
TIRANË- Jurgis Çyrbja pretendon se vuan nga një sëmundje dhe ka nevojë për kurim, ndaj edhe ka lënë mandatin e deputetit të Partisë Socialiste. Lajmin e dha teksa hynte në ambientet e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ndërkohë që sapo ka dalë, sërish i buzëqeshur, zgjodhi që të mos jepte shumë komente. I pyetur për akuzën e ngritur ndaj tij, Çyrbja i orientoi gazetarët që të kërkonin informacione në SPAK. Ndërsa për arsyen se përse e la mandatin, zgjodhi që të mos jepte sqarime.
MOMENTI ME VIDEO:
Jurgis Çyrbja: Ishim për të dhënë sqarime. Për informacione të mëtejshme duhet të pyesni në SPAK. Për kohën që isha drejtor i hipotekës së Durrësit kisha disa sqarime për të dhënë dhe...për më gjatë...Duhet të flisni me SPAK. Mandatin e lashë sepse ashtu e kam një gjendje shëndetësore për të cilën duhet të bëj një kurim. Nuk kam asgjë për të thënë, mundet të drejtoheni...avash mo avash.
Pse e latë mandatin? Ua kërkoi partia?
Jurgis Çyrbja: Çfarë janë këto që flet?!
E bëtë për të shmangur kompetencën, për t'u gjykuar në Durrës?
Jurgis Çyrbja: Nuk e di fare se për çfarë po flet.
Çyrbja u paraqit në SPAK më datë 8 tetor, ku u mor në pyetje për 5 orë dhe më pas dorëzoi mandatin e tij. Por, dje Çyrbja tha se ai dorëzoi mandatin e tij si deputet, për arsye shëndetësore dhe se nuk ka probleme me drejtësinë. Mësohet se Çyrbja u paraqit në SPAK pasi u kallëzua nga deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka se gjatë kohës kur ishte drejtor hipoteke shpërdroi detyrën e tij. Sipas denoncimit të Palokës, deputeti socialist firmosi brenda ditës dy certifikata për të njëjtën pronë, por në dy emra të ndryshëm duke realizuar "mbivendosje prone".
Po ashtu, Paloka pretendoi se javët e fundit të fushatës Çyrbja ka shpërndarë në Kadastrën e Durrësit çertifikata dhe legalizime, sikur të ishte ende drejtor Hipoteke. Tani vendin e Çyrbjas në Kuvend pritet ta marrë Erjon Meka. Çyrbja po mbyllte mandatin e dytë si deputet. Ai u zgjodh për herë të parë në vitin 2017. Në vitin 2021 ishte i treti më i votuari i qarkut Durrës mes 6583 vota./ZËRI