Politikë

Kush fitoi 'bastin'? Farage në drekë me Ramën! Deputeti britanik: Do ta mbush avionin me kriminelë shqiptarë

Farage tha se në Britaninë e Madhe shqiptarët janë aktorë kryesorë në kriminalitet, duke pretenduar se 1 në 50 shqiptarë janë në burg. 

F.I
Kush fitoi 'bastin'? Farage në drekë me Ramën! Deputeti
Nigel Farage dhe Edi Rama

BRITANI E MADHE-Deputeti britanik Nigel Farage duke folur në Konferencën 'Reform UK' në Birmingham, ka pohuar se brenda pak javësh do të drekojë me kryeministrin Edi Rama për të folur rreth deportimit të kriminelëve të huaj. Dreka pritet që të mbahet pas ftesës që Rama i bëri Farage disa muaj më parë. Kreu i qeverisë asakohe vendosi një 'bast' publik, ku nëse vërtetë "1 në 50 shqiptarë" në Britaninë e Madhe, është i burgosur, atëherë ai do t'i marrë të gjithë në Shqipëri, në të kundërt, Farage do të ishte i ftuari i nderit në Shqipëri.

Teksa dreka pritet të realizohet, Farage ka bërë dhe një provokim, duke thënë se rrugës për të Shqipëri mund të mbush avionin me kriminelë shqiptarë që t'i deportojnë ata këtu.  

“Ne do të deportojmë kriminelë të huaj. Do të shkoj për drekë pas disa javësh me kryeministrin e Shqipërisë. Mund të rezervoj një avion shumë të madh dhe të marr një ngarkesë me vete, nuk jam i sigurt ende. Ne do ta ndalojmë atë që është një kërcënim për sigurinë tonë kombëtare, atë që është një rrezik për vajzat dhe gratë në rrugët tona. Ne do t'i ndalojmë anijet dhe do t'i ndalojmë e deportojmë ata që hyjnë ilegalisht në vendin tonë, duke bërë atë që bën pothuajse çdo vend normal në të gjithë botën",-u shpreh Farage.

Rreth dy maj më parë Farage, një figurë e njohur e politikës britanike dhe zë i fortë i fushatës së Brexit-it, hyri në një debat publik me kryeministrin Edi Rama, ku kërkoi që gjithë shqiptarët e burgosur në Britani të deportohen. Farage tha se në Britaninë e Madhe shqiptarët janë aktorë kryesorë në kriminalitet, duke pretenduar se 1 në 50 shqiptarë janë në burg. 

Të dhënat e Ministrisë së Brendshme e çojnë numrin total të kërkesave për azil në 111,000 në vitin që përfundon në qershor 2025, gjysma e të cilëve mbërritën nëpërmjet "rrugëve të parregullta". Kjo është më pak se numri i azilkërkuesve në Gjermani, Spanjë, Itali dhe Francë. Shkalla e dhënies së azilit ishte 48 përqind gjatë asaj periudhe. Sipas të dhënave, rreth 43,000 njerëz mbërritën me varka të vogla në të njëjtën periudhë.

Mbetet për tu parë se çfarë do të diskutohet në tryezë për fatin e të burgosurëve shqiptarë në Britani./ZËRI

Poll

MOS HUMB