
KORÇË- Fushata është "ndezur" dhe përplasjet nga Fieri, Dibra duket se kanë prekur edhe Korçën. Kandidati i Partisë Demokratike për deputet, Edmond Spaho ka akuzuar maxhorancën se ka nisur shpërndarjen e disa thasëve me miell në zonën e Maliqit. Sipas demokratit, socialistët kishin "zbarkuar" në zonë për të marrë votat në këmbim të disa thasëve me miell. Madje i ka bërë publik edhe emrat e personave që kanë marrë "ndihmat".
"Filloi shperndarja e miellit ne Maliq ne kembim te votave. PS po shperndan miell nga shtepite e Sonil Sulo Pine dhe Vjollca Qato. Shihni fotot e maskarenjve qe shperndajne miell per vota dhe qe pretendojne te na fusin ne Europe. Neser do ju bej kallzim penal ne SPAK,"-shkruan Spaho.
Përgjigjen e mori nga gazetari Xhensil Shkëmbi. Ky i fundit sqaroi se në fakt, thasët me miell ishin shpërndarë nga Kisha Ungjillore.
"Edmond Spaho - ky nuk është miell fushate por humanizmi. Jam pjesëtar i komunitetit kishtar në Maliq prej më shumë se 8 vitesh. Çdo muaj, Kisha Ungjillore për shkak të problemeve të shumta sociale të komunitetit të Qarkut të Korçës për më shumë se 200 familje në nevojë u ka ofruar ndihma ushqimore e jo vetëm. Familje të cilat jetojnë në kushte të vështira ekonomike, edhe për faj të politikës. Ndërsa këto ndihma janë pjesë e një projekti të fondacionit Hope for Albania, 3 vjeçar, ku shpërndahen për Krishtlindje dhe Pashkë. Kisha asnjëherë nuk e ka patur për qëllim të ngatërrojë humanizmin me politikën sepse kisha është fe, është familje, është atdhe. Krejt ndryshe nga politika. Zoti Spaho, gratë të cilat i kishit ekspozuar në foto (duke shkelur rëndë privatësinë e individit) janë ndjerë të fyera nga ana juaj. Barrë të rëndë ke marrë përsipër deputet!"
Në mbështetje të gazetarit ishte dhe "KISHA UNGJILLORE LIBONIK MALIQ" që gjithashtu në rrjetet e saj sociale doli me një deklaratë zyrtare dhe sqaroi se në zonë kanë nisur një projekt në bashkëpunim me disa fondacione humanitare për të ndihmuar familjet në nevojë, jo vetëm në Korçë. Por në të gjithë Shqipërinë. Madje shtojnë se për këtë çështje kanë dhënë sqarime edhe në Komisariatin e Maliqit.
"Lidhur me reagimet e fundit të deputetit të Partisë Demokratike të Shqipërisë Z.Edmond Spaho, përsa i përket ndihmave humanitare të shpërndara nga Kisha Ungjillore Libonik, Fondacioni "Duart që Sigurojnë" dhe Fondacioni "Hope for Albania", anëtarë të Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë. Ky është një projekt 3 vjeçar në bashkëpunim me disa fondacione humanitare për të ndihmuar familjet në nevojë jo vetëm në zonën e juglindjes por gjithë Shqipërisë, duke përfshirë miell dhe paketa të tjera ushqimore. Kisha Ungjillore Libonik distancohet nga gjuha denigruese e kujtdo që kërkon të baltosë punën disavjeçare. Të gjitha sqarimet përkatëse janë bërë në komisariatin e Maliqit nga pastori Plator Çollaku dhe gratë të cilat kanë përfituar ndihmat humanitare dhe në të njëjtën kohë po informohen dhe institucione të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare që monitorojnë çështjet e besimit,"-sqaroi Kisha.
Por nuk mbeti me kaq!
