
DURRËS- Bashkëkryetari i koalicionit “Nisma-Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, përmes një deklarate ka denoncuar se kandidatja e kësaj force politike në Durrës, Valbona Myhedin është kërcënuar me armë zjarri. Lapaj shprehet se ngjarja ka ndodhur gjatë një aktiviteti elektoral në lagjen nr. 8 pranë shkollës “Eftali Koçi” në Durrës, teksa Myhedin po zhvillonte takime me qytetarë dhe po prezantonte programin e saj elektoral.
Më tej, ai shton se për këtë ngjarje do të informohet edhe Ambasada e SHBA-ve, pasi kandidatja është shtetase amerikane.
“Deklaratë Publike
Pak minuta më parë, anëtarë të krimit të organizuar në Durrës kanë kërcënuar me armë kandidaten tonë Valbona Myhedin dhe aktivistët që e shoqëronin, teksa ajo zhvillonte takime me qytetarët në lagjen nr. 8, pranë shkollës “Eftali Koçi”.
Valbona Myhedin, shtetase amerikane, është përballur me një akt burracak frikësimi, që nuk do të kalojë nën heshtje.
I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit të veprojë menjëherë, ndërsa do vëmë në dijeni Ambasadën Amerikane.
Ai që i tregoi armën dy grave, do përgjigjet para ligjit!
Rrugëtimi ynë nuk ndalet! 11 maji është afër!
P.s personi në video është ai që ka kryer këtë akt të ulët”, shkruan Lapaj./ZËRI