Politikë

“Duam t’ju marrim hakun!” Rama në Tokio, kryeministrja Takaichi: Shqipëria, partnere e rëndësishme e Japonisë

Kryeministrja e Japonisë deklaroi se në kuadër të nismës së bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor do të vijojë të mbështesë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. 

F.I
“Duam t’ju marrim hakun!” Rama në Tokio, kryeministrja
Edi Rama dhe Sanae Takaichi

TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në Tokio, ku u prit me një ceremoni zyrtare nga homologia Sanae Takaichi. Dy liderët parakaluan para trupave ushtarake të veshura me të bardha dhe më pas u ndalën në një konferencë të përbashkët. 

Kryeministrja e Japonisë deklaroi se në kuadër të nismës së bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor do të vijojë të mbështesë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. 

“E mirëpres me zemër vizitën e kryeministrit Edi Rama sot. Jam shumë e lumtur t’ju takoj sot për herë të parë! Shqipëria është një partnere e rëndësishme me të cilën ndajmë parime dhe vlera të përbashkëta. Ne jemi të kënaqur që negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme. Japonia në kuadër të nismës së bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor do të vijojë të mbështesë fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në BE. I shpreh respekt Shqipërisë për kontributin aktiv që jep në stabilitetin rajonal, një rajon me histori komplekse. Do dëshiroja të falënderoja Shqipërinë për mbështetjen e vizionit për një indo-paqësor të lirë dhe të hapur”, tha kryeministrja japoneze.

Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama e ftoi Takaichin t'i bashkohet samitit të NATO-s vitin e ardhshëm në Tiranë, duke u bërë kështu kryeministrja e parë japoneze në një vizitë shtetërore në Shqipëri . 

“E nderuar kryeministre, së pari më lejoni t’ju falënderoj për mikpritjen tuaj, të cilën nuk do ta harroj. Kam pasur mundësinë të jem pjesë e shumë ceremonive, por kjo e sotmja është e veçantë. Kjo është vizita ime e dytë në Japoni në një kohë relativisht të shkurtër dhe ne presim fuqizimin e kësaj marrëdhënieje. Mbështesim plotësisht të gjithë përmbajtjen e kësaj strategjie, eksplorojmë mundësitë se si mund të afrohemi me Japoninë. Vitin e ardhshëm në Tiranë ne do të organizojmë Samitin e NATO-s. Kam kënaqësinë e veçantë t’ju ftoj të merrni pjesë në samit. Kur të vini, do të jetë rasti i parë që një kryeministër i Japonisë do të vizitojë Shqipërinë në një vizitë shtetërore dhe në një farë mënyre të marrim hak për këtë vizitë kaq të ngrohtë që na ka lënë mbresa,"-u shpreh kryeministri Edi Rama.

Poll

MOS HUMB