Politikë

Basha 'realizon ëndrrën', fiton njëherë ndaj Ramës! Kryeministri: Logjikë e një 12-vjeçari, duan edhe rritje page 700 €

Deklarata e Bashës është bërë më 22 Tetor 2018, para selisë së Partisë Demokratike.

k.m.
Basha 'realizon ëndrrën', fiton njëherë ndaj
Edi Rama dhe Lulzim Basha

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës, ka rrëzuar padinë e bërë nga kryesocialisti, Edi Rama, kundrejt ish-kryedemokratit, Lulzim Basha. Sipas institucionit të drejtësisë, padia e bërë nga i pari i qeverisë nuk është e bërë mbi bazën e provave e të ligjit. Në padinë e bërë, kryeministri Edi Rama kërkonte 1 mln lekë (të vjetra) dëmshpërblim nga Basha me pretendimin se deklaratat e bëra prej tij janë të pavërteta. Rama e kishte paditur për cenim të nderit dhe personalitetit pas deklaratave publike të vitit 2018 mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste në aferat e dosjes “339”.

Deklarata e Bashës është bërë më 22 Tetor 2018, para selisë së Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Basha reagoi për arrestimet masive të Policisë së Shtetit, duke kërkuar prangosjen e ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. 

"Është kapur në flagrancë në përgjime me krimin. Pra në shkëmbim të votave për PS duke u ofruar tendera, peshku i madh quhet Vangjush Dako. Këta të tjerët janë peshq të vegël që serviren për të shpëtuar Dakon dhe për të shkatërruar hetimet. Kjo është një nga dosjet që ka marrë përsipër Prela. Peshqit e vegël që janë arrestuar mbrëmë do të lirohen. Sot kemi një celulë kriminale, që duke i servirur opinionit disa peshq të vegjël, cironka të mbyllet hetimi për Dakon dhe katër deputetë të tjerë të PS. Kjo ka shfryrë dosjen Dako-krim i organizuar. Unë ua kam thënë para dy vitesh këtë,"-tha Basha. Ndërsa po atë ditë ka marrë edhe një përgjigje nga Rama. Deklaratës së Bashës, Rama iu përgjigj në "X" (asokohe Tëitter).

"Shpif shpif se lirohesh, i thonë një llafi, po s'ka më peshk se rob jo e jo, që s'e ka marrë vesh se sulmet vulgare ndaj prokurorisë vijnë nga dhimbjet e forta të kokës për çështjet e hapura me drejtësinë!Lufta me krimin e me korrupsionin vetëm do të përshkallëzohet,"-shkruante Edi Rama, kryeministër.

Por, Gjykata pasi ka shqyrtuar çështjen nuk ka gjetur prova për të provuar fajësinë e Bashës. Sipas togave të zeza, deklaratat e Bashës përbënin një opinion politik të ligjshëm, të mbështetur në fakte të njohura publikisht, dhe të bërë në funksion të detyrës së tij si lider i opozitës.

Pasi Gjykata e Tiranës rrëzoi pas 7 vitesh padinë e tij për shpifje kundrejt Lulzim Bashës, një reagim ka ardhur edhe nga kryeministri Edi Rama. Në një reagim të gjatë në rrjetin social 'X', Rama shkruan se gjykatëses i janë dashur 7 vite që të dalë në konkluzionin se kreu i qeverisë, si paditës s’ka pësuar ndonjë dëm, pasi mban ende detyrën e kryeministrit dhe deklarata nuk ka ndikuar në perceptimin publik. Në reagimin e tij Rama e lidh vendimin edhe më kërkesën e gjyqtarëve për rritje page, kur thotë se kjo gjykatëse është edhe anëtarë e unionit që kërkon të paguhet me 700 euro më shumë.