Demokrati Spaho ndau disa foto të gazetarit nën shoqërinë e pastorit Plator Çollaku dhe deputetit socialist Ilir Pendavinji, duke lënë të kuptohet se sipas tij, ndihmat për të marrë votën po kamufloheshin përmes donacioneve të Kishës. Po ashtu, paralajmëroi se për këtë çështje do të ngrejë një pasi në Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
"Zoti Xhensil Shkembi, ai nuk eshte mjell humanitar por puro elektoral. A mund te me thuash ti Xhensil "besimtari" perse Kisha e ndan miellin ne shtepine e Sonil Pines, punonjes i Bashkise Maliq dhe Vjollca Qatos, punonjese e Postes? Po te kujtoj ty Xhensil "gazetari" i rregjimit, qe pastori Plator Collaku eshte antar i Keshillit Bashkiak nga PS. Pra "feja" jote dhe e pastorit jane punet e PS dhe jo punet e Zotit. Fene e keni si maske per paudhesite tuaja. Se fundi Xhensil trimi cfare kerkoni dhe pastori ne nje tavoline me Ilir Pendavinjin, sic dukeni ne keto fotot me poshte? Po merreni me punet e zotit apo punet e ndarjes se miellit? Pergjigjet e ketyre pyetjeve Xhensil, mos mi jep mua, por SPAK, i cili do ju therrese se shpejti te gjitheve ju manipuluesit e zgjedhjeve."
Pas komenteve të shumta dhe atyre që i dolën në krah gazetarit, Spaho u detyrua që të mbante një qëndrim sqarues. Në postimin e tij më të fundit thekson se "objekti" i tij nuk ishte gazetari, por Partia Socialiste e degës së Maliqit dhe deputetin Ilir Pendavinji. Madje për këtë të fundit u shpreh se e kishte ftuar edhe në përballje televizive, por nuk kishte pranuar. Sa i përket, çështjes së gazetarit Shkëmbi, Spaho justifikohet me faktin se ai u përfshi vetë dhe se ishte i detyruar që t'i përgjigjej.
"Sqarim i detyruar per te gjithe ata te cilet po me kritikojne se paskam sulmuar nje gazetar: Une nuk jam marre me gazetarin por me PS Maliq dhe deputetin Ilir Pendavinji. Kete te fundit e ftova dhe e ftoj per debat ne TV ne lidhje me blerjen e votave me miell por ai nuk pranon. Gazetari hyri ne loje kur u perpoq te me bindte se ky miell eshte humanitar dhe jo elektoral. Ne keto kushte isha i detyruar ti pergjigjesha per deformimin qe po bente. Ne se mielli ishte humanitar, Kisha e shperndan ne oborrin e saj dhe jo ne shtepite e dy antareve te PS, njeri punonjes ne bashki Maliq dhe tjetri ne nje institucion shteteror. Aq me teper kur kjo behet ne kulmin e fushates elektorale. Me tej, une nuk mund ta kaperdij termin "humanitar", kur pastori i Kishes eshte anetar i keshillit bashkiak ne Maliq, i zgjedhur nga PS. Klerike te tille gjen vetem ne PS. Toni Gogu eshte pastori tjeter deputet. Pavaresisht "kritikave", do vazhdoj te demaskoj shitblerjen e votes sikurse kam kallzuar ne Prokurori, 8 punonjes te administrates lokale dhe qendrore ne Maliq, te cilet benin fushate per PS gjate orarit zyrtar. Rastin e miellit e kemi cuar ne SPAK dhe uroj te kene kellqe ta zbardhin. I them edhe ndonje demokrati se demokracine iluministe te tipit norvegjez e njoh edhe une, por ne Shqiperi ende 21% te votuesve ju ble vota ne zgjedhjet e vitit 2021. Keto fenomene i ndesh gjeresisht ne Maliq. Ju kujtohet besoj sesi kryetari i Bashkise ne vitin 2023 mblodhi te gjithe fermeret dhe i genjente se do ju jepte lejet e qarkullimit per traktoret. Sot ata fermere kane hedhur prodhimet ne kanal kurse Gezim Topciu vazhdon mbreterimin. Sa per sherbetoret e perhershem te rregjimit nuk shqetesohem fare kur merren me mua. Me kaq i jap fund kesaj polemike shterpe nga ana e disave,"-e mbylli sqarimin e tij deputeti demokrat./ZËRI