Politikë

Fitorja 5-0 në zgjedhje, Rama veçon Vlorën dhe Beratin: Pjesëmarrja e ulët për shkak të opozitës dhe shiut

Rama ka veçuar Vlorën, që do të drejtohet për herë të parë nga një grua, dhe Beratin, për rezultatin historik të arritur nga socialistët

E.K
Fitorja 5-0 në zgjedhje, Rama veçon Vlorën dhe Beratin:
edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka bërë reagimin e tij të parë pas zgjedhjeve të pjesshme të së dielës, ku socialistët arritën të merrnin fitore të thellë në 5 bashki, pavarësisht pjesëmarrjes mjaft të ulët të qytetarëve. Rama ka veçuar kryebashkiaken e zgjedhur të Vlorës, Bruna Mersinin, që do të jetë e para grua në krye të qytetit, si dhe rezultatin historik të arritur në Berat, duke marrë 83% të votave.

Postimi i Ramës

5 bashki, 5 fitore dhe 5 arsye më shumë për t’i falenderuar qytetarët për besimin e tyre, pavarësisht dobësisë ekstreme të opozitës, motit me shi të ditës se djeshme, apo vetë natyrës së zgjedhjeve të pjesshme, të cilat nuk është se e stimulojnë pjesëmarrjen.

Urime kryebashkiakëve të rinj, nga Bruna, gruaja e parë që do të drejtojë bashkinë e Vlorës;

Ervini i dytë i Beratit, i cili me mbi 83% të votave dhe 13 049 vota nga 15 454 të PS në 11 maj për bashkinë Berat, ka arritur një rezultat mbresëlënës;

Florenci në Cërrik, Gramozi në Tepelenë dhe Altini në Mat, që të tre me rezultate kuptimplota, të cilat janë një themel i fortë i punës që do të pasojë në shërbim të atyre komuniteteve.

Bashkia e Beratit do të drejtohet nga Ervin Ceca i cili në këto zgjedhje arriti të siguronte 13,050 vota, që përbëjnë 83.35% të totalit, duke lënë pas me diferencë të thellë kandidatin e mbështetur nga Partia Demokratike, Pavlo Shkarpa, i cili siguroi 2,607 vota ose 16.65%.

Garën për drejtimin e Bashkisë së Tepelenës e fitoi kandidati i Partisë Socialiste, Gramoz Sako, i cili arriti të merrte 77.85% të votave, përballë kandidatit të pavarur të mbështetur nga Partia Demokratike, Gabriel Guma, që mori 22.15%.

Bashkia e Cërrikut për një mandat rreth 1 vit e gjysmë do të drejtohet nga Florenc Doka i cili në këto zgjedhje mundi të siguronte fitoren e thellë me 6,201 vota, që përbëjnë 66.22% të totalit, ndërsa “kundërshtari i tij” në këtë garë Amarildo Hoxha, kandidat i pavarur i mbështetur nga Partia Demokratike, mori 1,888 vota ose 20.16%.

Në krye të garës për Bashkinë e Vlorës u pozicionua Brunilda Mersini e cila shënoi një moment historik si gruaja e parë që merr drejtimin e këtij qyteti. Ajo siguroi 15,573 vota, që përfaqësojnë rreth 78% të totalit, duke e bërë rezultatin të pakontestueshëm.

Dy kandidatët e tjerë në garë, Dionis Sota (i pavarur, i mbështetur nga Partia Demokratike) dhe Gjergji Nika (i pavarur), morën përkatësisht 233 vota (11.6%) dhe 1,975 vota (9.8%).

Ndërsa Bashkia e Matit, e fundit që mbylli numërimin e votave, do të drejtohet gjithashtu nga socialisti Altin Bojni. Ky i fundit shënoi fitore me difencë të thellë ndaj dy kandidatëve të pavarur, Eduart Brahilika kandidat i mbështetur nga opozita dhe Suzana Pasha, kandidatja e pavarur, ish-drejtuese e Forumit të Gruas Socialiste në këtë bashki.

Bojni siguroi 7425 vota ose 66.54 % të totalit, kandidati i mbështetur nga opozita ka siguruar 3318 vota ose 28.54 %, ndërsa ish-drejtuesja e Forumit të Gruas Socialiste në Bashkinë Mat ka marrë vetëm 547 vota në këtë bashki ose 4.92 %.

Poll

MOS HUMB