Politikë

PS gati 'motorët'! Një ministër ROBOT dhe figura të reja, kush janë emrat e ekipit 'Rama 4'

Ministria e Shëndetësisë i është besuar një emri të panjohur për politikën

F.I
PS gati 'motorët'! Një ministër ROBOT dhe figura
Ministrat e rinj

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka gati ekipin që do qeverisë vendin për tre vitet e ardhshme. Teksa disa prej ministrave nuk do të jenë pjesë e kabinetit të ri, emra të panjohur për politikën dhe figura të reja do të marrin 'frenat' e disa prej Ministrive më të rëndësishme në vend. Qeveria 'Rama 4' nuk ka ardhur pa surpriza, ku për herë të parë një ministre virtuale me Inteligjencën Artificiale, Diella, deri dje asistentja virtuale në e-Albania do të drejtojë Prokurimet Publike. 

Ministria e Shëndetësisë i është besuar një emri të panjohur për politikën. Evis Sala do të mbajë postin e ministres. Ajo drejton Qendrën për Imazheri Diagnostike dhe Radioterapi Onkologjike në Poliklinikën “Gemelli” dhe është pedagoge në Institucionet e Arsimit të Lartë, ku kontribuon me përvojën e saj akademike dhe kërkimore për formimin e brezit të ri të profesionistëve të shëndetit. Sala ka një karrierë të gjatë akademike dhe kërkimore në Mbretërinë e Bashkuar, ku për shumë vite ka qenë pjesë e Universitetit të Kembrixhit dhe ka bashkëdrejtuar Programin e Avancuar të Imazhimit të Kancerit dhe Programin e Integruar të Mjekësisë së Kancerit në Qendrën e Kërkimit të Kancerit në Kembrixh.

Një surprizë ishte edhe zgjedhja e Ervin Demos si Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor. Demo, më herët me drejtimin e Bashkisë së Beratit i është besuar posti i një ministri. Rama tha se ish-kryebashkiaku i Beratit është njeriu i duhur për këtë detyrë duke konsideruar punën e tij në drejtimin e punëve të bashkisë. Demo ka pasur një karrierë të shquar në administratën publike shqiptare. Nga tetori i vitit 2017 deri në tetor të vitit 2018, ai ka shërbyer si zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Republikën e Shqipërisë.

Në krye të Ministrisë së Drejtësisë, u emërua Besfort Lamallari. Ai është Zëvendësministër i Brendshëm që nga 9 Tetori 2017. Njëkohësisht, ai ka punuar si konsulent i jashtëm për organizma ndërkombëtare, përfshi Këshillin e Europës, OSBE-në, Projektin e BE-së IPA 2010 për “Zhvillimin e Burimeve Njerëzore”, etj. 

Me qeverinë e re, Rama riktheu edhe Ministrinë e Mjedisit, duke ja besuar atë një emri të panjohur për politikën. Ministër në këtë dikaster do të jetë Sofjan Jaupaj. Në 10 vitet e fundit ai ka mbajtur pozicione të ndryshme në sektorin publik në Shqipëri si Drejtor i Kabinetit i Kryenegociatorit për Integrimin në BE të Shqipërisë, Drejtor i Integrimit dhe Koordinator i Lartë për normat ligjore prioritare të BE-së pranë Kryeministrisë dhe Ministrisë së Kulturës dhe aktualisht në 3 vitet e fundit ka qenë i emëruar Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Vetë kreu i qeverisë u shpreh se Sofjani është ndër shqiptarët më të apasionuar të Mjedisit.

Ndërkohë, surpriza do të kishte edhe për drejtimin e Bujqësisë. Andis Salla, kryebashkiaku i Cërrikut me qeverinë e re do të shfaqet si Ministër i Bujqësisë. Salla do të zëvendësojë Anila Denajn. 

Toni Gogu, një figurë e vjetër politike i angazhuar prej vitesh në qeveri edhe pse nuk fitoi një mandat deputeti, në Kuvendin e ri do të hyjë si Ministër Shteti për Marrëdhënien me Parlamentin. 

E fundit por jo më pak e rëndësishmja është Elisa Spiropali. Në qeverinë e re Spiropali do të rikthehet po postin e Ministres së Jashtme. Kjo nuk është hera e parë që Spiropali drejton një ministri, pasi prej vitit 2019 deri në vitin 2024 ajo mbante postin e Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Prej një viti Spiropali drejtoi edhe Parlamentin, si kryetare Kuvendi.

Të rinj dhe të vjetër, këta janë emrat që iu besuan Ministritë e vendit. Sa i përket angazhimit dhe performancës së tyre kjo pritet të shihet në tre vitet e ardhshme./ZËRI

Poll

MOS HUMB