TIRANË- Është zhvilluar përmes debateve mbledhja e sotme e Konferencës së Kryetarëve, për shkak se mazhoranca refuzoi kërkesën për mocion me debat mbi prioritetet e qeverisë Rama. Kreu i grupit parlamentare të PD-së, Gazment Bardhi, u shpreh se kërkesa ishte konform rregullores së Kuvendit, dhe refuzimi i saj tregon frikën e mazhorancës për t’u përballur në Kuvend.
“Konferenca e Kryetarëve nuk vlerëson përmbajtjen e kërkesës për mocion. Konferenca vendos vetëm datën. Kërkesa është konforme rregullores dhe ka një pikë: aspiratën e Shqipërisë për në Bashkimin Europian.
Keni qenë ju që keni bërtitur në Kuvend se opozita nuk do debat. Sot jeni ju që po e faktoni se kush nuk do debat, kush nuk ka një bilanc për t’u përballur në debat, kush nuk ka një program të qartë për atë që e keni shpallur prioritet, pra anëtarësimin në BE.
Nga njëra anë bërtisni se kemi krijuar jo-normalitet në Kuvend, nga ana tjetër refuzoni debatin.
Bilanci i vetëm i qeverisë është: ku do të udhëtojnë për takime, kujt do t’i japin leje ndërtimi, cili është koncesioni i radhës apo cilat para do të vidhen”, u shpreh kreu i grupit parlamentar i PD, Gazment Bardhi.
Kryetarit i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se kërkesa e opozitës nuk respekton as në formë as në përmbajtje përcaktimet e detyrueshme të nenit 98 të Rregullores së Kuvendit. Sipas tij rregullorja nuk përcakton që në seancën më të parë të diskutohet mocioni, por brenda 30 ditëve nga depozitimi.
“Kuvendi i Shqipërisë ka përcaktuar një sërë mekanizmash në funksion të deputetëve/grupi deputetësh apo Grupit Parlamentar për të ushtruar mbikëqyrje të ekzekutivit. Jo pa shkak Kuvendi ka përcaktuar në nenin 98 mocionin për një arsye të veçantë dhe konkrete. Duke qenë se kërkohet mirëkuptim, do të keni gjithmonë mirëkuptimin tonë.
E lexova mocionin në të cilin ka 6 super çështje, ku në secilën ka shumë nënçështje. Rregullorja thotë një çështje. Në kërkesë ju caktoni disa makro çështje. Mjaftojnë dy çështjet e para që listoni të cilat përfaqësojnë dy superçështje të mëdha me shumë nënçështje. Çështjen katër kërkoni integritetin e ministrave dhe më pas vazhdon me kriminalizimin e politikës shqiptare. Pra z. Kryetar, jemi para një kërkese që nuk respekton as në formë as në përmbajtje përcaktimet e detyrueshme të nenit 98 të Rregullores së Kuvendit. Në të kaluarën kemi bërë debat dhe jemi dakordësuar që të hartohet mocioni për një çështje të caktuar.
Dy javë pas seancës së diskutimit të programit të qeverisë dhe përbërjes ne e quajmë pikë të ezauruar. Kërkesa për mocion për debat ka 6 superçështje dhe asnjë çështje të veçantë. Jeni të mirëpritur ta risillni të modifikuar vetëm në një çështje. Nuk e thotë rregullorja që në seancën më të parë të diskutohet mocioni, por brenda 30 ditëve nga depozitimi”, u shpreh Balla në konferencën e kryetarëve./ZËRI