TIRANË- Projekti për transformimin e zonës së Tajvanit në Tiranë ka sjellë reagimin e kryedemokratit Sali Berisha. Berisha ka kundërshtuar ndërtimin e godinës së re në Parkun Rinia, ndërsa ka bërë të ditur se Partia Demokratike po mbledh firma për një peticion kundër projektit.
Në intervistën e përjavshme me qytetarët Berisha deklaroi se është kundër ndërtimit të një godine shumëkatëshe në hapësirën e gjelbër të 'Parkut Rinia'.
“Jam në mënyrë kategorike kundër ndërtimit të kullës në parkun e vetëm që ka mbetur tek Tajvani dhe shkatërrimit të tij. Partia Demokratike po mbledh firmat për një peticion dhe referendum lokal kundër ndërtimit, sikundër ju garantoj se do të mbështesim fuqishëm çdo protestë kundër ndërtimit të saj. Për ne kullat janë monumente të shëmtuara të drogës dhe korrupsionit” tha Berisha.
Kreu i PD-së theksoi se qëndrimi i tij ndaj ndërtesave shumëkatëshe ka qenë i njëjtë edhe gjatë kohës kur ishte në pushtet, duke deklaruar se nuk ka dhënë leje për ndërtime të tilla.
“Unë jam kundër tyre dhe kam qenë kundër tyre dhe nuk kam dhënë asnjë leje ndërtimi. Dhe në planin e përgjithshëm rregullues të Tiranës, të miratuar në atë kohë nga Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit, nuk ka pasur asnjë ndërtesë mbi tetëkatëshe, në asnjë zonë” tha Berisha./ZËRI