervin Demo i Beratit, që tashmë do të jetë edhe ministër i Pushtetit Vendor në “Rama 4”, Tërmet Peçi i Tepelenës dhe Agron Malaj i Matit, do të jenë deputetë të rinj në Parlament, të cilët presin të betohen nesër në seancën e Kuvendit.

Tashmë mbetet për t’u caktuar vetëm data e zgjedhjeve lokale të parakohshme me dekret të presidentit të Republikës, Bajram Begaj./ZËRI

Poll

MOS HUMB