
TIRANË- Zgjedhjet kanë mbaruar, por duket se beteja për një mandat ende jo! Disa ankimime janë depozituar edhe sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. I pari që ka dërguar ankimimin e tij është kandidati për deputet në listën e hapur të Tiranës, Elton Roshi. Ky i fundit i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vënien në dispozicion të pamjeve filmike për të gjitha Qendrat e Numërimit të Votave (QNV), përkatëse për çdo Komision Zonal të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) në Qarkun Tiranë. Por ka kërkuar që nga qarku i Tiranës të përjashtohen KZAZ-të që i përkasin bashkive Rrogozhinë dhe Kavajë.
"I nënshkruari, Elton Rroshi, me numër identiteti i pajisur me letërnjoftim nr. 032955138, lindur më 11.04.1986 në Kavajë, kandidat për deputet në zgjedhjet e 11 Majit 2025, në listën e hapur të Koalicionit Aleanca për Shqipërinë Madhështore, në Qarkun Tiranë, ju drejtohem me këtë shkresë Kërkoj vendosjen në dispozicion të pamjeve filmike për të gjitha Qendrat e Numërimit të Votave (QNV), përkatëse për çdo Komision Zonë Administrimi Zgjedhor (KZAZ) në Qarkun Tiranë, përjashtuar KZAZ-të që i përkasin bashkive Rrogozhinë dhe Kavajë Kjo kërkesë ka për qëllim shqyrtimin e mëtejshëm të materialeve vizuale të procesit të numërimit të votave, me synim garantimin e transparencës dhe integritetit zgjedhor, si dhe ndjekjen e çdo elementi që mund të përbëjë bazë për ankimim të mundshëm. Lutem që materiali të vihet në dispozicion brenda një afati sa më të shpejtë në përputhje me rregullat e brendshme të KQZ-së dhe dispozitat ligjore në fuqi,"-shkruhet në kërkesën e Roshit.
Ndërkohë nga ana tjetër, kandidatja e Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Andia Ulliri kërkon respektimin e kuotave gjinore në qarkun e Durrësit. Në ankimimin e saj pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deputetja pretendon kështu mandatin e ish-prokurorit Arjan Ndoja, me argumentuar se nuk është respektuar kuota gjinore në shpërndarjen e mandateve.
"Veprimi juaj për të shpallur të zgjedhur z. Arjan Ndoja, i cili është renditur i pari në listë me vota parapëlqyese, është në kundërshtim me ligjin dhe përbën një shkelje të parimit kushtetues për përfaqësimin gjinor. Në rastet kur nga rirenditja nuk rezulton që duke filluar nga kreu i listës një në tre emra të saj t’i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar, atëherë kandidatja e tretë në këtë listë dhe në vijim një në çdo tre emra të saj i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar sipas numrit të votave që kanë marrë. Interpretimi i bërë nga KQZ është i pambështetur në ligj dhe në asnjë vendim të Komisionit Rregullator. Kemi të bëjmë me një listë unike, e cila duhet të garantojë që 1 në 3 fitues të jenë nga gjinia më pak e përfaqësuar,"-thekson Ulliri në kërkesën e saj.
Nga ankimimet nuk është ndalur as "Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore". Edhe sot, opozita ka paraqitur një tjetër ankimim pranë Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve (KAS), këtë herë lidhur me rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit në Qarkun Gjirokastër, Shkodër dhe Vlorë. Ky ankimim vjen në vazhdë të atyre që janë bërë pak ditë më parë për qarqet Kukës, Berat dhe Korçë.
Ankimimet në KAS, PD i ka nisur për të kërkuar shpalljen si të pavlefshme të zgjedhjeve, duke shfaqur problematikat e hasura prej tyre gjatë procesit të votimit dhe të numërimit. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur dhe zyrtarizuar procesin zgjedhor duke certifikuar rezultatet për të 12 qarqet e vendit. Zyrtarisht, sipas KQZ-së, në zgjedhjet parlamentare Partia Socialiste mori 83 mandate; PD 50 vende në Kuvend, ndërsa mandatet e tjera u ndanë për partitë e reja. Edhe në këto zgjedhje PSD ka marrë 3 mandate, 2 kanë shkuar për Partinë "Mundësia" dhe nga 1 kanë marrë Lëvizja Bashkë dhe Nisma "Shqipëria Bëhet"./ZËRI