
TIRANË-Partia Demokratike në një kërkesë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka kërkuar që të bëhet një audit, duke argumentuar se rrezikohet integriteti i procesit zgjedhor në diasporë, kryesisht në Greqi.
PD thotë se shkeljet më të rënda janë regjistruar në Greqi, ku jeton pjesa më e madhe e emigrantëve, por probleme serioze janë verifikuar edhe në Itali, Gjermani, SHBA, mbritani dhe vende të tjera të BE. Sipas opozitës, shkeljet e konstatuara janë dërgesa të parregullta të zarfeve, dy fletë votimi në një zarf, mungesë udhëzimi për votuesit, presion politik dhe blerje votash, vonesa ose mosdorëzimi i zarfeve, mbledhje e paligjshme e votave.


PD kërkon një audit të menjëhershëm ndërkombëtar të logjistikës së transportit dhe dorëzimit të zarfeve nga Shqipëria në Greqi dhe anasjelltas, kërkon gjithashtu rishikim për pavlefshmëri të çdo vote të dorëzuar me zarf të pavulosur apo të paplotë si edhe hetim penal nga SPAK për blerje votash dhe përfshirje të PS në shpërndarje votash.
Një ditë më parë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi parashtroi të gjitha problematikat e hasura deri tani me procesin e shpërndarjes së zarfeve me votat e diasporës, shqetësimet dhe hapat e ndjekura, sidomos çështja e Greqisë, që mbetet edhe problematika kryesore. Celibashi sugjeroi që zgjedhësit shqiptarë në Greqi të shkonin vetë pranë zyrave të DHL-së dhe të interesoheshin për zarfin dhe ta dërgonin atë në Tiranë./ZËRI