REAGIMI I EDI RAMËS:

Gjykata e Shkallës Parë Tiranë sot ka hedhur poshtë padinë time për shpifje ndaj Lulit në vitin 2018, për të cilën gjykatëses i janë dashur shtatë vjet që të dalë në konkluzionin se, unë “si paditës s’kam pësuar ndonjë dëm, pasi dhe aktualisht mbaj detyrën e kryeministrit dhe deklarata”, pra shpifja e Lulit “nuk ka ndikuar në perceptimin ndaj meje në publik”!!! Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar mua dot nga detyra!!!

Tani që ky arsyetim nuk ka dalë nga ndonjë libër humoristik, po nga një gjykatë dhe që arsyetuesi nuk është autori i “Ushtarit të mirë Shvejk”, po një gjykatëse që paguhet më shumë se sa një mësuese apo një mjeke nga taksat e shqiptarëve, ky është një fakt për të qarë e aspak për të qeshur - kur mendon pastaj edhe që kjo gjykatëse i përket Unionit që kërkon rritje page 700 Euro nga Gjykata Kushtetuese, qarja bëhet vajtim! Ndërsa po t’i shtosh pastaj kësaj ngjarjeje satirike gjyqësore, dyshimin për se si mund t’i vejë halli të drejtës së njerëzve për çështje më të rëndësishme në duart e një gjykatëseje të tillë, atëherë të vjen të pyesësh: A do zgjohet nga gjumi qeveria e Gjyqësorit, me këshilltarët e inspektorët e lartë dhe qindra punonjësit e administratës së saj të aq mirëpaguar, për t’i kaluar në filtrin e përgjegjësisë së lartë publike bëmat dhe gjëmat me të cilat përballet e drejta e njerëzve të zakonshëm në sallat e gjyqeve?!

Dhe të kuptohemi mirë, halli nuk është fare çfarë bëri një gjykatëse me një çështje për shpifje, aq më tepër kur shpifësin në fjalë se marrin më seriozisht as këpucët pa lidhëse që vesh. Këtu halli është si do u vejë halli çështjeve shumë më të rëndësishme të njerëzve, që varen nga mendja e gjykatëses në fjalë apo të tjerëve si ajo, të cilët e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12 vjeçari!!!

VENDIMI I GJYKATËS:

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile, më datë 11.06.2025, pasi shqyrtoi në seancë gjyqësore, në praninë e përfaqësuesit të palës paditësë, kërkesën me paditës: Edi Rama, të paditur Lulzim Basha, me objekt:

1. Detyrimi i të paditurit të shpërblejë dëmin jo pasuror, shkaktuar paditesit, si rezultat i thënieve të pavërteta të deklaruara prej tij, nga selia e Partisë Demokratike, në prononcim për mediat me datë 22.10.2018, në shumën 1.000.000 (një milion) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore.

2. Detyrimi i të paditurit të publikojë një përgënjeshtrim në të gjitha mediat që kanë publikuar deklaratën apo lajmin mbi të, sipas listës së përcaktuar në pikën D.2 të kërkesë padisë”.

Gjykata, bazuar në rrethanat e konstatuara gjatë hetimit gjyqësor, në dispozitat ligjore përkatëse dhe në arsyetimin e mësipërm, çmon se padia nuk duhet pranuar pasi është e pabazuar në ligj dhe në prova,

PËR KËTO ARSYE;
Gjykata mbështetur në nenet 126, 306 deri 310 të Kodit të Procedurës Civile

V E N D O S I:

Rrëzimin e padisë pasi është e pabazuar në ligj e në prova.
Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës paditëse.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Juridiksioni i Përgjithshëm brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve duke nisur afati nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.
Shpallet sot në Tiranë më datë 11 qershor 2025

Kjo shënon herën e dytë që Basha fiton ndaj Ramës në karrierën e tij politike. Herën e parë i mori Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet vendore të vitit 2011 dhe hera e dytë është vendimi i sotëm gjyqësor./ZËRI

Poll

MOS HUMB