TIRANË- Kreu i SPAK, Klodian Braho, është pyetur gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve lidhur me çështjen e imunitetit të deputetëve dhe ndikimin e tij në hetimet e Prokurorisë së Posaçme. Demokrati Oerd Bylykbashi ka pyetur kreun e SPAK, Klodian Braho, lidhur me ekzistencën e një strategjie nga ana e Prokurorisë së Posaçme për çështjen e imunitetit të deputetëve, në rastet kur ky status pengon vendosjen e masave të sigurisë.
Braho shprehu mendimin e tij personal duke thënë se asnjë deputet nuk duhet të kishte imunitet fare përballë ligjit. Sipas Brahos, ndalimi i vendosjes së masës së sigurisë për shkak të imunitetit, vështirëson punën e hetuesve si dhe e dëmton atë.
Bylykbashi: Çështja Balluku riktheu një mekanizëm. A keni një strategji për këtë rikthim të imunitetit, pasi jemi kthyer në një situatë që atë që e bëmë në 2012 u zhbë në 2026.
Braho: Çështja konkrete, qëndrimi i SPAK është publik. Sa i përket situatë kushtuese, imuniteti ndalon vendosjen e masave të sigurimit por nuk ndalon prokurorinë të zhvillojë hetime të plota dhe të pavarura. Mungesa e një mase e vështirëson një hetim edhe e dëmton por nuk miratojmë ligje dhe jemi të detyruar t’i bindemi këtij kuadri ligjor. Të ishim ne pala që miratonte ndryshime ligjore, personalisht unë mendoj se s’duhet të kishte imunitet fare.
Bylykbashi e pyeti kreun e SPAK nëse do të ketë kërkesë të dytë në Kuvend për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Braho u përgjigj duke theksuar se çështja është nën hetim, duke thënë se vendimmarrja e radhës do të lidhet edhe me arsyet se përse kuvendi e rrëzoi kërkesën
Oerd Bylykbashi: Tani kemi akuzë për korrupsion dhe pastrim të produkteve. Do ketë sërish kërkesë për heqje imuniteti mbi bazën e provave dhe akuzave të reja?
Klodian Braho: Ju prapë e lidhni pyetjen me çështje konkrete. Nuk do kishte çështje nëse nuk do kishte shkelje të ligjeve. Ju e keni të qartë qëndrimin e Prokurorisë, por edhe se si ka vazhduar Prokuroria pas mospranimit të kërkesës. Unë sot nuk mund të para shpall një vendimmarrje, çështja është nën hetim. Nuk mund të them nëse do ketë apo jo, por do jetë një vendimmarrje e bazuar në ligj, duke marrë parasysh edhe arsyet pse Kuvendi ka vendosur rrëzimin e kërkesës./ZËRI