
TIRANË-Në Tiranë po zhvillohet Samiti Ekonomik Ndërkombëtar 'Future Investment Initiative Europe', ku i pranishëm pritej të ishte edhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, nën cilësinë e CEO-s dhe themeluesit të “Affinity Partners”. Kushner nuk është paraqitur fizikisht në Shqipëri, por ka përshëndetur Samitin me anë të një video-mesazhi, ku ka folur edhe për projektin e tij në vendin tonë.
Kushner ka treguar se pas vizitës në jug të Shqipërisë, e studiuan tregun dhe demografinë për një vit dhe u arrit në përfundimin se ishte mjedis perfekt për investim. Lidhur me projektin në Sazan, Kushner thotë se kanë angazhuar inxhinierët më të mirë në Europë për programet e duhura për ruajtjen e mjedisit.
JARED KUSHNER- Edi është një politikan shumë i aftë – na tregoi se çfarë mund të bëjë një artist me një vend. Ata do të ndërtojnë një aeroport në Vlorë, dhe kjo është një mundësi shumë e madhe për t’u shfrytëzuar në rajon. Isha shumë i tërhequr nga rajoni dhe zhvillimet rajonale demografike. Shpenzuam 1 vit me studim tregu. Pas një analize rezultoi se mjedisi ishte perfekt. Shumë njerëz më kanë pyetur pse po investojmë në Shqipëri. Shumë veprime të qeverisë po ndryshojnë klimën e jetesës – ato përkthehen në rroga më të larta, në më shumë mirëqenie. Është një lokacion perfekt. Shumë pak km larg Italisë, 10 minuta distancë nga aeroporti i ri. Do të ndërtojmë diçka spektakolare dhe do e prezantojmë së shpejti. Kush do e vizitojë resortin? Së pari unë me gruan. Do ndërtojmë një komunitet të shkëlqyer dhe do tërheqim markat më prestigjioze në botë.
PYETJE: Kush do të jenë blerësit? Kush do të jenë vizitorët? Si shpresoni t’i tërhiqni?
DHËNDRI I TRUMP, JARED KUSHNER: E vetmja që e di me siguri është vetja ime, gruaja dhe familja ime. Pra, po e dizajnojmë këtë vend në mënyrë që të jetë një vend ku ne do të donim të kalonim verën. Dhe sa herë ua tregoj miqve tanë, ata më thonë: “Duam edhe ne një vend aty pranë.” Po tërheqim disa nga markat më të njohura në botë që duan të bëhen pjesë e kësaj. Dhe mendoj se do të jetë e jashtëzakonshme. Pra, po e dizajnojmë si vendi ku ne vetë do të donim të kalonim verën, dhe nëse e realizojmë mirë, besoj se edhe shumë familje të tjera do të duan të kenë një shtëpi aty ose ta vizitojnë shpesh.
PYETJE: Kur e nisët “Affinity Partners”, nuk mendoj se pasuritë e paluajtshme ishin pjesë e strategjisë tuaj. Si ndodhi që vendosët të bëni këtë ndryshim? Na tregoni edhe për investime të tjera që po konsideroni në Europë. Çfarë mundësish shihni në këtë pjesë të botës?
DHËNDRI I TRUMP, JARED KUSHNER: Kur isha në sektorin e pasurive të paluajtshme, gjithmonë më tërhiqnin tregjet që ishin të nënvlerësuara, por kishin të gjithë elementët e duhur. Në Nju Jork, isha në SoHo para se të bëhej shumë i njohur. Në Brooklyn para se të bëhej trend. Dhe në Jersey City para se të bëhej interesant. Të gjitha këto kishin të njëjtën gjë me Shqipërinë – themeli i duhur, por njerëzit nuk e kuptonin ende. Ndihesha sikur ishim dhjetë vjet përpara trendit. Po ashtu, përmasa, shkalla e mundësive dhe elementi qeveritar që ndihmon zhvillimin. Kemi pasur shumë sukses në Europë. Nuk kemi bërë shumë, por kemi investuar në një kompani në Gjermani që tani ka dyfishuar vlerën. Rritja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme. Po ashtu kemi investuar në Revolut, që është ndoshta platforma më e mirë e teknologjisë financiare që është ndërtuar ndonjëherë. Po rritet me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe jemi shumë krenarë për këtë.
PYETJE: A ka ndryshuar strategjia juaj e investimeve që kur, Presidenti Trump, mori detyrën? Dhe nëse po, si dhe çfarë shihni në strategjinë tuaj për tregje të tjera të hapura?
DHËNDRI I TRUMP, JARED KUSHNER: Vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë. Kemi investuar tashmë rreth 2.5 miliardë dollarë. Më shumë se gjysma është në SHBA. Kemi disa investime ndërkombëtare, ku mendojmë se tregjet dhe mundësitë janë të çmueshme gabimisht. Po shoh diçka edhe nga një interes personal. Nuk e di nëse do të kualifikohet për fondin, por kam ndihmuar shumë Steven për të promovuar Marrëveshjet e Abrahamit – për të siguruar që ekzistueset të funksionojnë dhe për të gjetur mundësi të reja.
Pyetje: Na trego më shumë për këtë projekt, që ndodhet ndoshta në një nga zonat më të bukura të vendit, por edhe të Mesdheut. Mund të na tregoni më shumë për projektin dhe si planifikoni të ruani mjedisin natyror përmes procesit të zhvillimit?
JARED KUSHNER: Ajo që e bën këtë zonë kaq të veçantë është pikërisht natyra që ka. Prandaj kemi angazhuar një nga inxhinierët më të mirë në Europë për të na ndihmuar me programet e duhura të ruajtjes së mjedisit. Nëse nuk e respektojmë ambientin, zhvillimi që do të bëjmë atje nuk do të jetë i veçantë. Duhet të sigurohemi që e ruajmë realisht mjedisin. Ka madje një histori që thotë se po pengonim një deltë lumi, por ajo ishte shumë milje larg dhe nuk kishte lidhje me projektin tonë. Mendoj se kemi arritur të bindim njerëzit për këtë. Kur të publikojmë planet, do të shihet si kemi përqafuar ambientin lokal dhe jemi përpjekur të bëjmë diçka që ruan gjithçka. Por gjithçka ka të bëjë me vendndodhjen – 60 milje nga Italia, 60 milje nga Korfuz – dhe siç thashë, do të hapet një aeroport i ri shumë afër. Vetëm 10 minuta larg projektit. Bukuria natyrore është e jashtëzakonshme, vendndodhja është e mrekullueshme dhe jemi pikërisht në zemër të Mesdheut. Por, për shkak të historisë së keqe të vendit deri në vitet ’90, Shqipëria mbeti e pazhvilluar. Dhe nuk të jepet shpesh mundësia të ndërtosh diçka të re në Mesdhe, ku gjithçka është zhvilluar dhe mbirregulluar, ku asgjë nuk mund të ndërtohet më. Kështu që të gjitha këto po bashkohen, dhe mendoj se kjo ka shumë kuptim. Kemi investuar shumë kohë, përpjekje dhe kapital për ta çuar përpara këtë projekt dhe mendoj se do të arrijmë të bëjmë diçka spektakolare.