
TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar në lidhje me akuzat e forta që Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja ka bërë së fundmi për Jorida Tabakun, më të votuarën e demokratëve në listën e hapur të Tiranës. Kalaja akuzoi Tabakun për bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama për të grumbulluar sa më shumë vota, për të poshtëruar kryetarin e PD-së, Sali Berisha. Në konferencën për mediat Berisha tha se Kalaja nuk ka të drejtë të ngrejë akuza pa fakte.
Sali Berisha: Zonja Kalaja është një luftëtare e vendosur, e guximshme që në 4 vite është përballur direkt me kryeministrin më shumë se kushdo tjetër. Në atë linjën e saj që beson se është avokate, linjën e drejtësisë dhe paditë. Zonja Kalaja dhe cilido tjetër qoftë në vlerësimin tim, nuk ka të drejtë pafakte të akuzojë ndonjë njeri. E treta, Sali Berisha është shprehur për këtë se zonja Tabaku ka bërë një nga fushatat më intensive siç kam konstatuar.
Në lidhje me akuzat edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka hedhur poshtë akuzat e kandidates Adriana Kalaja. E ftuar në “Kjo Javë”, Tabaku u shpreh se nëse ka pasur një person që ka denoncuar oligarkët, ka qenë pikërisht ajo, dhe ndaj këto akuza i duken të pabaza./ZËRI