
TIRANË-Pas dy muajsh Kuvendi i Shqipërisë pritet sot të rifillojë punimet me një seancë plenare. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka thirrur Konferencën e Kryetarëve, që sipas rregullores, do të vendosë për seancën më të afërt plenare.
Kjo do të jetë hera e fundit për shumë nga deputetët, përfshirë edhe kryetarët aktualë të grupeve parlamentare, që janë pjesë e Konferencës së Kryetarëve, për shkak se një pjesë prej tyre nuk arritën të fitojnë në zgjedhjet e datës 11 maj.
Konferenca e Kryetarëve do të vendosë për kalendarin e punimeve gjatë muajit qershor, kur pritet të vijojë agjenda e projektligjeve që lidhen me integrimin evropian, procesi i mbetur në mes për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, shtyrja e afatit të punës së komisioneve të posaçme për medien dhe antikorrupsionin, si dhe iniciativa të mbartura nga sesionet e shkuara.
Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, Kuvendi i ri duhet të mblidhet jo më vonë se 10 ditë pas përfundimit të mandatit të legjislaturës së mëparshme. Duke qenë se mandati i Kuvendit aktual përfundon më 9 shtator 2025, seanca e parë e Kuvendit të ri pritet të zhvillohet brenda datës 19 shtator. Në këtë seancë të parë, deputetët e rinj do të bëjnë betimin dhe do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit./ZËRI