TIRANË- 7 muaj pas arrestimit të Erion Veliajt, Bashkia e Tiranës duket se do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, edhe pse kryeministri Edi Rama, në emisionin Opinion, nuk dha ende një qëndrim të prerë. Rama tha se ka marrë disa opinione për çështjen e drejtimit të Bashkisë, ndërsa kryeqyteti është lënë në dorë të nënkryetarëve të cilët në një moment, u bënë pjesë e një përplasje në distancë mes kryeministrit dhe Veliajt.
BISEDA
A do vijojë Erion Veliaj të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës?
Edi Rama: Nuk e di, këtë do ta shohim në vijim. Nuk e di.
Pra do ketë zgjedhje të parakohshme në Tiranë apo do pritet derisa gjykata të marrë vendim?
Edi Rama: Nuk e di, kam kërkuar që të shoh një sërë opinionesh. Jo një, por disa opinione për të kuptuar se si duhet trajtuar kjo.
Veliaj ndodhet në qeli që prej muajit Shkurt, ndërsa Bashkia është drejtuar për disa muaj nga nënkryetarja Anuela Ristani. Opozita ka kërkuar shkarkimin e Veliajt dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, gjë e cila deri tani është refuzuar nga kryeministri Edi Rama, i cili në disa raste është shfaqur në ambientet e bashkisë, duke dhënë udhëzime të qarta për drejtimin e punëve në institucionin më të rëndësishëm vendor. SPAK ka marrë të pandehur Veliajn dhe bashkëshorten e tij, ndërkohë që tashmë çështja pritet të kalojë në Gjykatën e Posaçme. Veliaj është i akuzuar nga SPAK për “korrupsion pasiv” në të paktën nëntë raste dhe së fundmi iu shtua dhe akuza për fshehje pasurie, akuza të cilat ai i ka kundërshtuar.
Në të njëjtën dosje penale, SPAK po heton edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe 4 biznesmenë të tjerë./ZËRI