
GREQI- Një kontroll rrugor në aksin Janinë-Arta ka përfunduar me arrestimin e një shtetasi shqiptar, pasi automjeti që drejtonte u kap duke lëvizur me 249 kilometra në orë në një segment ku shpejtësia e lejuar ishte 100 km/orë.
Shpejtësia e lartë ka tërhequr vëmendjen e policisë, e cila ndërhyri dhe ndaloi automjetin. Drejtuesi shqiptar u arrestua dhe ndaj tij u komunikuan masat e parashikuara në nenin 290A të Kodit Penal grek.
Përveç arrestimit, autoritetet greke sekuestruan edhe automjetin tip Audi. Ndaj drejtuesit u vendos një gjobë prej 2 mijë eurosh, ndërsa si masë administrative iu hoq patenta për një vit dhe iu vendosën 9 pikë.
Çështja pritet të vijojë përpara gjykatësit të Janinës, i cili do të vendosë për masën e sigurisë ndaj shtetasit shqiptar. Ai akuzohet për drejtim të rrezikshëm të automjetit dhe vënie në rrezik të jetës së qytetarëve.
Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e mediave greke në një periudhë kur në rrugët dhe qytetet e vendit janë shtuar kamerat e survejimit. Vendosja e tyre në autostrada dhe semaforë ka sjellë mijëra gjoba të vendosura çdo ditë për shkelje të rregullave të qarkullimit./ZËRI