TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka reaguar pasi Kolegji Zgjedhor i rrëzoi padinë e Partisë Demokratike dhe certifikoi zgjedhjet e 11 majit, duke theksuar se do të vijojë betejën në të gjitha frontet. Berisha paralajmëroi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet, teksa akuzoi qeverinë dhe institucionet e drejtësisë për bashkëpunim në një “farsë elektorale”.
“Dokumentimi, vërtetimi i të gjitha shkeljeve të rënda ligjore të procesit zgjedhor, i të gjitha mekanizmave të shndërrimit të tij në një farsë, është detyrimi më absolut i PD-së para demokratëve shqiptarëve, para zgjedhësve shqiptarë. Pa diskutim që Komisioni i parë hetimor parlamentar që do të ngrihet është Komisioni për farsën elektorale”, tha Berisha.
Berisha theksoi se do të ndjekin çdo hallkë të gjyqësorit për rezultatin e 11 majit. Madje, edhe në Kushtetuese, ndonëse nuk pret drejtësi nga togat e zeza të kësaj gjykate.
“S’ka njeri që s’e di se sistemi i drejtësisë ndodhet në duart e Ramaduros. Por kjo s’do të thotë që ne mos ndjekim procedurën.”, tha Berisha.
Kolegji Zgjedhor rrëzoi këtë të enjte, 4 shtator, ankimimin e Partisë Demokratike për rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit. Vendimi i mor me shumicë votash nga Kolegji Zgjedhor. Si instanca më e lartë, vendimi i Kolegjit Zgjedhor mbyll përfundimisht betejën ligjore për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare./ZËRI
