
TIRANE- Kryedemokrati Sali Berisha iu kërkoi drejtuesve të IDU, që të mbështesin opozitën shqiptare që shqiptarët të mund të votojnë të lirë. Në kohën kur kryeministri Edi Rama, priti liderët e Komunitetit Politik, Berisha ishte duke informuar IDU-në në lidhje me parregullsitë e zgjedhjeve të 11 majit. Berisha iu tha se zgjedhjet ishin farsë dhe se këtë qëndrim e ka deklaruar më herët edhe në rezolutën e PPE.
Pjesë nga deklarata e Berishës:
Këto zgjedhje u zhvilluan në një klimë terrori politik të paparë më parë, ku Kryeministri, i cili tani udhëheq një narkoshtet, i pari dhe i vetmi narkoshtet në Europë, për të siguruar mandatin e katërt, vuri në burg, në arrest shtëpie apo nën ndjekje penale, tre drejtues të partive kryesore të opozitës, u hoqi mandatet kryetarëve të bashkive dhe burgosi deputetë të opozitës.
Së dyti, si narkoshtet që është, Shqipëria u bë vegël e organizatave kriminale që u përdorën gjerësisht për të siguruar vota për Kryeministrin. Në zyrën e tij ka një person që koordinon aktivitetin e organizatave kriminale shqiptare brenda dhe jashtë vendit. Në këto zgjedhje, këta individë kishin për detyrë të sillnin në Parlament 28 deputetë përmes pagesave dhe terrorit. Në fakt, sot njerëzit më të votuar janë kandidatë anonimë të këtyre bandave dhe organizatave kriminale.
Për të fituar, Kryeministri e ktheu të gjithë administratën dhe shtetin në një makineri të madhe elektorale. U përdorën mjete publike financiare për të blerë vota. Konkretisht, çdo pensionisti iu dhanë 100 euro si “dhuratë” në mes të fushatës zgjedhore, si një dhuratë nga Kryeministri. Por, zonja dhe zotërinj, pensionistët përbëjnë sot 48% të elektoratit në Shqipëri, pasi në 10 vjet janë larguar rreth 600,000 të rinj. Z. President, zgjedhjet ishin farsë. Nëse nuk u kthejmë të drejtën për të votuar shqiptarëve, vendi po zhduket. Sipas Eurostat, në 10 vitet e fundit, mbi 1,099,000 shqiptarë janë larguar drejt Bashkimit Europian.
Faleminderit edhe një herë për mbështetjen shumë të çmuar që keni treguar. Kërkoj sërish mbështetje nga qeveritë, nga IDU, PPE, CDI dhe qeveritë në pushtet që kombi im të mund të votojë i lirë!
Takimi i Berishës në IDU vjen 5 ditë pas zgjedhjeve parlamentare që u fituan nga Partia Socialiste me 83 mandate, ndërsa opozita u tkurr në 50 mandate. Opozita e akuzon PS se përdori shtetin dhe krimin në zgjedhje për të tjetërsuar dhe manipuluar votat ndërkohë që liderët e BE dhe vendeve të tjera kanë uruar Edi Ramën për fitoren. Nga ana tjetër, raporti paraprak i OSBE/ODIHR i gjeti zgjedhjet si në kushte të pabarabarta për garuesit duke vënë shtuar se patronazhistët, përdorimi i burimeve shtetërore dhe vendimet e qeverisë para zgjedhjeve mund të kenë ndikuar në proces./ZËRI